Analistët serbë: Debaklin në Kosovë, Vuçiq po e mbulon me Dodikun në Bosnje

Lajme

Analistët serbë: Debaklin në Kosovë, Vuçiq po e mbulon me Dodikun në Bosnje

Më: 10 janar 2024 Në ora: 11:24
Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik

Mos shikoni drejt Kosovës, por Republikën Sërpska. Ky është mesazhi që ka përçuar Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, ditëve të fundit, sipas analistëve serbë, që kanë komentuar festën në Serbi për ditën jokushtetuese të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë dhe kërcënimet për pavarësi, nga lideri i saj Milorad Dodik. Siç kanë vlerësuar këta analistë, mesazhet e fundit janë largim i vëmendjes nga dështimi i politikës së Serbisë në Kosovë.

Festimi i ditës së Republikës Sërpska ndër vite është konsideruar si provokim i pastër, si për Bosnjën ashtu edhe për Perëndimin. Kombinuar me deklaratat për shkëputje si territor, veprimet e ditëve të fundit kanë nxitur edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që iu bashkuan Bosnjës në ushtrime ushtarake ditë më parë me avionë.

Sipas Aleksandar Popovit nga Qendra për Rajonin, lëvizjet e tilla politike janë për të zëvendësuar dështimin në Kosovë me ndikim në aktiv në Republikën Sërpska.

“Lëvizjet e viteve të fundit të Serbisë, sidomos ato të vitit 2023, kanë bërë që Ursula von der Leyen të thërrasë për njohjen de-facto të Kosovës. Vitin e shkuar, çështja e targave gati çoi në luftë dhe tani papritmas s’është më problem të hysh në Serbi pa letër ngjitëse. Një politikë e tillë mund të jetë për konsum të brendshëm, por lë shenja në rajon. Megjithatë, s’jam i befasuar nga Dodiku a Vuçiqi, por nga Perëndimi që po lejon që gjërat të shkojnë kaq larg”, ka thënë Popovi.

Popov ka kritikuar qasjen e politikës në Serbi edhe me qëndrimet për “botën serbe”. Ai ka thënë se lidershipi në Serbi tashmë s’po merr parasysh pasojat e mundshme nga lëvizje të caktuara. Sipas tij, përkrahja e Dodikut është përkrahje për disintegrimin e Bosnjës dhe një krize të re në Ballkan.

Politologu Ognjen Gogiq ka thënë se në Serbi uniteti për çështje të tilla “është ngritur” në vazhdimësi që kur SNS-ja e Vuçiqit është në pushtet.

“Kur progresistët erdhën në pushtet, raportet me Republikën Sërpska u forcuan”, ka thënë ai duke shtuar se kjo dëshmohet edhe gjatë festave. “Dikush mund të thotë se kjo është ide e ‘botës serbe’ ku është një unitet kulturor i tërë rajonit. Kjo ka qenë politikë konsistente që kur SNS-ja erdhi në pushtet. Uniteti ‘është fryrë’ dhe mesazhet nxitëse çohen gjithmonë nga këto festime, për të provokuar rajonin”, ka thënë Gogiq.

Sipas tij, “ka shumë mundësi që kjo çon mesazh se nëse presioni mbi Kosovën nuk ndalet, Serbia do të hapë çështjen e Republikës Sërpska si përgjigje”.

“Pra, nëse kushtëzimi i Serbisë vazhdon, Beogradi do ta njohë Republikën Sërpska. Prandaj, qëllimi është të dërgohet mesash se Serbisë s’duhet t’i kërkohet shumë, sepse mund të hapë çështje rajonale”, ka nënvizuar Gogiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat