Daçiq: Seanca e Këshillit të sigurimit të OKB, rast që Vuçiqi të...

Lajme

Daçiq: Seanca e Këshillit të sigurimit të OKB, rast që Vuçiqi të...

Më: 22 prill 2024 Në ora: 10:45
Ivica Daçiq

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se seanca e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, e cila i kushtohet raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut, është edhe një mundësi për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, “që të theksojë të gjitha parimet themelore për të cilat angazhohet Serbia” si dhe për të treguar “të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë”, transmetojnë mediat serbe.

Daçiq ka thënë se seanca është një mundësi për Vuçiqin që të tregojë se raporti, i cili, sipas fjalëve të tij, “përgatitet gjithmonë si shabllon, është i pamjaftueshëm dhe nuk i përshkruan siç duhet të gjitha vështirësitë me të cilat po përballet populli serb”.

“Është gjithashtu një mundësi për të vënë në dukje se në të nuk përshkruhen të gjitha problemet” dhe se “nuk është e qartë se nga burojnë të gjitha këto probleme”, ka thënë Daçiq.

Për të theksuar servilizmin e tij ndaj liderit suprem serb, Daçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në seancë, duke thënë se arsyeja është se “nuk ka dalë mirë në “duelet” e mëparshme me Vuçiqin”.

“Është interesant se në takim nuk do të jetë Kurti por Osmani. Ai ka ikur nga ky takim dhe nga dueli me Vuçiqin. Kryesisht ai ka shkuar në këto takime, por shihet se nuk ka dalë shumë mirë në të gjitha këto duele”, ka pretenduar Daçiqi.

Ai gjithashtu ka pretenduar se seanca e Këshillit të Sigurimit që do të mbahet sot në Nju Jork është e rregullt, por se vendet perëndimore po mundohen dhe po ia dalin që ta zvogëlojnë numrin e këtyre seancave.

“Më parë ka pasur katër herë mbajtje të seancave, domethënë çdo tre muaj, pastaj është reduktuar në tre, dhe tani në dy. Edhe atë me mund të madh kemi arritur të mbahen dy seanca. Dhe tani kemi një situatë jologjike, e kjo është  se për Bosnjën dhe Hercegovinën diskutohet dy herë në vit e atyre pengon që për Kosovën të diskutohet dy herë në vit”, ankohet Daçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat