Apeli i institucioneve financiare të Kosovës: Shmanguni nga përdorimi i 2 eurove kesh, shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave

Lajme

Apeli i institucioneve financiare të Kosovës: Shmanguni nga përdorimi i 2 eurove kesh, shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 14:20
Foto ilustrim

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, duke njohur rëndësinë që ka furnizimi me para të gatshme për ekonominë e vendit, sigurinë dhe besueshmërinë e parave dhe sistemit të pagesave, u zotuan të intensifikojnë veprimet përkatëse institucionale në luftimin e falsifikimit të parasë.

Në takim palët diskutuan për situatën aktuale që lidhet me fenomenin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë në Republikën e Kosovës, si dhe shkëmbyen informacione mbi burimet dhe origjinën e monedhave të falsifikuara dhe valutave të hasura në treg.

Mbi bazën e këtyre diskutimeve, palët u dakorduan për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare.

Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar.

Rekomandohet që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme të cilat furnizohen nga ana e BQK-së, kurse mjetet e pranuara t`i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim.

Po ashtu, me theks të veçantë udhëzohen qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme (veçanërisht monedhën 2 euro) dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave.

Veprime konkrete kërkohen edhe nga bankat dhe institucionet tjera financiare, që të ngritin kapacitetet e brendshme të adresimit të kësaj dukurie dhe komunikimit sa më efikas me autoritetet përkatëse.

Palët u pajtuan të intensifikojnë aktivitetet në zbatim të ligjit, të shtohen kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore, të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Në fund të takimit, palët u dakorduan që përmes grupit punues ndërinstitucional, të koordinohen aktivitetet sipas fushëveprimit përkatës të institucioneve, të rekomandojnë ndryshimet legjislative dhe monitorojnë në vazhdimësi zbatimin e këtij plani.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat