Zbulohen emrat e katër të arrestuarve për fajde në Ferizaj

Lajme

Zbulohen emrat e katër të arrestuarve për fajde në Ferizaj

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 08:01
Policia e Kosovës

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda në koordinim me Prokurorinë ka kryer operacion policor në katër lokacione në Ferizaj. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katër persona të dyshuar për fajde dhe janë sekuestruar disa prova materiale.

Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë

Rrahim Uksmajli 43-vjeçar

Brahim Uksmajli 32-vjeçar

Sherif Uksmajli 48-vjeçar

Jashar Jashari 57-vjeçar

Tre anëtarët e familjes Uksmajli dhe Jashar Jashari dyshohen se nga viti 2021 deri në 2023, kanë detyruar një person të paguajë para me fajde në vlerë të 164 mijë e 500 euro.

Përmes një komunikate për media, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar armë, telefona e para të gatshme, si dhe shënime tjera që dyshohet se lidhen me veprën penale.

“Gjatë kontrollit në pronat e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar:

Dy (2) armë (pistoleta)

Katër (4) karikator

Dy (2) pushkë gjuetie

Nëntëdhjetë e pesë (95) fishekë

Pesë (5) telefona mobil

Dy mijë e gjashtëqind (2600.00) euro

Shënime/evidenca, Kontrata dhe Marrëveshje që dyshohen se lidhen me Veprën Penale”, thuhet në njoftim.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë.

Me urdhër të prokurorit, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’ dhe brenda afatit ligjor pritet që ndaj tyre të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat