​Në ditën e Fitër Bajramit bëhet thirrje për kujdes ndaj fëmijëve dhe kundër ligjit të ri për familjen

Lajme

​Në ditën e Fitër Bajramit bëhet thirrje për kujdes ndaj fëmijëve dhe kundër ligjit të ri për familjen

Më: 10 prill 2024 Në ora: 08:02
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas muajit të shenjët të Ramazanit, mijëra besimtarë myslimanë sot në mëngjesi iu drejtohen xhamive në Kosovë për faljen e namazit të Fitër Bajramit. Manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe, në Prishtinë, nga ku u kërkua që të ketë kujdes më të madh për fëmijët dhe familjen ngase simptomat e dobësimit të trungut familjar tashmë i kemi para vetës.

Manifestimi filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga profesori i Medresesë, Shkelzen Hoxha. Namazi i Fitër Bajramit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti. Kurse, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste, duke thënë i gëzohen kësaj dite duke u lutur për shëndet e mirëqenie, solidaritet e

Tërnava: Familja është element kyç dhe bërthama e formimit të një shoqërie

“Të lutemi për shëndet e mirëqenie, solidaritet e madhëri, humanitet e siguri, duke u lutur që Zoti të mos na ndaj asnjëherë nga mëshira e tij. Botërisht është i njohur qëndrimi human i islamit rreth ruajtjes dhe shumimit të vullnetit njerëzor...familja është element kyç dhe bërthama e formimit të një shoqërie, është baza e forcës dhe e kohezionit të një shoqërie. Mirëqenia e saj nënkupton mirëqenien e gjithë shoqërisë. Feja jonë islame i ka kushtuar vëmendje të madhe familjes, themeleve të formimit të saj në vazhdimësi në mënyrë që ajo të mbetet e lartë, në harmoni mbizotëruese, duke i mbushur me dashuri prindërore e familjare. Familja konsiderohet si një shtyllë themelore e strukturës shoqërore për shkak të lidhjeve të saja shpirtërore, fetare, psikologjike, materiale e të tjera“, tha ai.

Tërnava theksoi se është urdhër hyjnor i të madhit Zot që familja duhet të jetë e kompletuar dhe ta dijë se kë e ka hallë e nënë, gjysh e gjyqe, vëlla e motër.

Tërnava: Përpjekjet për ligje rreth familjes bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale

“Siç po shihet familja në fe e traditën tonë është mirësia bazë shoqërore mbi të cilën bazohet edhe struktura e shoqërisë, është elementi i parë me të cilën ndërtohet edhe kombi ynë dhe ka lindur atdhedashuria. Me të drejt feja islame e konsideron bazë për stabilitetin dhe mirëqenien e shoqërinë. Kushdo prej nesh që sjellë diskutimet por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh që këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që posedon shoqëria jonë. Përpjekjet në këtë drejtim janë për shkak të zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull, ngase synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja dhe lidhjes emocionale me familjen, të afërmit, traditën, zakonet dhe fisin“, tha ai.

Ai i pati edhe një thirre për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Tërnava: U bëj thirrje të gjithëve që të kenë kujdes shumë të madh për të ardhmen e fëmijëve dhe familjes tonë

Edhe në këtë ditë feste e para një gjemati të mrekullueshëm e nga ky vend i bekuar bëj thirrje për të gjithë që të kemi kujdes shumë të madh për të ardhmen e fëmijëve tanë, të familjes tonë. Simptomat e dobësimit të trungut familjar tashmë i kemi para vetës. Nëse paraluftës rrallë herë keni dëgjuar për vetëvrasjet, pasluftës pothuajse vetëvrasja pothuajse është bërë një dukuri shqetësuese... nga viti 2002 deri më 2023, fatkeqësisht kemi 1230 vetëvrasje në Kosovë, 151 vëllavrasje, 2933 raste humbje jetë në komunikacion. Vërtet shifra rrëqethëse , andaj kërkohet nga ne si shoqëri të mobilizohemi duke përfshirë të gjitha mekanizmat në parandalimin e këtyre dukurive ngase nëse qëndrojmë pasiv vetëvrasjet pro edhe vrasjet do të jenë fatale për ardhmërinë tonë“, tha ai, duke shtuar sipas normës islame është rreptësishtë e ndaluar.

Bajrami nuk ka një datë të përcaktuar, ai varet nga shfaqja e hënës së re. Kremtimet e Fiter Bajramit shënojnë dhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Familjarë e miq mblidhen bashke për lutje e në disa kultura, tradita e kërkon të mbahen veshje të reja dhe të piqen ëmbëlsira, ndërsa femrat zbukurojnë duart me kena.

Shumë besimtarë e përdorin këtë festë edhe si kohë për të dhuruar, sepse i gjithë muaji i Ramazanit përbën në vetvete një kohë reflektimi.

Agjërimi, tipari kryesor i tij, është një prej 5 shtyllave të Islamit dhe një moment tejet shpirtëror për myslimanët anembanë botës që të fokusohen tek vetëpastrimi, qetësia, durimi dhe përkushtimi ndaj fesë.

Përndryshe, debati se kush dhe si duhet të lejohet të mbetet shtatzënë ka vënë në dyluftim dy taborë: ata që mendojnë se një grua duhet të lejohet të bëjë çfarë të dojë me trupin e saj dhe ata që thonë se vetëm gruaja që ka partner, duhet të lejohet t’i përdorë metodat e fertilizimit të asistuar, të njohur si IVF. I gjithë ky debat ka nisur nga projektligji për shëndetin riprodhues, i cili është diskutuar disa herë në Kuvendin e Kosovës që nga marsi i vitit të kaluar. Në këtë projektligj parashihet që gratë të kenë qasje në IVF pa marrë parasysh statusin e tyre: qofshin beqare, qofshin në një çift homoseksual apo heteroseksual.

Fertilizimi i asistuar, i njohur si IVF, është një procedurë mjekësore përmes së cilës një grua mund të mbetet shtatzënë, nëse një gjë e tillë nuk arrihet në mënyrë natyrale. Ndërsa, bankat e qelizave riprodhuese janë vendet ku ruhen qelizat riprodhuese - qelizat vezë dhe spermatozoidet - dhe embrionet, për t’u përdorur për feritilizim të asistuar.

Kosova e ka të rregulluar çështjen e IVF-së që nga viti 2013, përmes një udhëzimi administrativ, i cili parasheh që edhe individët, edhe çiftet të kenë të drejtë në qasje për IVF, por nuk parasheh bankë të qelizave riprodhuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat