​Kolonel Shefqet Buçaj, njeri i luftës dhe shtet-ndërtimit

Lajme

​Kolonel Shefqet Buçaj, njeri i luftës dhe shtet-ndërtimit

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 18:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Kolonel Shefqet Buçaj ishte një njeri me të gjitha tiparet e mira të një burri, të një mësuesi dhe një luftëtari, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në luftë, por në ndërtimin e shtetit.

Kështu u tha në mbledhjen komemorative, me rastin e vdekjes së ish veteranit të arsimit, luftëtarit dhe ish eprorit të UÇK-së, Shefqet Buçaj, i cili ndërroi jetë dje.

Në këtë mbledhje komemorative e cila është mbajtur në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, nën përkujdesjen e OVL të UÇK-së dhe e mbështetur nga Komuna e Malishevës, morën pjesë zyrtarët të shumtë në nivel qendrorë e lokal, eprorë të lartë të FSK-së e Policisë, bashkëluftëtarë të Buçajt, mësimdhënës, ish nxënës të tij dhe qytetarë të shumtë.

Aty folësit evokuan kujtime për jetën dhe veprën e kolonel Shefqet Buçaj, kontributin e tij në arsim dhe në luftë, e deri në ditët e sotme.

“Ishte një njeri i kompletuar, një njeri me të gjitha tiparet e mira të një burri, të një mësuesi, një luftëtari, një njeri i kompletuar në të gjitha fushat, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në luftë, por në ndërtimin e shtetit. Ishte personifikimi më i mirë i emërtimit çlirimtar, ishte i gatshëm të sakrifikohet për lirinë e vendit, një mësues i cili përfundon në çlirimtar, sepse tërë jetën ja ka kushtuar lirisë. Ky ishte Shefqet Buçaj”, ka thënë mes tjerash, Fatmir Limaj, në fjalën e tij, me rastin e vdekjes së kolonel Buçajt, në këtë mbledhje komemorative.

Për kontributin e tij në luftë, ka folur Metush Kryeziu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Malishevë.

“Ai ishte një njeri i sfidave, një mësues i jashtëzakonshëm dhe atdhetar i madh”, tha mes tjerash Kryeziu, i cili ka vlerësuar lartë kontributin e kolonel Shefqet Buçaj, para luftës, gjatë luftës dhe në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, përkatësisht në TMK, ku edhe ishte pensionuar.

Në emër të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili gjendet jashtë vendit, ka folur drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, e cila i ka shprehur ngushëllime familje, në emër të qeverisë komunale. Ajo gjithashtu ka folur edhe për kontributin e Shefqetit në arsim, ku nga 1974 e deri më 1998, ka dhënë kontribut të madh, jo vetëm në arsim por edhe në fushën e kulturës, si dhe në edukimin e brezave në fushën e atdhedashurisë.

Për jetën dhe veprën e kolonel Shefqet Buçaj, në emër të fshatit ka folur veterani i arsimit, Ramadan Bibaj, ndërsa në emër të familjes, ka folur Albana Buçaj, e cila edhe i ka falënderuar të gjithë për nderimin dhe vlerësimin që i është bërë xhaxhait të saj.

Sipas një njoftimi të Komunës së Malishevës, veterani i arsimit dhe luftës, kolonel Shefqet Buçaj është varrosur sot, pranë varrezave të dëshmorëve të Birgadës 121, në Kleçkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat