​Vdekja e të burgosurit me iniciale H.M shqetësim për KMDLNJ

Lajme

​Vdekja e të burgosurit me iniciale H.M shqetësim për KMDLNJ

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 13:58
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me vdekjen e 54 vjeçarit me inicialet H.M nga Mamusha, duke vlerësuar se kishte mungesë të përkujdesjes shëndetësore.

KMDLNj thotë se është informuar se me datë 12.02.2024 në Emergjencën e Spitalit në Pejë, në ora 19.00, ishte konstatuar vdekja e të burgosurit H.M., 54 vjeçar i lindur në Mamushë.

“I burgosuri ishte sjellur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore nga NjSHB, stacionari i Q.K. në Dubravë ku trajtohej sipas udhëzimeve të specialistëve të fushës. Fillimisht, para se të transferohej në Stacionar në Dubravë ishte vendosur në Q.P. në Prishtinë ku nuk kishte kapacitete e as mundësi të trajtohej në përputhje me problemet e rënduara shëndetësore që i kishte”, thuhet në reagim.

Reagim i KMDLNj – së:

VDEKJA E TË BURGOSURIT H.M. SHQETËSIM PËR KMDLNJ

Nga burime të sigurta, KMDLNj- ë ishte informuar se me datë 12.02.2024 në Emergjencën e Spitalit në Pejë në ora 19.00 ishte konstatuar vdekja e të burgosurit H.M., 54 vjeçar i lindur në Mamushë. I burgosuri ishte sjellur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore nga NjSHB, stacionari i Q.K. në Dubravë ku trajtohej sipas udhëzimeve të specialistëve të fushës. Fillimisht, para se të transferohej në Stacionar në Dubravë ishte vendosur në Q.P. në Prishtinë ku nuk kishte kapacitete e as mundësi të trajtohej në përputhje me problemet e rënduara shëndetësore që i kishte. Në ndërkohë ishte lajmëruar edhe gjyqtari i rastit për pamundësinë e trajtimit shëndetësorë si dhe menaxhimit të rastit por se nuk kishte asnjë përgjigje, as sa i përket ndryshimit të masës së shqiptuar apo rekomandimit për trajtim shëndetësorë kashtë institucionit mbajtës.

KMDLNj- ë edhe më heret ka reaguar se NjSHB përkatësisht stacionari në Dibravë nuk ka as kapacitete materiale e as profesionale për të trajtuar rastet e rënda përkundër përpjekjeve maksimale që e bënë stafi shëndetësorë. KMDLNj- ë e rithekson domosdoshmërinë e formimit të një Spitali që do të pajisej profesionalisht dhe materialisht e që do të përkujdesej për shëndetin e personave të privuar nga liria siç e kanë vendet e rajonit. KMDLNj- ë e rikujton opinionin se në institucionet e mbajtjes në Kosovë një numër i konsiderueshëm i të burgosurve mbahen në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut shkaku se vuajnë nga sëmundje të pashërueshme apo kanë çrregullime të rënda të shëndetit mendor prandaj kërkojnë mbikëqyrje 24 orëshe apo të pjesshme. Në këto raste kemi të bëjmë me shkelje të rënda të njeriut dhe personave të privuar nga liria përkatësisht shkelje të Konventës për Parandalim të Torturës dhe Trajtim Degradues. Nëse një qytetar bjen në kundërshtim me ligjin nuk nënkupton se privohet nga të drejtat e personave të privuar nga liria. Për shkak të mungesës së kushteve materiale dhe profesionale për trajtim të plotë shëndetësorë të burgosurve iu mohohet e drejta kryesore njerëzore, e drejta për jetë sikur që ishte rasti mr H.M.dhe rastet e mëparshme. Që nga çasti i privimit nga liria, shteti e merr tërë përgjegjësinë për përkujdesjen dhe trajtimin e të burgosurve dhe me asgjë nuk mund të arsyetohet për humbjen e jetëve të personave të privuar nga liria për shkak të mungesës së trajtimit të duhur shëndetësor. Në këto raste hallka e fundit e zinxhirit të përgjegjësisë është Njësia Shëndetësore e Burgjeve që është në gërshërë midis ministrive përkatëse dhe gjykatave e që janë adresat kryesore të përgjegjësisë. KMDLNj- ë i shprehë ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit H. M. duke kërkuar hetime profesionale pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia e mundshme, disiplinore apo penale.

Që paradoksi të jetë edhe më i madh në ditën kur të burgosurit kosovarë vdesin, H.M. për shkak të mungesës së përkujdesjes shëndetësore, ministri i Drejtësisë së Danimarkës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare i bënë presion partive opozitare të Kosovës që ta votojnë Marrëveshjen kriminale raciste që i përshtatet shtetit racist danez dhe që e dëmton rëndë Kosovën. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kërkojnë formimin e një Komisioni Hetimor për vdekjet dhe vetvrasjet e të burgosurve në Kosovë sikur edhe të mos e votojnë marrëveshjen për burgje me Danimarkën. Në kohën kur të burgosurit kosovarë vdesin apo vetvriten për mungesë të trajtimit të duhur shëndetësorë, në Burgun e Gjilanit po bëhen renovime me të cilat përkujdesja shëndetësore për të burgosurit jodanezë që do të blihen nga Danimarka, do të jetë sipas standardeve të Danimarkës. Çfarë diskriminimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat