Kroatët japin vendimin: Ismail Morina të ekstradohet në Serbi! Ja çfarë thonë familjarët

Lajme

Kroatët japin vendimin: Ismail Morina të ekstradohet në Serbi! Ja çfarë thonë familjarët

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 08:36
Ismail Morina

Atëherë u drithëruan të gjithë, kur dy figura madhore të kombit shqiptar valëviteshin në qiellin e Beogradit. U thanë shumë pista në lidhje me gjithçka një djalë kuksian, mjeshtër dronësh, kishte bërë atë natë në një godinë të Beogradit teksa niste në drejtim të stadiumit brenda së cilës gjendej skuadra jonë kombëtare në një ndeshje të rëndësishme. E ndërsa atë natë pamjet spektakolare të rënies në fushë të banderolës me imazhin e Isa Boletinit dhe të Ismail Qemalit bënë xhiron e botës, u duk se mes dy shteteve nisi edhe një ngërç i vogël. Kombëtarja e futbollit mori pikë e la pikë, djali i dronit u arrestua në Tiranë dhe bëri burg për mbajtjen e një arme, ndërsa sapo doli nga qelia, ai si duket vendos të mos zërë vend. Harron se është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga serbët, ndërsa mbërrin në Kroaci dhe atje edhe arrestohet. Kur kanë kaluar gati dy vite nga historia e atij droni që bëri në fakt histori, që ende fsheh mistere të mëdha, djali nga Kukësi gjendet tashmë në fatin e dorëzimit të tij në duart e autoriteteve serbe. Dje është publikuar vendimi, ndërsa askush nuk di të thotë se si është e mundur që nuk u mor asnjë masë në lidhje me atë ngjarje të dyshimtë jo vetëm për faktin se kush e mbështeti por edhe kush e futi në Beograd Ismail Morinën kur luhej ndeshja me Serbinë!

Vendimi

Ismail “Ballist” Morina, i njohur për ngritjen e dronit në Beograd në tetorin e vitit 2015, vazhdon të jetë pas hekurave në Kroaci, aty ku qëndron i ndaluar prej afro një muaji. Nga informacionet e fundit që janë bërë publike ditën e djeshme nga “Opinion.al” djali nga Kukësi, Ismail Morina ka dalë ditën e martë para  gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi sikundër dihet prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ndalimi dhe ekstradimi nga shteti serb lidhur me ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me një baner të mbishkruajtur ‘Autochtonus’ solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes. Të kontaktuar familjarë të Ballist Morinës janë shprehur se po bëjnë të pamundurën që i afërmi i tyre të mos ekstradohet dhe për këtë qëllim vendimin e Shkallës së Parë do ta apelojnë më tej, edhe pse apelimi ka afat vetëm për tri ditë. Kështu ditën e djeshme ndoshta bashkëshortja e Ismailit do të ketë kryer apelimin me qëllim moslejimin e ekstradimit të burrit të saj drejt Serbisë.

Arrestimi

Tifozi i njohur i kombëtares shqiptare, Ballist Morina, u arrestua në Kroaci me 12 qershor të këtij viti, pasi po kalonte kufirin kroato-malazez i pa pajisur me dokumente. Ai ishte duke e kaluar në këmbë në mënyrë ilegale ndërsa të dhënat e atëhershme treguan se Morina kishte udhëtuar nga Italia për në Shqipëri më datë 5 qershor pasi babai i tij kishte ndërruar jetë. Këtë udhëtim ai e ka bërë pa dokumente, të cilat janë të sekuestruara nga policia italiane që pas arrestimit në Xhenoa. Disa ditë më pas Ballisti u nis për t’u kthyer në Itali dhe kur ka tentuar të kalojë kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, është ndaluar nga policia kroate. Familjarët e tij kërkuan ndihmë nga autoritetet shqiptare pasi e dinin se për të qëndronte ende në fuqi një urdhër-arresti nga autoritetet serbe dhe në rast të një ekstradimi në Serbi, jeta e tij do të ishte në rrezik, ç`ka në fakt po lejohet.

 Familja

Sipas të dhënave që vijnë nga familja e të arrestuarit mësohet se pranë Ballist Morinës në këto momente ndodhet bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate, e cila edhe pse shtatzënë nuk e ka braktisur të shoqin në këto momente të vështira për të. Xhevahir Morina, i vëllai i Ballist Morina është shprehur se nëna e tyre ka qenë këto ditë në Tiranë, ku ka pasur takime me zyrtarë të lartë, duke specifikuar përfaqësues pranë Ilir Metës dhe Ministrin e Brendshëm teknik Dritan Demiraj, por ende nuk kanë marrë një sinjal të qartë ndihme për të afërmin e tyre që rrezikon që nga heroi i Beogradit tani të jetë i burgosuri i Beogradit, nëse shteti kroat vendos ekstradimin e tij në Serbi. Po kështu Xhevahiri është shprehur se nëse Ismaili Morina ekstradohet ai do të ndërmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit. Koha për të dërguar në Apelim vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë është e pakët për Ismail Morinën. Ai duhet ta bëjë Apelimin brenda tri ditësh që nga momenti i dhënies së vendimit ndërsa ende nuk ka asnjë reagim zyrtar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat