Të enjten lansohet masa e re e punësimit për gratë dhe vajzat të cilat janë viktima të dhunës

Lajme

Të enjten lansohet masa e re e punësimit për gratë dhe vajzat të cilat janë viktima të dhunës

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 19:11
Berita Abazi

Gra dhe vajza nga qytete të Kosovës kanë filluar fushatën ‘16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore’.

Me ç’rast, Këshilltarja e Ministrisë së Drejtësisë, Berita Abazi, njoftoi se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 7 dhjetor, do ta lansojë një masë të re të punësimit për gratë dhe vajzat të cilat janë viktima të dhunës.

Sa i përket subvencionimit të pagave, Abazi tha se Ministria e Financave do ta bëjë ndërlidhjen e tyre.

“Ne po mbështesim edhe strehimoret në Kosovë, këtë vit është buxheti më i madh që është ndarë ndonjëherë për strehimoret. Për ne, sfida më e madhe, është fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave. Sa i përket kësaj, me datë 7 dhjetor, bashkë me kryeministrin dhe ministrin e financave, ministrja Haxhiu do ta lansojë një masë të re të punësimit e cila është për gratë dhe vajzat viktima të dhunës. Do të jetë një masë e ngjashme si masa “Qeveria për familjet”. Përmes kësaj mase, viktimat e dhunës të cilat do të aplikojnë për përfitim nga masa, do të lidhen me vendet e punës dhe Ministria e Financave do tu subvencionojë pagën, do ta bëjë pra ndërlidhjen e tyre”, deklaroi Abazi.

Po ashtu, Abazi tregoi edhe mënyrën se si do të identifikohen viktimat, të cilat mund të përfitojnë nga kjo masë e re e punësimit.

“Sa i përket formës se si do të identifikohen viktimat, është përmes data bazës së Ministrisë së Drejtësisë, e që në të cilët raportojnë të gjitha institucionet relevante. Në atë data bazë, nuk ka ndonjë rast që nuk identifikohet nga Policia ose nga strehimorja, pra dikush nga institucionet me patjetër i identifikon rastet aty”, shtoi tutje Abazi,

Ndërkaq, lidhur me politikat dhe adresimin e dhunës në familje, Abazi vlerësoi që sa i përket kësaj çështje, Kosova aktualisht është shembull në rajon.

“Sa i përket politikave dhe adresimit të dhunës në familje, Kosova është shembull në rajon. Nuk do të thotë që s’ka hapësirë ende për ndryshime”, theksoi Abazi.

Tutje, kjo e fundit tha se pa bashkëpunimin e qytetarëve, Qeverisë dhe institucioneve relevante, është e pamundur të adresohen të gjitha rastet e dhunës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat