"Kurrë sanksione ndaj Rusisë", Daçiq: Çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet duke dëmtuar interesat e Serbisë

Lajme

"Kurrë sanksione ndaj Rusisë", Daçiq: Çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet duke dëmtuar interesat e Serbisë

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 09:50
Ivica Daçiq

Ministri i Jashtëm serb dhe kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 17 dhjetorit, Ivica Daçiç, në një intervistë për mediat e Beogradit ka sqaruar pikat kryesore të diplomacisë së jashtme serbe.

Daçiç shprehet se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet duke dëmtuar interesat e serbëve.

“Shtetet më të fuqishme se ne mendojnë se Kosova është e pavarur, por ne i sollëm sërish të ulen në tavolinë të dëgjojnë me respekt atë që Serbia dhe serbët e Kosovës duan. Më parë nuk na trajtonin kështu, ata kërkonin një zgjidhje për Kosovën ku të mos jenë përfshirë serbët si palë. Tani kemi mundësinë, pavarësisht presioneve, që të mbajmë Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë”, u shpreh Daçiç.

Daçiç, i cili drejton Partinë Socialiste serbe në koalicion me Partinë Progresive që qeverisë vendin të Aleksandër Vuçiç, ka kundërshtuar dhe hyrjen e vendit në NATO.

“Serbia nuk duhet të jetë vend anëtar i NATO-s, por ne duhet të mbajmë bashkëpunim të mirë me aleancën. Ne jemi një vend neutral ushtarakisht. Ata nuk na kanë ftuar deri tani, por edhe nëse e bëjnë ne nuk do të pranojmë sepse NATO na bombardoi 25 vite më parë. Ne mund të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e trajnimeve ushtarake, siç bëjmë aktualisht”, tha Daçiç.

Lidhur me hyrjen e vendit në BE, Daçiç thotë se do ishte dakord, por nuk do cenonte interesat ekonomike të Serbisë me Rusinë dhe Kinën për të marrë kartën e anëtarësimit në Unionin Europian.

“Për integrimin në BE nuk duhet të cenojmë bashkëpunimin me miqtë tanë të vjetër si Rusia, Kina dhe India. Për mua nuk është e rëndësishme se kur do hyjmë në BE, rëndësi ka që ne të plotësojmë reformat që na kërkohen nga Brukseli dhe të kemi të njëjtin standard si vendet e tjera Europiane”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, Daçiç ka deklaruar se do të jetë kundër sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Pak ditë më parë, ai tha se Sllobodan Miloshvic ishte politikani bashkues i gjithë serbëve që duhej vlerësuar si figurë patriotike. Deklarata pro Kasapit të Ballkanit u dënua nga disa zëra liberalë në opinionin publik serb, por nuk pati asnjë reagim nga komuniteti ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat