Milazim Krasniqi i del në mbrojtje Sali Berishës, paralajmëron trazira të dhunshme nëse arrestohet ish-kryeministri!

Lajme

Milazim Krasniqi i del në mbrojtje Sali Berishës, paralajmëron trazira të dhunshme nëse arrestohet ish-kryeministri!

Nga: A.M. Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 22:42
Sali Berisha

Votimi pro në Kuvend të kërkesës për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha ka nxitur reagime të shumta.

E për këtë, ka reaguar edhe profesori Milazim Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

Ai tregoi për njohjen me Sali Berishën dhe takimet që kishin pasur së bashku, derisa tregoi edhe për mesazhin e fortë që ia kishte dërguar Presidentit Rugova.

Krahas kësaj, Krasniqi u shpreh se përndjekja që po i bëhet Dr. Berishës, do të regjistrohet si një turp shtetëror, me rrezik edhe si një turp kombëtar.

Po ashtu, ai paralajmëroi qeverinë Rama që me përndjekjen e Berishës nuk i bën nder partisë dhe qeverisë së tij, por lë shijen e hidhur të hakmarrjes.

Ndër të tjera, tha se arrestimi i tij mund të ketë pasoja të mëdha dhe mund të provokohen trazira.

Ndërsa mbajtja e tij në arrest shtëpiak, ose arrestimi i tij, vërtet mund të ketë pasoja. Në rastin e arrestit shtëpiak, shtëpinë e tij mund ta shndërrojnë në vend pelegrinazhi, me gjithë pasojat që mund të ketë për sigurinë. Ndërsa dërgimi eventual në burg i dr. Berishës, mund të provokojë trazira të dhunshme. Asnjëra nuk i duhen Shqipërisë e shqiptarëve”, shkroi ndër të tjera profesori Krasniqi, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Kush do të turpërohet nga përndjekja që po i bëhet Dr. Sali Berishës

Sali Berishën e njoh nga shkurti e marsi i vitit 1992, kur kam qëndruar në selinë e PDSH për një muaj, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 22 marsit 1992. Gjatë asaj fushate e kam takuar disa herë, si edhe në natën e fitores, kur isha i ftuar në një darkë festive që pati organizuar Zyra e Kosovës në Tiranë. Nga fjala e Dr. Berishës me atë rast mbaj mend se ai pati thënë se kot po e etiketonin si prokosovar, meqë ai nuk  ishte prokosovar, po ishte kosovar.

E kam takuar më vonë disa herë. Kam pasur edhe biseda serioze politike me të, veçmas në maj të vitit 1998, kur më pati ngarkuar me një mesazh të fortë për dr. Rugovën edhe me një përpjekje pajtimi me të, pas ftohjes së vitit 1996. Herën e fundit e kam takuar në zyrën e tij në Tiranë para disa vitesh, me një grup kolegësh të Departamentit të Gazetarisë. Pasi ka filluar trazira në PDSH, veçmas ai sulmi i dhunshëm ndaj selisë së partisë, më nuk kam pasur vullnet as ta komentoj e as të komunikoj. Për bindjen time ishte pika më e ulët e karrierës së tij politike.

Me një fjalë, dr. Berishën e njoh për një kohë të gjatë dhe në situata të ndryshme, por nuk mund të jam biograf i tij. E respektoj, por nuk jam avokat i tij. Më dhimbset shumë por nuk nuk e konsideroj tërësisht të papërgjegjësi për atë që po i ndodhë. Nuk e di epilogun e procesit të përndjekjes që po i bëhet Dr. Berishës, por ma merr mendja se ky proces do të regjistrohet si një turp shtetëror, me rrezik edhe si një turp kombëtar. Për këtë nuk kam asnjë dilemë. Për mua dilema mbetet vetëm se kush do të turpërohet më së shumti? Ma merr mendja se turpi i madh do të bjerë mbi Partinë Demokratike të Shqipërisë, e cila nuk diti ta mbrojë programin e vet dhe as vlerat e veta, në mesin e të cilave Dr. Berisha ka qenë dhe mbetet vlerë e madhe. (Partia do të duhej të dinte ta mbronte dr. Berishën edhe nga vetja e tij.) Partia që tradhtohet nga udhëheqja e vet, siç u tradhtua PDSH nga Lulzim Basha, nuk jam i sigurt se meriton të mbetet në skenën politike. 

E dyta, pavarësisht epilogut, SPAK do të turpërohet sepse ka ndjekur qëndrimet diplomatike e politike të një qeverie të huaj, për ta përndjekur Dr. Berishën dhe familjen e tij. Sado dashamirëse që është qeveria amerikane, me siguri qeveria më dashamirëse për ne shqiparët sot, prapë se prapë nga drejtësia shqiptare nuk do të duhej të ndiqeshin qëndrimet e saj. Ato janë qëndrime politike e diplomatike të një shteti të huaj, nuk janë prova juridike.

E treta, entuziazmi i Partisë Socialiste dhe qeverisë Rama, për ta përndjekur liderin historik të pluralizmit shqiptar, nuk i bën asnjë nder as partisë e as qeverisë. Përkundrazi, lë shijen e hidhur të hakmarrjes. Ndërsa ata që e njohin historinë e hakmarrjeve politike ndër shqiptarë, do të duhej të ishin të shqetësuar për rikthimin e atij pasioni, i cili në të kaluarën ka prodhuar shumë fatkeqësi e edhe tragjedi.

E katërta, diplomacia amerikane do të ngarkohet me një hije dyshimi ndaj qëllimeve të saj te një pjesë e shqiptarëve, për atë ndërhyrje brutale kundër Dr. Sali Berishës, një aleati të devotshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe po ta kishte plaçkitur tërë pasurinë e ish klubit Partizani, Dr. Berisha nuk do të duhej të shpallej non grata, sepse roli i tij për fitoren spektakulare të Luftës së Ftohtë nga SHBA në Ballkan ka qenë shumë i madh. SHBA e ka luksin ta ndjek ish presidentin e vet, Donald Tramp për tentim të ndryshimit të rezultatit zgjedhor, por ndjekja e liderit të opozitës në Shqipëri, ku të gjithë ekuilibrat janë të brishtë, mund të ketë pasoja destabilizuese në këtë shtet të vogël, i cili e ka një barrë të madhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Absolutisht nuk mund të jetë interes amerikan destabilizimi i Shqipërisë, prandaj, ka paqartësi në atë insistim për penalizimin e dr. Berishës.

Për ta mbyll disi pa pasoja më të mëdha këtë proces të turpshëm, presidenti i Shqipërisë (si simbol i unitetit të popullit) do të mund të shpallte abolicion për dr. Berishën dhe ta mbyllte këtë maskaradë. Ndërsa pas asaj dr. Berisha do të duhej të ishte korrekt e të largohej nga drejtimi politik i Rithemelimit dhe të kishte kohën e duhur që të shkruante kujtimet. 

Ndërsa mbajtja e tij në arrest shtëpiak, ose arrestimi i tij, vërtet mund të ketë pasoja. Në rastin e arrestit shtëpiak, shtëpinë e tij mund ta shndërrojnë në vend pelegrinazhi, me gjithë pasojat që mund të ketë për sigurinë. Ndërsa dërgimi eventual në burg i dr. Berishës, mund të provokojë trazira të dhunshme. Asnjëra nuk i duhen Shqipërisë e shqiptarëve. (23 dhjetor 2023)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat