Përmasat e enigmës së dashurisë

Libra

Përmasat e enigmës së dashurisë

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 11 mars 2020 Në ora: 16:17
Ballina e librit

Kjo përmbledhje poetike, e botuar në tri gjuhë: (shqipe, gjermanishte dhe frëngjishte), me një numër solid poezish, është e organizuar në tre qerthuj: Ne të dy dhe liqeni, Shega ime, Flas me muzën.

Që në hapje të librit “Enigma”, autori Shefqet Dinaj paralajmëron me një thënie groteske: “Dashuria është një oqean në të cilin unë lundroj me barkën e Heminguejit”, thënie kjo në të cilën mund të lexohet e kuptohet edhe interferenca e përmasave të enigmës së dashurisë.

Ndërkaq, në parathënie të librit, recensentja Majlinda Nana Rama, kur vë në spikamë gjuhën poetike të poetit Shefqet, veç të tjerash, me të drejtë kishte  thotë se “Gjuha e përdorur nga poeti vjen e hapur. Ajo është një gjithështrirje me figuracion selektiv, me botë ideore , mesazh kuptimor...”, (f. 11.). Kurse, në shkrimin e saj me titull “Lirikë e kulluar e fjalës poetike”, profesoresha, poetja e studiuesja Migena Arllati, redaktore e këtij lbri, kishte thënë: “Në përgjithësi i gjithë vëllimi mund të lexohet me një frymë, pasi krijimet e tij janë të shkurtëra dhe të këndshme, herë-herë të rimuara dhe gjithnjë të stilizuara.” (f. 15.) .

Vargu lakonik i Dinajt

Në lexim të parë të poezive të përmbledhjes “Enigma”, sikur duken vargje të një komunikimi të hermetizuar në kuptimin e shpërfaqjes së relacionit semantik e artistik. Mirëpo, mbizotëron edhe përshtypja se arkitektura e brendshme e kësaj poezie ka tipare të reja në funksionalizimin e përvijimeve të nuncave stilistike dhe estetike që ofron poezia, tok me shprehjet lakonike të cilat i shërbejnë edhe si strategji e artikulimit poetik, si: “Deri kur?/ Ti Ujëvarë lozonjare/ shtegton madhështore/ drejt detit kaltrosh.”/ (poezia “Deri kur”, f. 20.). Me këto vargje poeti shenjëzon stilin lakonik  në poezinë e tij.  

Ndjenjat e poetit për dashurinë, ndjenjat e një lidhjeje sentimentale, shprehen edhe me vargje meditative: “Fryma jote/ tundonte valët e shpirtit tim/ lodronim putheshim/ pasqyruar mbi valët e liqenit.” (poezia “Tundimi”, f. 23.) Poeti mëton  që më çdo kusht ta plotësojë atë mungesë të saj, i detyruar, sepse sikur nuk mundet pa të, ndaj e thërret, shih në poezinë “Eja”: “Eja të lutem me erën e malit/ Të pres me puthjen e petaleve të luleve (f. 27), ku secila strofë nis me thirrjen “Eja”! Janë këto thirrje me të cilat, poeti Dinaj thërret të dashurën me anë të artit të fjalës. Edhe pse ajo përsëritje: “Eja, Eja”, është funksionale, e thënë në mënyrë lakonike, sjell estetikën e imazheve, po edhe semantikën e vargut. Në atë shqiptim (poetik) përfytyrohet e dashura e projektuar dhe përçohet mesazhi poetik.

Venerohet se kur poeti shqipton nuancat e dashurisë, mëton atë ta shprehë me tërë spektrin e pasurisë shpirtërore të tij dhe me thellësinë e metaforikës.

Ura e Gurtë – frymëzim për poetin:

Frymëzimet e poetit janë të lidhur me Drinin, Ujëvarën, urën si lidhje brigjesh dhe dashurish...

Një pikë frymëzimi poeti Dinaj e ka Urën e Gurtë: “Lumi vazhdon rrugën/ rrëmbyeshëm, krenar/ Ne prekemi me freskinë/ Tek Ura e Gurtë” ), thotë ai. Shih, poezia “Tek Ura e Gurtë”, f.31.) Këtu, motivi i dashurisë vjen edhe si shprehje e një ndjesie të hollë artistike e stilistike. Po këtu sentimentohet edhe ai prushi i dashurisë, tisi i dashurisë dhe qartësohet figurshmëria që del në funksion të ngjyrimeve estetike.    

Kompozita të funksionalizuara

Në këtë poezi hasim edhe në kompozita, ku cila më shumë e cila më pak, funksinalizohen  në poezinë e Dinajt, si: buzëkuqi, buzëputhje, buzëqeshje, Drinbardhi, dritëhijen , përgjumëpritja, Pulëbardhat, syshikimet, natëvjeshta, Ujëbardhi, Ujëvara, ndërrimvitet, majëkullë, majëmale, etj. janë atribute që godasin pikat e frymëzimit të poetit.

Në këtë përmbledhjeje janë të ngjizura edhe figurat (Ura figurë, guri figurë, etj.) ato me të cilat ky poet sikur ngarend të përsosë origjinalitetin e artikulimit lirik të simbolikës. Me disa tipare shprehëse poeti zhveshet dhe del edhe përtej enigmës.

Individualiteti krijues

Poeti përligj pasurinë e natyrshmërisë së mesazhit poetik dhe krijon tablonë poetike me tipare të personazhit. Ai sikur kërkon nga vargu i vet të ketë forcë magjike: “Hënëza zbehur filloi lojën/ nga malli që kish për ne të dy!” (poezia “Ma shuaj etjen”, f. 29.); “Petalet e trëndafilit/buzëputhje faqeve të mallit/lëmojnë fytyrën time./ (poezia “Dyzet ylberët e Ujëvarës”, f. 30.); “Syshikimet putheshin,/takoheshin në mallin e rritur”, (poezia: “Syshikim”, f. 40.), apo:“Eh... sikur natëvjeshta/ të zgjatej pa mbarim”, (po aty.)  

Çastet kur e dashura i mungon, thotë  “Do të Doja të të shihja/të të kem pranë/ Të vështroja me syrin/ e një poeti të zjarrtë” (Poezia “Pse sot më mungove”, f. 53.). Shkrimtari italian Serxho (Sergio) Paolo Foresta thoshte “Të shkruarit është një formë e heshtur e të folurit edhe e vetmisë së shpirtit.” Ndaj, kur i mungon e dashura, poeti shpërthen me vargjet: “I vetmuar/ulur me heshtjen/ishim apo s’ishim dy/unë dhe heshtja ime, Ti.”, (po aty), vargje, që mbase do të dukeshin edhe vargje atipike, që mund të kuptohen si vargje që e lëshojnë jehonën vetëm brenda tij dhe se nuk do të mjaftonin për ta luftuar vetminë, por që në thellësinë e tyre, në mënyrë figurative, jepin patosin e përshkrimit të portretit si prosede i formësuar krijues i këtij poeti. Ato tregojnë edhe individualitetin krijues të ndërtuar nga afshi i dashurisë, por edhe sakrifica për të: “Dy pika loti/rrëshqasin mollzave të mia,/përzihen me vesën/ nën hapat e tu” (poezia “Në bulevard”, f. 49.)

Në këtë poezi spikatet përligjja dhe bota e brendhme e personazhit, me idila romantike, si një veçori e stilit të tij, për ta vijëzuar jetën ashtu të ëmbël për femrën që e dashuron.

Më në fund, mund të thuhet se këto poezi të Dinajt shquhen për nga mënyra e të shprehurit, për nga trajtimi i motiveve  dhe ngjashmëria tematike. Nga një mesatare krijuese e qartëson komunikimin dhe sintetizon metafora të kënaqshme, ku konotacionet e kësaj poezie artikulojnë edhe avancimin e vlerave estetike e stilistike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat