Tabloja e rrëfimeve që paraqet në librat e tij shkrimtari Loredan Bubani

Libra

Tabloja e rrëfimeve që paraqet në librat e tij shkrimtari Loredan Bubani

Nga: Xhahid Bushati         Më: 4 janar 2019 Në ora: 13:23
Ilustrim

 1.Loredan Bubani krahas letrares (artistikes), prioritet ka botën e madhe të Gjuhës Shqipe.  Në librat e tij këto dukuri rrinë harmonishëm, ku shkëlqejnë: leksiku i pasur - përceptues nga fëmijët e ngjyresat e shumta poetike. Ky lloj profili në fushën e letrave shqipe për fëmijë, aktualisht, gjëndet jo shpesh.

Loredani, si çdo krijues, i ka vënë vetes disa piketa në krijimet e tij letrare kryesisht në gjininë e përrallës (në vargje e në prozë). Piketat mund t’i ngjajnë njëra-tjetrës, mund të jenë të ndryshme, por në procesin letrar i përbashkon Aventura. Kjo AND gjendet në hapësirat subjektore të çdo libri të autorit.

Aventura, siç e përmenda, shfaqet në subjektin e krijimit, hyn në karakteret dhe veprimet e personazheve, në indet e strukturave të përrallave, gjini, që mendoj se, autori e ka për zemër dhe e lëvron dinjitetshëm e plot sukses.

Aventura është çelësi që marrin jetë përrallat e shkruara plot frymëzim nga Loredani. Aventura e bën interesante rrjedhën dhe vijën lineare të subjektit, ngjarje pas ngjarjes. Mendoj se, këtu duhet ta kërkojmë dialogun aventurë – lexues, e rezultanten artistike ofruar kësaj moshe parashkollore, e cila është pothuajse e njëjtë nga njëri libër tek tjetri i autorit Bubani. Kjo moshë e përpin magjinë e këtij modeli krijues, sepse autori është një rrëfimtar i besueshëm, pasionant dhe njohës i kërkesave, natyrës dhe botës së kësaj moshe.

2.

Letërsia për parashkollarët mbetet, ende, e pastudiuar nga kritika letrare. Është sporadike, dhe ka mbetur në kufijtë e recenzës. Sigurisht, kjo letërsi për të pasur arritje të mëtejshme, përballet me mjaft probleme, si: sa është bindëse për moshën që i drejtohet?, si paraqitet në rrëfim e në artikulimin e frazës?, sa me vend përdoret figuracioni dhe sa është kuptimshmëria e tij?, po fjalori?, po teksti dhe nënteksti?, sa i drejtpërdrejtë dhe i fshehur është ai?, po raporti tekst-ilustrim?, si e përcepton piktori kureshtjen dhe fantazinë në ilustrimin e tij?, si dhe në ç’masë komunikojnë ilustrimi-teksti-lexuesi i vogël?, po këndvështrimet dhe vizionet e autorit?, etj. Në këtë gamë problemesh, Loredani me krijimet me krijimet e tij të ofruara, bën që kjo letërsi të të jetojë. Zakonisht e bëjnë të pasionuarit e të talentuarit. Po përmend kontributet e shkrimtarëve Adelina R. Mamaqit, Tasim Gjokutajt e Rifat Kukaj, ku pjesa dërmuese e krijimtarisë së tyre iu përkushtua moshës parashkollore.

Shkrimtarja Adelina R. Mamaqi vazhdon të kontribuojë me poezinë e saj pa rënë në sy të kritikës letrare. Libri “Eni me syçkat si liqeni” i botuar kohë më parë, i vë vulën maksimalisht arritjes së saj në gjininë e poezisë, në veçanti për parashkollarët, e njëkohësisht duke i dhënë dimension të ri vlerash panteonit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Ndërsa poeti Tasim Gjokutaj nuk jeton më, por krijimtaria e tij u ngjan gurëve të çmuar. Shpesh e lexoj dhe e rilexoj, dhe ndiej këtë rrezatim e çmueshmëri, duke menduar që ishim me fat që e kishim një poet të tillë, por ishim të pafat se u largua nga kjo jetë kur nuk duhej të largohej. Kurse pozitë e poetit nga Kosova, Rifat Kukaj ishin: magjepsëse, me të papritura, befasime të këndshme, humor me plot rima, të zhdërvjellta dhe të asimilueshme.

3. Shkrimtari Loredan Bubani, për fëmijët ka botuar: “Poku çamarroku” (poemë-përrallë), Naim Frashëri, Tiranë 1969; “Poku Çamarroku” (1, 2, 3, 4, Sh. B. “Ideart”; “Poku Çamarroku me skuadrën e tij” (2); Poku Çamarroku nis aksionin në pranverë” (3); “Poku Çamarroku me shokët çlirojnë Ariun Bablok” (4)); “Bubllapushi” (përrallë), OMSCA-1, Tiranë 2002; “Ketrushi Kim-Pim” (përrallë), SHBLSH e Re, Tiranë 2005; “Si e pësoi Kokot mëndjemadhi” (përrallë), Ideart, Tiranë, 2017), etj.

Për serialin “Poku Çamarroku” (1, 2, 3, 4, Sh. B. “Ideart”) të autorit Loredan Bubani, studiuesi Kristaq Nanushi flet me të drejtë për një tipar të rëndësishëm të portretit artistik të Loredanit, siç është ai i Ligjërimit. Dhe në të vërtetë, Loredani ligjëron bukur.

Më tej studiuesi Kristaq Nanushi vëren se: “… libri “Poku Çamarroku” (1, 2, 3, 4) vjen pikërisht si një vërtetim e si dëshmi se letërsia jonë për fëmijë ka nivel e dinjitet artistik…  Libri është një përrallë në vargje, me një ligjërim të këndshëm e mjaft tërheqës. Një varg aventurash të një subjekti të bukur mbushin me emocion botën e fëmijëve që e marrin në duar. I shpërfaqur në 4 libra, subjekti qëndron edhe i mbyllur brenda një libri, edhe i shtrirë në të katër ata. … Kjo botë më larmi fëminore është kapur me mençuri nga autori dhe është dhënë përmes një ligjërimi të shkathët dhe emocional”.

4.Skeda e krijimtarisë së Loredanit, mendojmë se është: *Zbërthimi i ngjarjeve nga libri në libër krijon kureshtje në ngritje. *Përfytyrimet e lexuesit të vogël shkallë-shkallë “ndizen” deri në pikën kulmore të subjektit. *Narracioni bëhet tërheqës jo vetëm me veprimet e zgjuara, as edhe me befasitë që hasen rrugës, por edhe me ngjyrat e humorit që autori i përdor me sukses. *ligjërimi nuk mund të bëhej i bukur pa qenë edhe i saktë gramatikisht. Loredan Bubani, i mirënjohur si autor i teksteve shkollore të gjuhës shqipe për shumë breza nxënësish, është një shembull për gjithë shkrimtarët shqiptarë se si duhet përdorur shqipja jonë e dashur më pasuritë dhe bukuritë e saj leksikore.

5.Në zbërthimin e kodit poetik për parashkollarët, studiesi Kristaq Nanushi trajton dy probleme të rëndësishme, që këto vitet e fundit në botimet tona po anashkalohet.

Problemi i parë: Një ndër dukuritë e librave të viteve të fundit është moralizimi që u bëhet hapur fëmijëve, me gjuhë sociologjike e jo të figurshme. Loredan Bubani këto dukuri ka ditur t’i shmangë me sukses të plotë. Mesazhet nuk ua jep direkt fëmijëve, ato dalin natyrshëm nga marrëdhëniet e ndërsjella të personazheve.

Moralizimi mbetet veçanërisht për këtë moshë një rrezik real. Po të lexoni tekstet me vjersha që u drejtohen fëmijëve të kopshteve, do të shikojmë se moralizimi ka çelur dhe është shumuar. Kjo njëra anë, ndërsa ana tjetër, janë bërë gangrenë rrimat foljore, të cilat nga mënyra e përdorimit për të treguar gjendje a veprim, të kujtojnë poezinë e viteve ’50, poezi që e ka mbyllur kapitullin e saj në letërsinë shqipe për fëmijë. Poezia për fëmijë, edhe pse shkruhet nga një numër i vogël autorësh, prapë mendojmë, se ka arritje interesante. Në këtë grupim hyn dhe Loredan Bubani. Ashtu siç e thotë studiuesi Nanushi: “… ngjyra e vargjeve të Loredanit i ka kapërcyer këto rreziqe. Këto vijnë nga kultura e krijuesit dhe talenti i tij, njohja e botës fëmijërore me plot Aventura që i shkojnë përshtat kësaj moshe.”

Problemi i dytë: Ligjërimi merr ngjyresa interesante, teksa është i saktë nga ana gramatikore. Në këtë aspekt librat poetikë të Loredan Bubanit janë modele gjuhësore. Në faqet e tyre nuk gjen gabime ortografike; në një kohë kur kemi plot libra për fëmijë, po ashtu edhe tekste, që gabimet gjuhësore i gjen me shumicë. 

Duke iu kthyer edhe njëherë krijimtarisë poetike të Loredan Bubanit, të ruajtjes dhe të dialogimit po thuajse me të njëjtën moshë, atë të parashkollarit, Aventura mbetet bërthama e krijimit të tij, ku autori shpalos vlerat dhe arritjet në letërsinë shqipe parashkollore.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat