Millosheviq përgjegjësi kryesor për bombardimet e NATO-s

Lajme

Millosheviq përgjegjësi kryesor për bombardimet e NATO-s

Më: 25 mars 2024 Në ora: 22:09
Sllobodan Millosheviq

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë ka treguar se si janë përjetuar bombardimet e NATO-s në Beograd.

Sipas saj, një pjesë e madhe e shoqërisë serbe nuk besuan se NATO-ja do të ndërhynte ushtarakisht. Në anën tjetër politikani, Çedomir Stojkoviq, thotë se në atë kohë më e frikshme ishte propaganda e partisë në pushtet sesa sulmet e NATO-s.

Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, nuk i mori seriozisht paralajmërimet e Aleancës Veri-Atlantike për intervenim ushtarak.

Sikurse Millosheviq edhe shumë qytetarë serbë ishin skeptikë se NATO-ja do të fillonte me sulme ajrore kundër caqeve ushtarake serbe.

Kështu tregon kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo i ka ende të freskëta kujtimet kur filluan sulmet e para të NATO-s në Beograd.

“Slobodan Millosheviq si dhe qytetarët serb nuk i morën seriozisht paralajmërimet e Aleancës Veri-Atlantike, se do të fillonin me sulme ajrore. E mbaj mend shumë mirë, ishte ditë e mërkurë dhe isha në një takim ku po diskutonim se a do të ndërhynte NATO-ja a po jo, pjesa e dërrmuese menduan se nuk do të ketë bombardime por kur dolëm jashtë pas takimit u trishtuam kur dëgjuam zhurmën e bombardimeve. Megjithatë cak bombardimeve të NATO-s ishin objektivat ushtarake serbe dhe jo civilët. Shumë qytetarë menduan se bombardimet do të zgjasnin për 1 javë dhe askush nuk e priste se do kalonin plot 78 ditë. Millosheviq po shpresonte se në një moment do të ndërhynte Rusia dhe do ta mbështeste Serbinë, por kjo nuk ndodhi”, thotë ajo.

Biserko, vlerëson se Slobodan Millosheviq, është përgjegjësi kryesor për bombardimet e NATO-s.

“Është e rëndësishme të tregohet se para fillimit të bombardimeve komuniteti ndërkombëtar me vite kërkoi që të arrihej një marrëveshje diplomatike mes palëve. Por pala serbe as nuk dëshironte të dëgjonte për ndonjë marrëveshje nëse nuk e përfshihej Kosova si pjesë e Serbisë. Pra, Slobodan Millosheviq është përgjegjësi kryesor që Serbia u bombardua nga NATO”, thotë ajo.

Në anën tjetër politikani, Çedomir Stojkoviq, thotë se në atë kohë më e frikshme ishte propaganda e partisë në pushtet sesa sulmet e NATO-s.

Sipas tij shumëçka u ekzagjerua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Në kohën e sulmeve të NATO-s unë isha 17 vjeçar dhe isha në shkollën e mesme. Gjatë asaj periudhe kam jetuar në Valjevo në fshatin tim që është diku 100 kilometra larg Beogradit. Të jem i sinqertë me ju, ne aty për 1 muaj e gjysme nuk kemi përjetuar asgjë dhe madje bënim shaka me njëri tjetrin se pse askush nuk po e bombardon fshatin tonë, ndoshta që ka shumë gropa e them me shaka. Më e frikshme ishte propaganda e atij regjimi që e paraqisnin krejtësisht një realitet tjetër. Pati shumë gënjeshtra, thoshin se NATO po synon ta shkatërrojë Serbinë. Ka vazhdimësi të asaj propagande edhe sot sepse disa politikanë që kanë shërbyer për Millosheviqin janë akoma në pushtet, siç është rasti i Vuçiqit”, thotë ai.

Bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe përfunduan pas 78 ditës me marrëveshjen e Kumanovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat