Diaspora letrare dhe bota magjike e dashurisë shqiptare - Bota Sot
Diaspora letrare dhe bota magjike e dashurisë shqiptare

Libra

Diaspora letrare dhe bota magjike e dashurisë shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 14 qershor 2019 Në ora: 08:26
Kopertina e librit

Botimi i një vëllimi të ri me vargje të reja, përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit e poezisë. Lekturimi i një vëllimi të këtillë shndërrohet në një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e dy zemrave të gërshetuara me fërgëllimën e zjarrit romantik, autori dhe lektori duke realizuar një binom komplementar, i pari duke ofruar, ndërsa i dyti duke receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që fshihen në zemrën e çdo poezie.

Sipas librit më të ri të Remzi Bashës, ekzistojnë shumë botë. Botë reale dhe botë imagjinare. Botë të dukshme dhe të padukshme. Shquhet ndër to, bota e ndjenjës atdhetare dhe bota e sentimentit erotik. Lirikës së tij i mungon banaliteti dhe pornografia. Ajo është një lirikë reale që buron nga zemra. Vargjet e tij janë materializuara sipas dëshirave tona, sepse në to reflektohet bota realiste e përshkrimit poetik. Në vargjet e Remziut shkëlqen drita e dashurisë, magjia e saj dhe  bota e e kuptimit realist.

Libri „Drita Magjike e dashurisë” lindi nga një impuls fisnik, duke qenë i menduar si një befasi e re letrare dhe sentimentale. Veprat e këtilla e pasurojnë botën tonë letrare dhe e fisnikërojnë qytetërimin e një kombi, duke qenë realizime të mëdha etike, sinteza të një koncepti për jetën, dëshmi të mendimit dhe ndjeshmërisë së një populli në kontekstin e historisë aktuale të sentimentalizmit shqiptar. Ky është misioni i krijimtarisë letrare në rradhë të parë, dhe të botës së bekuar të arteve në përgjithësi. 

Remzi Basha është ndërgjegja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ai është një poet i lindur që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë. Krijimi është një magji që të shpie në tryezën e shkrimit, që të nxit t’i ripërjetosh ngjarjet me një intenzitet të ri subjektiv, të cilat të duken më reale se sa vetë realiteti objektiv. Vepra e shkrimtarit tonë që vjen nga bota nordike e mërgatës shqiptare, përbën realitetin e një jete personale, me vargjet e një misterioziteti që gërshetohet me magjinë e bekuar të dashurisë.

Arti është jetë dhe jeta është art. Poezia është liria për ta parë atë që nuk duket. Kjo vlen edhe për dashurinë. Autori i kësaj vepre është poet i dashurisë dhe atdhedashurisë. Bota rrotullojet rreth diellit ndërsa dielli vërtitet rreth femrës. Vargjet e vëllimit «Fuqia magjike e dashurisë», shëmbëllejnë me një roman dashurie. Përmes deshifrimit të tyre kuptojmë se jeta ka kuptim dhe kuptimi ka jetë. Jeta e autorit është e mbrujtur me vepra të panumërta të atdhedashurisë. Librin respektiv e fisnikërojnë aventurat shpirtërore të një shpirti të lindur për dashuri dhe mirëbërësi.

Çdo metaforë është një lindje nga ajri dhe nga liria, nga magjitë e fshehura në anën e padukshme të gjuhës. Si në çdo libër të mirë, edhe këtu ballafaqohemi me botën e gjallë të përjetimeve personale me karakter nacional dhe internacional. Njësoj si veprat paraprake, edhe kjo përmbledhje frymëzimesh lirike është një dhuratë e lindur nga frymëmarrjet e autorit që i jep lexuesit mundësinë për ta shijuar gjuhën e bukur shqipe dhe një jetë të bukur dhe reale. (Bukuresht, 14 Qershor 2019).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat