“Po bashkëpunon me shqiptarë”, detaje se si serbi në veri u detyrua të paguajë haraç

Lajme

“Po bashkëpunon me shqiptarë”, detaje se si serbi në veri u detyrua të paguajë haraç

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 08:20
Foto ilustrim

Tre persona nga Zubin Potoku që dyshohet se përfituan kundërligjshëm për vite me radhë duke e detyruar një 42-vjeçar t’i paguajë çdo muaj para, tashmë po hetohen nga Policia në koordinim me Prokurorinë, pas denoncimit të viktimës. Dy prej tyre kanë përfunduar në mbajtje, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sinjalizuesi nga veriu ka bërë me dije se viktima (emër i njohur për redaksinë), i nacionalitetit serb, ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer se si i kanë kërkuar haraç dhe e kanë detyruar të paguajë.

Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e 42-vjeçarit, të dhënë para hetuesve policorë, gjithë kjo ka ndodhur pasi personat e dyshuar e kanë akuzuar se po bashkëpunon me shqiptarët në veri – përmes bizneseve të tij.

Raportimi i tij ka aktivizuar Policinë për kapjen e të dyshuarve, dy prej të cilëve janë arrestuar, teksa i dyshuari tjetër akoma nuk është kapur.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet hetim në drejtim të veprës penale “Detyrimi”, me ç’rast pritet të konfirmohen ose jo pretendimet e viktimës dhe të zbulohen rrethanat e rastit.

Dy të dyshuarit që u prangosën, pas intervisitmit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për arrestimin e të dyshuarit tjetër, i cili tashmë është identifikuar po vazhdojnë.

Edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë të Veriut e kanë konfirmuar rastin, por nuk janë dhënë detaje të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat