Historiani serb për sulmin terrorist: Vuçiqi është i humbur, nuk e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë

Lajme

Historiani serb për sulmin terrorist: Vuçiqi është i humbur, nuk e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 16:51
Millan St. Protiq

Historiani serb dhe ish-ambasadori i RF të Jugosllavisë në Uashington, Millan St. Protiq pretendon se pas ngjarjeve në Banjskë, disa njerëz kyç nga postet e larta është dashur që menjëherë të shkarkohen, sepse ky veprim do të kishte “heshtur menjëherë publikun ndërkombëtar dhe Kosovën”. Fakti që pushteti këtë nuk e ka bërë tregon se ata nuk kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë.

Protiq beson se që nga ngjarjet e 3 majit e deri më sot, qoftë qeveria ashtu  edhe shoqëria janë të humbur.

“Ne nuk kemi nevojë për askënd tjetër, ne i bëjmë aq shumë keq vetes saqë njeriu pyet veten nëse kemi humbur dhe nuk kemi më asnjë kuptim jo vetëm për realitetin, por as për mirëqenien tonë”, ka thënë ish-diplomati serb për N1.

Ai ka shtuar se, “pas gjithë asaj që përjetuam në vitet e 90-ta dhe pas kaq shumë luftërave nga të cilat serbët dolën aq të lënduar dhe të poshtëruar, a mendon akoma dikush se mund të bëhet diçka në këtë mënyrë”.

“Ne nuk mësojmë nga e kaluara jonë. As më parë këtë nuk ishte dashur të bëjmë, të gjithë e pamë ku na çoi kjo. Tani kemi të njëjtin mentalitet, të njëjtën logjikë, të njëjtin arsyetim, dhe pastaj përsëri disa njerëz vdesin dhe ata që kanë planifikuar këtë padyshim që nuk kanë ndryshuar qysh nga atëherë e deri më sot”, ka thënë Protiq.

Ata që pretendojnë se Kosova është zemra e Serbisë, e përdorin këtë parullë sepse e dinë se tingëllon mirë, tërheq vëmendjen e një numri të caktuar njerëzish.

“Ngjarjet në Banjskë janë nga njëra anë pasoja katastrofike që pasuan nga largimi i serbëve nga institucionet, nga Policia e Kosovës, dhe nga ana tjetër është fakti që ne ende mendojmë se me dhunë mund të arrijmë diçka. Dhe pastaj pozita që kishte Serbia në bashkësinë ndërkombëtare, jo për shkak të aftësive të saj, por për shkak të sjelljes së pakuptimtë të Kosovës, tani është shkatërruar”, ka thënë Protiq.

I pyetur nëse qeveria ka ditur për ngjarjet në Banjskë, Protiq thotë se një pjesë e tyre sigurisht që e ka ditur.

“Është më pak e rëndësishme nëse Vuçiq e dinte apo jo, ajo që ka rëndësi është se si do të reagojë, por ai nuk reagon mjaftueshëm bindshëm. Kur duhet të bëjë një lëvizje dhe të tregojë se është lider i Serbisë, ai nuk po mund ta kalojë këtë provim”, ka thënë historiani serb.

Sipas tij, personat kyç duhej të arrestoheshin dhe të akuzoheshin menjëherë.

“Dua të them se personat kyç duhet të arrestohen menjëherë, aktakuzat duhet të ngrihen menjëherë në Serbi dhe kjo do të dërgonte një mesazh të qartë”, shpjegoi Protiq.

Më duket se Vuçiqi dukshëm është i humbur.

“Ai ka kuptuar se në çfarë pozite gjendet, pavarësisht dobësisë dhe mospajtimit të opozitës, dhe se presioni ndërkombëtar, i cili tani do të jetë edhe më i ashpër se sa ka qenë ndonjëherë, atë e shqetëson shumë dhe kjo duket qartë. Ai nuk mund ta fshehë pasigurinë dhe konfuzionin e vet”, ka thënë Protiq.

Ai shpjegoi se me çfarë lëvizje Serbia do të “heshtte opinionin ndërkombëtar dhe Kosovën”.

“Serbisë do t’i përgjigjej sikur disa njerëz kyç do të shkarkoheshin menjëherë nga poste të larta dhe vetëm atëherë edhe ai i cili ka komanduar. Ai nuk është çelësi, kjo nuk do të mjaftojë të kthejë pozicionin e Serbisë, është një lëvizje që duhet ta bënte menjëherë dhe në këtë mënyrë të heshtte opinionin ndërkombëtar dhe Kosovën, sepse atëherë kishte mbaruar. Fakti që pushteti këtë nuk ka bërë tregon se ata nuk e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë”, ka përfunduar Protiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat