Gërvalla i reagon deputetit të PDK-së që e krahasoi RTK-në me RTS

Lajme

Gërvalla i reagon deputetit të PDK-së që e krahasoi RTK-në me RTS

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 19:47
Rilind Gërvalla

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla ka reaguar ndaj deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati, i cili gjatë një debati televiziv e ka krahasuar RTK-në me Radiotelevizionin e Serbisë.

Gërvalla ka thënë se lajmi i RTK-së se kryeministri Kurti është kërcënuar nga ekstremistë gjatë vizitës së tij në Shkup ka shkaktuar reagime të disa nga konkurrentët mediatik.

“Në atë kuptim, asgjë të re në front të mediave. Dhe meqë gjuha e debatit në studio shpesh replikon gjuhën e rrugës, e gufon si në kafe, ishte e pritshme që do të kishte… si t’i quajmë? Shkallëzime? Mirëpo, gjithçka ka një kufi. Për mua, ky kufi u kalua në studio të RTV Dukagjinit, kur deputeti Ardian Kastrati humbi mendjen dhe krahasoi RTK me RTS. Dhe kush?! Deputeti që i njeh mirë studiot e RTK-së”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Tutje Gërvalla ka shprehur çudinë që deputeti në fjalë nuk e di dallimin midis RTS-së dhe RTK-së.

“S’e mbajnë mend që RTS ishte vegël e gjenocidit të Serbisë, kur RTK ishte viktimë e saj?! Apo s’arrijnë dot më të bëjnë dallimin sot, midis asaj se ç’thotë RTS dhe asaj se ç’thotë RTK? A nuk dinë se kush i drejton këto dy institucione?! RTS është nën kontroll të regjimit të Vuçiçit, kurse ne te RTK-së nën kontroll të parlamentit demokratik të Republikës së Kosovës: a s’e dinë më zotërinjtë dallimin?! Apo e dinë, por e fshijnë: se janë radikalizuar e jetojnë në një botë të veten, si të gjithë ekstremistët?...”, ka shtuar Gërvalla.

Ai ka thënë se Radiotelevizioni i Kosovës është i vetmi transmetues publik në regjion që gëzon shikueshmëri dhe besueshmëri të lartë dhe “si i tillë, natyrisht që do të jetë gjithmonë në shënjestër: herë nga pushteti, herë nga opozita”.

“RTK lajmëroi për kërcënime kredibile ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës. Mbase konkurrentët tanë janë të pamësuar që RTK të ketë scoop, s’ka gjë. Kësaj radhe qemë ne, nesër do të jeni ju. Krejt këto janë normale, brenda suazave të një fair play mediatik të një demokracie të gjallë. Por mos gufoni çdo herë si kafja, aman. Mos dilni mendsh nëpër studio. Gjithçka ka një kufi: mos të krahasojmë njëri-tjetrin me Serbinë. (Këtë jam i bindur që do ta thoshte edhe baca Sylë Kastrati ndjesë pastë)”, ka nënvizuar Gërvalla, duke ia përmendur deputetit edhe njohjen me babanë e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat