Mohimi i krimeve të luftës kërcënon paqen në ish-Jugosllavi, thotë raporti i Këshillit të Evropës

Lajme

Mohimi i krimeve të luftës kërcënon paqen në ish-Jugosllavi, thotë raporti i Këshillit të Evropës

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 11:22
Foto ilustrim

Gjuha e urrejtjes dhe ultranacionalizmi po kërcënojnë përpjekjet e paqes në Ballkan, megjithë vite të tëra gjyqesh për krime lufte dhe përpjekjesh pajtimi në vendet e ish-Jugosllavisë, tha të enjten organi më i lartë evropian për të drejtat e njeriut.

Shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë pa një varg luftërash që shkatërroi Ballkanin, me rreth 130,000 njerëz të vrarë në konfliktet në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Slloveni, raporton AFP.

Për të ndihmuar në sjelljen e autorëve të krimeve më të rënda para drejtësisë, një sërë gjykimesh të profilit të lartë janë kryer nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Pavarësisht përpjekjeve të gjykatës dhe dënimeve të shumta, Këshilli i Evropës tha se përpjekjet për pajtim ende mungonin, pjesërisht falë vullnetit të dobët politik.

“Pasojat e këtij dështimi për të kryer reforma më të gjera të ndjeshme për të kaluarën vazhdojnë të minojnë përparimin demokratik dhe paqen në rajon”, tha Këshilli në një raport.

Në raportin e tyre, këshilli tha se politikanët kanë përhapur “diskursin etno-nacionalist dhe mohimin e mizorive dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës”.

“Mohimi i gjenocidit dhe mizorive të tjera, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe përpjekjet për të rivendosur besueshmërinë e personave të dënuar për krime lufte në vitet 1990 janë një shqetësim serioz dhe po përhapen në rajon, duke përfshirë në nivelet më të larta politike”, thuhet në raport.

Prania e kriminelëve të luftës – si kryes të supozuar dhe të dënuar të krimeve të luftës – në institucione dhe shërbime publike “ka një ndikim serioz mbi viktimat dhe të mbijetuarit dhe në suksesin e përpjekjeve për reformën e shtetit të së drejtës”.

Në Serbi, Partia Progresive Serbe në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit – i cili është dënuar për krime kundër njerëzimit – la të kuptohet se ata do të bashkojnë forcat gjatë zgjedhjeve lokale në dhjetor.

Vuçiqi e filloi karrierën e tij politike nën tutelën e Sheshelit dhe punoi si sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale përpara se të shërbente si ministër i informacionit në qeverinë e ish-diktatorit serb Slobodan Millosheviq në fund të viteve 1990.

Në Bosnjën fqinje, udhëheqësi serb boshnjak i vendit Milorad Dodik vazhdon të pretendojë se “nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë” – ku forcat serbe vranë rreth 8,000 burra dhe adoleshentë myslimanë.

Midis disa rekomandimeve, Këshilli i Evropës tha se “kërkimet e faljes nga shteti janë thelbësore për të pranuar peshën e asaj që ndodhi dhe për të ndikuar në perceptimin e një shoqërie për viktimat”.

Këshilli i Evropës, i cili përbëhet nga 46 shtete anëtare, u krijua për të monitoruar dhe mbështetur të drejtat e njeriut në Evropë në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat