Kush e vrau Oliver Ivanoviqin? 6 vite nga ekzekutimi dhe pse kudo del emri i Vuçiqit dhe Radoiçiqit

Lajme

Kush e vrau Oliver Ivanoviqin? 6 vite nga ekzekutimi dhe pse kudo del emri i Vuçiqit dhe Radoiçiqit

Më: 16 janar 2024 Në ora: 16:18
Aleksander Vuçiq dhe Oliver Ivanoviq

Sot bëhen 6 vite nga vrasja mafioze e liderit serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ai ishte dhe do të mbetet një fije lidhëse mes Beogradit dhe Mitrovicës. Në nder të tij, në Beograd sot do të protestojë opozita, ndërsa në Mitrovicë saktësisht në orën 08:15 janë ndezur qirinj në vendin ku u vra.

Ata që e njohën nuk e humbin shpresën se një ditë do të bëhen të ditur emrat e atyre që qëndrojnë pas vdekjes së Oliverit. Fatkeqësisht, sytë e tyre nuk janë te Beogradi, por te bashkësia ndërkombëtare. Para së gjithash, Amerika.

Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar 2018. Plot gjashtë vite më parë. Me pesë të shtëna në shpinë. Nga një makinë në lëvizje, e cila u gjet shumë shpejt e djegur. Nuk kishte dëshmitarë.

Në shkurt të vitit 2020, Prokuroria Speciale e Kosovës paditi për krimin një grup kriminal të udhëhequr nga "biznesmenët kontrovers", Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç.

Gjyqi, i nisur në korrik 2021, po zhvillohet kundër gjashtë personave të akuzuar si anëtarë të atij grupi, por jo kundër Veselinoviçit dhe Radoiçiçit, sepse ligjet e Kosovës nuk lejojnë që procedura të zhvillohet në mungesë. Një hetim paralel është duke u zhvilluar nga institucionet në Serbi, por as nuk ka përparuar fare.

Nga zyrtarët serbë vijnë vetëm dezinformata, si ai i përhapur së fundmi nga ministri Bratislav Gashiç - se Gjermania po fsheh vrasësit, gjë që shkaktoi një skandal diplomatik dhe u pasua nga një kërkim falje të shpejtë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Ndërkohë, Beogradi dhe Prishtina akuzojnë njëri-tjetrin për organizimin dhe kryerjen e vrasjes, por edhe për fshehjen e provave. Për shkak të gjithë kësaj, nuk ka epilog. Ose realisht nuk ka vullnet për të gjetur vrasësin.

Kushëriri i Oliver Ivanoviçit, Aleksandar, thotë se për gjashtë vite shteti i Serbisë nuk ka treguar gatishmëri për të zbuluar autorin.

“Gjatë këtyre gjashtë viteve, unë e kam pyetur veten nëse po bëj mjaftueshëm, nëse mund të bëj ndonjë gjë tjetër për të kontribuar për të zbuluar sa më shpejt se kush e vrau dhe kush e urdhëroi atë vrasje. Unë jam absolutisht i vetëdijshëm se ai u bë simbol për shkak të karakterit të tij, veprimeve dhe parimeve me të cilat ka jetuar, prandaj është e rëndësishme për ne që rasti i Oliver Ivanoviçit të mos harrohet në asnjë mënyrë”, tha dje Ivanoviç.

Dhe përsëri, duke kërkuar një shpjegim të vdekjes tragjike të Oliverit, ne shikojmë në drejtim të Perëndimit dhe komunitetit ndërkombëtar.

Lëkura e Aleksandër Vuçiçit është në rrezik

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç, ka thënë për gazetën “Nova” se përparim në hetim mund të bëhet vetëm nëse në çdo gjë përfshihet Amerika.

“Lëkura e Aleksandër Vuçiçit është në rrezik dhe për këtë arsye ende nuk i kemi të gjitha informacionet për vrasjen e Oliverit”, tha Trajkoviç.

Kur është fjala për hetimin e kryer nga Prishtina, Trajkoviç thotë se të gjitha proceset i kanë kryer në mënyrë të njëanshme dhe joprofesionale.

“Nëse institucionet e Prishtinës do të ishin të afta, nuk do ta kishin zhvendosur gjykatën e Kosovës në Hagë. Kjo është dëshmi se bashkësia ndërkombëtare i ka vlerësuar si të paaftë për raste të rënda”, thotë Trajkoviç.

Duke kërkuar përgjigje për vdekjen e Ivanoviçit, opozita protestoi dje në Beograd.

Njëri nga anëtarët e listës “Serbia kundër dhunës”, Miroslav Aleksiç, tha se është e qartë se Oliver Ivanoviç është një kërcënim për proceset në veri të Kosovës.

“Ajo vrasje është një nga simbolet më të mëdha të dhunës në Serbi, është një akt monstruoz që i parapriu një fushatë brutale në televizion si Pink. Ishte një vrasje politike”, tha Aleksiç. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat