​Si ndikojnë dezinformatat, sipas historianit nga SHBA?

Lajme

​Si ndikojnë dezinformatat, sipas historianit nga SHBA?

Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 11:38
Historiani nga SHBA, Jason Steinhauer

Lajmet e rreme duhet të na shqetësojnë të gjithëve dhe e vetmja mënyrë është që t’i luftojmë në mënyrë aktive. Kështu ka thënë për KosovaPress, historiani nga SHBA, Jason Steinhauer, i cili ka theksuar se pjesa më e madhe e dezinformatave synojnë të nxisin armiqësi dhe tensione midis grupeve me qëllim që të nxisin dhunën në botën reale.

Historiani nga SHBA, Jason Steinhauer thotë se dezinformimi në rrjete sociale shkakton dëme dhe mund të jetë shumë i rrezikshëm.

Steinhauer: Informacioni i shtrembëruar ka pasoja negative

“Mund të jetë shumë e rrezikshme. Ne kemi shumë shembuj ku informacioni është shtrembëruar ose që është thjesht i rremë, që shkakton dëme në botën reale. Qoftë gjuhën e ashpër të urrejtjes, qoftë antisemitizëm, sulme kundër grave apo komuniteteve të tjera të margjinalizuara. Pra, është tepër i dëmshëm dhe mund të shkaktojë dëme në botën reale, dëmtime fizike ndaj njerëzve dhe dhunë. Ka shumë, për fat të keq, pasoja negative.... Ka artikuj lajmesh të rreme, artikuj që raportohet se janë nga gazetarë profesionistë, por në fakt nuk janë nga gazetarë profesionistë, ka disa mënyra të ndryshme që dezinformimi qarkullon në zhanre të ndryshme,” thotë Steinhauer.

Për parandalimin e dezinformimit ai ka thënë se duhet të ketë rregullore dhe arsim mediatik. Sipas tij, duhet mendim kritik dhe mënyra tjera për të kërkuar informacionin, çoftë në gazeta profesionale, biblioteka apo arkiva.

Steinhauer: Ne duhet të kemi një qasje të shumanshme

“Ne duhet të kemi një qasje të shumanshme. Ne duhet të kemi rregullore, duhet të kemi arsim, duhet të kemi arsimim mediatik, duhet të mësojmë të menduarit kritik dhe duhet të sigurohemi që të kemi vende të tjera, ku njerëzit mund të mësojnë, qoftë në një klasë, një mjedis universitar dhe ne duhet të sigurohemi që po investojmë në ato mjedise, në mënyrë që njerëzit të mos mbështeten vetëm në mediat sociale, por edhe të gjejnë mënyra të tjera për të kërkuar informacion, qoftë në gazeta profesionale, biblioteka, universitete, arkiva ose në komunitetet e tyre,” shton ai.

Gjithashtu, ai shprehet se këto lloj tregimesh mund të çojnë në dhunë në botën reale dhe për këtë arsye ky është problem që të gjithë duhen të shqetësohen dhe të luftojnë në mënyrë aktive kundër këtyre dukurive.

Steinhauer: Të gjithë duhet të shqetësohemi nga dezinformatat dhe t’i luftojmë ato

“Këto lloj tregimesh në fakt mund të çojnë në dhunë në botën reale që lëndon dhe dëmton njerëzit. Mendoj se qëllimi ynë duhet të jetë ta parandalojmë këtë. Ne duam të gjejmë mënyra se si mund të jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin. Dhe pjesa më e madhe e dezinformatave që shohim synojnë qëllimisht të nxisin armiqësi dhe tensione midis grupeve me qëllim që të nxisin dhunën në botën reale. Dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohemi dhe të luftojmë në mënyrë aktive kundër saj,” shprehet ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat