“The National Interest”: Tre skenarë për politikat e Serbisë ndaj fqinjëve – s’e do prapë 99-shin

Lajme

“The National Interest”: Tre skenarë për politikat e Serbisë ndaj fqinjëve – s’e do prapë 99-shin

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 14:11
Aleksander Vuçiq

Revista amerikane “The National Interest”, e cila përqendrohet në artikuj rreth marrëdhënieve ndërkombëtare, ka shkruar për tre skenarë të mundshëm të politikave të Serbisë ndaj vendeve fqinje, duke theksuar se Beogradi është i përcaktuar që ta shmangë me çdo kusht atë që i kishte ndodhur në vitin 1999.

Profesori Giorgio Cafiero, në artikullin e tij për këtë revistë, thotë se ky përcaktim i Serbisë nënkupton se Beografi do të veprojë gjithmonë për të parandaluar një skenar të tillë.

“Çfarëdo lëvizje që Beogradi mund ta bëjë në raport me veriun e Kosovës ose me shtete të tjera fqinje, do të bëhej duke u bazuar në përllogaritjet sa i përket statusit të rendit perëndimor. Brenda këtij konteksti, janë të paktën tre skenarë për t’i shqyrtuar, kur analizohet e ardhmja e politikave të Serbisë ndaj fqinjëve të saj më të vegjël ballkanikë”- shkruan Cafiero.

Skenari I

Rendi perëndimor bie, ndërsa Rusia e Kina e mbushin këtë boshllëk në skenën ndërkombëtare në kohën e rënies totale të Shteteve të Bashkuara. Nën rrethana të tilla, ndokush lehtësisht mund ta imagjinojë Serbinë duke vepruar me guxim për ta rimarrë kontrollin e plotë të Kosovës.

Skenari II

Rendi perëndimor dobësohet, por nuk bie, ndërsa Pekini e Moska vazhdojnë që të fitojnë ndikim më të madh gjeopolitik, duke baraspeshuar në praktikë një NATO që mbetet e paprekshme, edhe pse si aleancë më e dobët. Nëse zhvillohet ky skenar, Serbia do të mund ta ribashkonte veten me pjesë të tokave në shtete fqinje, si veriu i Kosovës dhe Republika Serbe e Bosnjës.

Skenari III

As Pekni, as Moska nuk arrijnë që të ngjiten më lart, ndërsa rendi perëndimor ngadhënjen. Me këtë skenar, Serbia ndoshta nuk do të ishte në gjendje që të ndryshojë asnjë kufi. Megjithatë, Serbia do të mund t’i shfrytëzonte grupet e orientuara nga Beogradi e Moska në Kosovë, Bosnjë e Mal të Zi për të vazhduar që ta bëjë Serbinë fuqi rajonale që është e aftë për të nxitur probleme për NATO-n, duke e përforcuar përfundimisht statusin e Beogradit si aktor që Perëndimi duhet ta akomodojë.

Pavarësisht se cili skenar zhvillohet, profesori Cafiero mendon se Kosova do të vazhdojë që të ketë frikë nga fqinja e saj revanshiste dhe nga marrëdhënia e Beogradit me serbët në veriun e Kosovës.

“Prishtina do të dëshirojë që të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar përkrahje afatgjate nga NATO-ja, por, duke marrë parasysh që prania e KFOR-it nuk e parandaloi episodin e 24 shtatorit afër Banjskës, që erdhi katër muaj pas hyrjes së pretenduar të të forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës, duke arrestuar tre policë kosovarë, Kosova nuk dëshiron që të varet nga aleanca transaltantike, sidomos duke i pasur parasysh të gjitha pyetjet e hapura rreth përkushtimit afatgjatë të Perëndimit ndaj Kosovës dhe kapacitetit të NATO-s për ta mbrojtur pavarësinë e vendit”- shkruan Cafiero.

Ai shton se, brenda këtij konteksti, Kosova dëshiron që të ndërtojë kapacitete vendore për ta mbrojtur veten nga përpjekjet e mundshme të Serbisë për ta rimarrë kontrollin e Kosovës në një botë pas-perëndimore.

“Për ta përmbledhur, ekzistenca dhe de fakto edhe pavarësia e Kosovës kanë qenë produkte të epokës njëpolare në historinë botërore që ekzistoi vetëm në vitet e nëntëdhjeta dhe në pjesën e parë të viteve të dymijëta. Përderisa sistemi botëror bëhet më shumëpolësh, Prishtina do të ballafaqohet me sfida të konsiderueshme, të cilat do të kërkojnë që shteti i vogël evropian e mysliman, pa dalje në det, t’i rishqyrtojë strategjitë e veta për mbijetesë”- shkruan në fund analisti dhe profesori Cafiero.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat