Radoiçiq pronar i një kompleksi në lagjen elitare Dedinje në Beograd, e ka fqinje Brnabiqin

Lajme

Radoiçiq pronar i një kompleksi në lagjen elitare Dedinje në Beograd, e ka fqinje Brnabiqin

Më: 14 mars 2024 Në ora: 18:52
Milan Radoiçiq

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe partneri afarist i Zvonko Veselinoviqit, u detyrua të linte vilën e tij buzë liqenit të Ujmanit për shkak të fletarrestimeve të lëshuara ndaj tij, kështu që ai regjistroi vendbanimin e tij në një ndërtesë luksoze pranë stadiumit të klubit futbollistik Crvena zvezda në Beograd.

Mirëpo, portali serb “Nova” zbulon se Radoiçiq, së bashku me bashkëshorten e tij Ema, është pronar i një kompleksi në Dedinje (lagje elitare e Beogradit), në të cilin ndodhen dy objekte, si dhe një pemishte.

Opinioni i gjerë nuk e dinte se në çfarë lloj luksi ka jetuar Milan Radoiçiq vite më parë deri në konfliktin sulmin e armatosur në Banjskë, ku humbën jetën katër persona (një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist të prirë nga Radoiçiqi). Radoiçiq mori përgjegjësinë për atë ngjarje, pas së cilës policia e Kosovës publikoi pamjet e vilës së tij madhështore në liqenin e Ujmanit.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, “punëtori futbollistik” nga Kosova, biznesmeni… tash shëtit lirshëm nëpër Beograd dhe Kopaonik, pavarësisht përgjegjësisë për rastin “Banjska”, por edhe dyshimit për përfshirje në të tjera krime të rënda.

Radoiçiq së fundmi ka regjistruar vendbanimin e tij në rrugën “Rajko Mitiq” (Beograd), në një ndërtesë luksoze me disa apartamente, por nuk është pronar i asnjërës prej tyre.

Mirëpo, siç shihet në kadastrën e patundshmërive, ai zotëron një kompleks në Dedinje, në rrugën “Princ Aleksandar Karagjorgjeviq”, në të cilin ka një sërë vilash luksoze. Në njërën prej tyre (në pronësi të shtetit) jeton edhe kryeministrja Ana Brnabiq.

Gjykuar nga të dhënat prej kadastrës, në “pasurinë” e Radoiçiqit janë dy objekte. Siç shkruhet, njëra ka një sipërfaqe prej 180 metrash katrorë, ndërsa tjetra 95 metra katrorë.

Në atë zonë gjithashtu ka edhe një pemishte të klasës të parë, sipërfaqja e së cilës është më shumë se 3,000 metra katrorë.

Ky kompleks zyrtarisht menaxhohet si “pronë e përbashkët e bashkëshortëve” Milan dhe Ema Radoiçiq, të cilët përndryshe janë të regjistruar në adresa të ndryshme në Beograd – Milan në rrugën “Rajko Mitiq”, dhe bashkëshortja e tij në rrugën “Gandi” në Beogradin e Ri.

Ema Radoiçiq zyrtarisht është pronare e restorantit “Grej” në Mitrovicë, i cili dihej se i takonte bashkëshortit të saj.

Ndryshe, ndaj Radoiçiqit është lëshuar një fletarrestim nga INTERPOL-i për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë në veri të Kosovë në shtator të vitit 2023, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre serbë nga grupi i Radoiçiqit.

Në Beograd, ai mori publikisht përgjegjësinë për atë ngjarje dhe kaloi një ditë në paraburgim me akuzën për armëmbajtje pa leje.

Vendndodhja e Radoiçiqit që atëherë nuk dihet, ndërsa së fundmi në rrjetet sociale është shfaqur një video me fishekzjarrë me rastin e ditëlindjes së tij, e cila është organizuar në Kopaonik.

Mediat së fundmi kanë publikuar një video ku dyshohet se Radoiçiq e godet brutalisht me grusht ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq dhe e rrëzon në dysheme. Sipas burimeve, incidenti ka ndodhur “para disa kohësh” në hotelin “Grey” në Kopaonik, në pronësi të Radoiçiqit.

Ndryshe, Radoiçiq ishte në listën e të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Së bashku me Zvonko Veselinoviqin, Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së, pra nën sanksione, sepse është i lidhur me krimin e organizuar.

Departamenti Amerikan njoftoi se grupi i Veselinoviqit, i cili përfshin vëllain e tij Zharkon, Milan Radoiçiqin dhe disa persona të tjerë, është i përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti me zyrtarë të sigurisë së Kosovës dhe Serbisë, të cilët i mundësojnë grupit të tregtojë ilegalisht mallra, para, narkotikë dhe armë mes Kosovës dhe Serbisë. Ata përkujtuan gjithashtu se disa anëtarë të këtij grupi dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Sanksione ndaj Veselinoviqit dhe Radoiçiqit vendosi edhe Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat