Eksperti e mohon se mori 1 mijë € për super-ekspertizë, i akuzuari tjetër thotë se ishte i shtrënguar të jepte ryshfet

Lajme

Eksperti e mohon se mori 1 mijë € për super-ekspertizë, i akuzuari tjetër thotë se ishte i shtrënguar të jepte ryshfet

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

I akuzuari se mori 1 mijë euro ryshfet, Ruzhdi Sefa, ka thënë se nuk është fajtor dhe se nuk ka kryer veprimet inkriminuese për çka ngarkohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës. Ndërsa, mbrojtja e Shaban Nezirajt konsideron se ky i fundit ishte detyruar të jepte ryshfet ekspertit Sefaj.

Këto qëndrime të të akuzuarve janë dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë në rastin ku Sefaj si ekspert në hartimin e një super-ekspertize po akuzohet për marrje ryshfeti nga Neziraj, i cili po ashtu po akuzohet për dhënie të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“..njëherit shtoj se e kam thënë në të gjitha fazat në polici, prokurori në gjykatë dhe po e përsëris se nuk jam fajtor dhe nuk i kam kryer veprimet inkriminuese për të cilat akuzohem prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm”, ka thënë Sefja, në seancë gjyqësor.

Ai ka thënë se e mbështetë fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, avokatit Ilir Rugova.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Neziraj, avokati Idriz Ibraj ka thënë se është vëretuar se vepra e marrje-dhënies së ryshfetit ka ndodh mes të akuzuarve.

Ai thotë se në bazë të provave dhe fakteve i akuzuari Shaban Neziraj në një far mënyre është shtrënguar dhe kushtëzuar që të akuzuarit Ruzhdi Sefa, t’ia dorëzojë ditën kritike shumën prej 1000 euro ndërsa pjesën e mbetur janë marrë vesh që të paguhet pas dorëzimit të raportit të ekspertizës.

Ibraj ka propozuar të lirohet Neziraj nga akuza për faktin se i mbrojturi i tij nuk ka pasur dashje direkte t’i japë ryshfet por ka qenë i shtrënguar.Në fjalën përfundimtare, prokurorja Dëshire Jusaj, tha se nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve të dhënë në prokurori dhe polici, është vërtetuar përshkrimi faktik i veprës për të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Ajo i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit Sefa dhe Neziraj, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ruzhdi Sefa, avokati Ilir Rogova e kundërshtoi në tërësi fjalën përfundimtare

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë Sefa po akuzohet se i ka marrë 1 mijë euro ryshfet, në këmbim që ta përfundojë më shpejtë një super-ekspertizë, ku ai ka qenë anëtar i komisionit. Këto të holla, ai dyshohet se i ka marrë nga Shaban Neziraj, ku ky i fundit është paditës në një çështje konstestimore që po trajtohej në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me këto veprime Sefa akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Kurse, sipas aktakuzës, Shaban Neziraj, po ngarkohet i ka kërkuar të akuzuarit Ruzhdi Sefa që t’ia përshpejtojë lëndën, në mënyrën se si është cekur më lart.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal.  Detajet nga aktakuza e plotë e këtij rasti i gjeni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat