​Debutimi në arenën ndërkombëtare për para atletët tanë, presidenti i IPC: Nder për neve ta shohim flamurin e Kosovës atje

Lajme

​Debutimi në arenën ndërkombëtare për para atletët tanë, presidenti i IPC: Nder për neve ta shohim flamurin e Kosovës atje

Më: 19 mars 2024 Në ora: 14:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC), Andrew Parsons ka mbajtur sot një konferencë për media së bashku me presidenten e Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), Njomza Emini.

Gjatë kësaj konference u diskutua për vizitën e presidentit Parsons në Kosovë, si dhe për debutimin e para atletëve tanë në arenën ndërkombëtare, respektivisht në Lojërat Paralimpike Paris 2024, raporton KosovaPress.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), Njomza Emini tha se vizita e presidentit Parsons në Kosovë është një sinjal i qartë i mbështetjes si dhe mesazh për këdo në botë që ne jemi të barabartë dhe meritojmë trajtim të tillë.

Emini: Vizita e Parsons është sinjal i qartë i mbështetjes ndërkombëtare që ka komiteti jonë

"Muaj më parë veçse njoftuam anëtarësimin tonë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe në atë Evropian, dhe sot kam kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë që të kemi të pranishëm presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Parsons. Vetë vizita e tij në Kosovë pak muaj pas anëtarësimit në këtë komitet është dëshmi shtesë e mbështetjes që komiteti ynë po pranon ndërkombëtarisht gjithëherë me të vetmin synimin promovimin e gjithëpërfshirjes dhe paralimpizmit në vendin tonë. Vizita e Parsons në Kosovë është sinjal i qartë i mbështetjes, reflektim për punën dhe përkushtimin e komitetit tonë, por edhe mesazh për këdo në botë që ne jemi të barabartë dhe meritojmë trajtim të tillë", tha Emini.

Ndërkaq, presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC), Andrew Parsons u shpreh krenarë me atë që e ka parë në Kosovë, ndërsa tha se sporti është një fushë e shoqërisë ku u jepet mundësia para atletëve të shkëlqejnë.

Parsons: Nëse ju jepet mundësia të trajtohen si qytetar të klasit të parë ata mund të shkëlqejnë

"Jam këtu që të ofroj mbështetjen time në mënyrë institucionale, por gjithashtu edhe që të kuptojmë saktësisht se çfarë mund të bëjmë një punë më të mirë që të ndërtojmë kapacitete. Komiteti ndërkombëtar është një organizatë mjaft e fuqishme edhe nga pikëpamja teknike por edhe se si mund të mbështesim edhe ngritjen e sporteve të ndryshme këtu. Shumë produktive, jam mjaft krenarë çfarë kam parë këtu. Një gjë që është e rëndësishme të përmendet përderisa ndodhemi në këtë konferencë për media, është mjaft e rëndësishme që atletët të fitojnë medalje të arta, të bronzta dhe të argjendta, por vizioni i Komitetit Paralampik është që të përdoret parasporti që të bëjë një botë më gjithëpërfshirëse. Lojërat Olimpike dhe Lëvizja është një platformë, një platformë që të bëhet ndryshimi i i mendjes së njerëzve, realiteti i botës kur vjen pjesa te diversiteti dhe te gjithëpërfshirja e personave me aftësi të kufizuara... Sporti është një mënyrë që të ju tregojmë botës që një mundësi e dhënë mund të bëjnë se çfarëdo që dëshirojnë, varet në punën e tyre, në talentin apo nëse bëni sport, apo çfarëdo lloj fushe tjetër të shoqërisë mund të shkëlqejnë nëse ju jepet mundësia të trajtohen si qytetarë të klasit të parë, jo të klasit të dytë, apo si çdo qytetarë tjetër", tha Parsons.

Kosova do të merr pjesë për herë të parë në Lojërat Paralimpike, ku do të paraqitet këtë vit me dy para atletë në Paris 2024. Presidenti i IPS-së, Parsons u shpreh tejet i lumtur që do ta sheh flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse më 28 gusht të këtij vitit në Champs-Elysees dhe Place de la Concorde.

Parsons: Do të jetë nder për neve që ta shohim flamurin tuaj atje

“Jam mjaft i lumtur që edhe Kosova do të jetë me neve për herën e parë atje, dhe për herën e parë ne do të shohim flamurin tuaj në ceremoninë hapëse më 28 gusht në Champs-Elysees, vendi më i famshëm në botë, dhe gjithashtu do të përqafojmë e do të jetë nder për neve që ta shohim flamurin tuaj atje", tha Parsons.

Presidenti i IPC-së, Andrew Parsons po qëndron që nga 17 marsi në Kosovë, ku deri sot ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa së bashku me presidenten e KPK-së, Njomza Eminin bënë hapjen e garave të boçës, goalballit dhe xhudos, në një atmosferë të mrekullueshme, në palestrën e Pallatit të Rinisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat