Mit’hat Frashëri në librin “Plagët tona” - Bota Sot
Mit’hat Frashëri në librin “Plagët tona”

Libra

Mit’hat Frashëri në librin “Plagët tona”

Nga: Kadri Tarelli Më: 13 korrik 2020 Në ora: 19:43
Kopertina e librit

“Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”

Është një libër i vockël, me rreth 61 faqe, pra një broshurë që mund të mbahet në xhep, për ta shfletuar në çdo vend e në çdo kohë. Një botim i hershëm i vitit 1924, nga i dituri Lumo Skëndo, pseudonimi i Mit’hat Frashërit.

Rrethanat që më bënë të njihem dhe ta kem në dorë këtë “Margaritar” të mbuluar nga pluhuri i kohës, janë tërësisht rastësore, siç ndodh shpesh. Nuk them se unë e zbulova këtë thesar të humbur, porse më ngjiti në dorë për nga mënyra e të shkruarit shkurt dhe saktë, gjuha e thjeshtë për ta kuptuar cilido shqiptar qoftë, i kënduar apo jo shumë i mësuar, për më shumë dhe kjo është vlera e vërtetë e librit, ka mendim të ngjeshur në çdo fjali.

Jo më shumë se dy javë më parë, ulur në kafe, po kuvendoja me z. Lutfi Isufaj, Dr. i Mbrojtjes së Bimëve në Shkencat Bujaqësore. Në bisedë e sipër, kur fjala erdhi tek problemet ekonomike e më pas ato shoqërore, miku i nderuar hapi çantën e madhe që e mban çdo ditë me vete dhe nxori një tufë letrash të futura në një lloj “dispense”, por e lidhur bukur. E zgjati drejt meje, dukë me thënë në mënyrë lakonike: - Lexoje dhe do të bindesh, se ne si shoqëri jemi në po të njëjtën shkallë demokracie si 100-vjet më parë, pikërisht kur është shkruar ky libër i vogël, të cilin unë e kam fotokopjuar. E kam në tavolinën e punës dhe e shfletoj kur mërzitem. Jo se më sjell qetësi, porse më hip inati, që pavarësisht rrjedhjes së kohës, ne jemi njëlloj si gjyshërit tanë atëherë, në hapat e para të krijimit të shtetit shqiptar”.

Të them të drejtën, kam lexuar librin “Gjeniu i Kombit”, të shkruar nga Uran Butka dhe që i kushtohet tërësisht Mit’hat Frashërit, ku vërtet hidhet dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij njeriu të ditur, por që qëllimisht dhe fatkeqësisht, u anatemua dhe u baltos keq nga politika për më shumë se 50 vjet të sistemit të diktaturës.

Janë botuar edhe shumë libra e studime të tjera, por po përpiqem të përqendrohem tek ky libërth jo i bukur në pamje, por me përmbajtje tërësisht edukative, pedagogjike, filozofike, ekonomike dhe me tepri mëmdhetare. Një libër që vendos gishtin mbi plagët e shoqërisë shqiptare të asaj kohe, me të gjitha problemet e saj të mprehta, që çuditërisht dhe fatkeqësisht i kemi edhe sot, e që dhembin njësoj, mbase më shumë se atëherë.

Mendimtari ynë i ndritur, nuk mjaftohet me ngacmimin e plagëve të “miletit”, shtetit dhe kombit, as me heqjen e kores së tyre, që kullojnë. Ai bën më shumë: “Vajtimi nuk hyn në punë, se sjell dishpërimin e fatalizmësë”, shprehet ai, ndaj përpiqet të gjejë ilaçin e duhur, për t’i mjekuar e shëruar, që shoqëria shqiptare të gjejë udhën e duhur drejt zhvillimit dhe përparimit. Ai porsi një profet i drejtohet këndonjësve, më pas djalërisë, vegjëlisë, bejlerëve, intelektualëve: “Ay që munt të shohë dhe ka kohë të mejtohet, je ti o djalëri e Shqipërisë, o intelektual, o i pasur, o i fisshim”. Në këtë vorbull pështjellimi, nuk le mënjanë shtetarët, shkrimtarët, poetët, gazetarët dhe së fundmi edhe gratë, apo shqiptarkat, siç shprehet me shumë nderim e mirënjohje.

Vetë titulli i këtij punimi, është një klithmë në qiellin e trazuar të shoqërisë shqiptare, të sapo kishte dalë nga sundimi 500-vjeçar i Turqisë, përfshi edhe trazirat e luftës ballkanike, në përfundim të së cilës, na sakatuan territorin dhe etninë shqiptare, të cilën e ndanë në pesë shtete. Një tragjedi e vërtetë, por që nuk u ndal me kaq, trazirat e brendshme, më pas edhe Lufta e parë Botërore, që nuk e lanë të qetë këtë vend të vogël, të varfër e të lodhur. Klithmë që vjen së thelli nga dhimbja në vetëdije, për fatin e popullit dhe të kombit, por që duhet dëgjuar e më pas duhet shëruar.

Një ndër “Plagët tona” më të thella, e shfaqur në popull atëherë, por e pa mbështetur nga politika e kohës, më pas edhe gjatë sundimit të socializmit por e nxitur dhe e mbështetur edhe nga politika, ishte mosmarrëveshja mes të varfërve dhe të pasurve, ose e shprehur ideologjikisht “Lufta e klasave”, sëmundje shekullore, por e ndezur si zjarr i fortë nga teoria marksiste e sidomos pas fitores së Revolucionit Bolshevik në Rusi. Çuditërisht autori, si orakull i lashtësisë, e parandien rrezikun dhe gjëmën e madhe: “E drejta nuk munt të peshojë me pahir vetëm më nj’anë, në dëm të tjetrës”….. “Begatia dhe drejtësia nuk mund të ngrehet mbi një padrejtësi”. Është lufta e klasave, të cilën ai e quan: “Në Shqipëri, një zihje (grindje) e tillë është fatkeqësi, nuk duhet të ekzistojë…..”, aq sa nuk ka mjek apo kirurg që e shëron, pasi këtë prush të ndezur e krijon politika dhe e trazon politika, si mjet sundimi, duke mbjellë përçarje në popull. Besoj se kësaj murtaje, ne shqiptarët ja pamë dhe po ja shohim “hairin” më shumë se kushdo në botë, madje edhe pas një shekulli.

Vetë titulli në krye, na kumton: “Çë na mungon? Çë duhet të kemi”, janë pyetje që shpojnë thellë në vetëdijen ton të çoroditur, shumë nga politika, por më së shumti nga huqet tona si shqiptarë, që nuk gjejmë qetësi mes njëri-tjetrit, që nuk punojmë, nuk shohim hallin tonë, por merremi me të tjerët, lehtë, madje farë lëhtë, e hedhim topin në oborrin e tjetrit, pra ngarkojmë botën, të huajt. Vëreni me kujdes këto pak fjalë: “Gjithë vuajnë e qahen. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t’i nxjerrë nga e keqja. Të dy krahët e vet si mejton”. Më pas, më shumë shajmë qeverinë dhe zyrtarin, komshiun dhe pronarin, me një fjalë, soj e sorollop, ndërsa për vete jemi “qelibar” dhe nuk pranojmë të na bjerë mbi supe asnjë pupël zogu. Diku shprehët: “Ankohet për qeverinë që nuk shtron rrugët, ndërsa në oborr ka dy pëllëmbë baltë. Pronari i tokës ankohet për qeverinë, se nuk kujdeset për bujqësinë, kur ai vetë s’ka shkuar kurrë në pronat e veta, të shohë si punohet e ç’ nevoja ka toka dhe bujku”. Shembuj më të bukur s’besoj se gjejmë, në adresë të mentalitetit tonë të mpirë, për të mos thënë të mykur e të mbrapsht.

Nuk kam ndërmend të analizoj të gjithë veprën, pasi këndonjësi i gjen vetë vlerat dhe cilësitë e mendimit e të shkrimit. Po ndalem vetëm në disa thënie plot lëng jete, të shkruara letrarisht dhe urtësisht:

. Shkrimtarëvet: “Llauzi (populli) vë veshin në ato që thoni dhe shkroni. Atje vjen të ndezë qirin’ e idevet’ të tij….”. Më pas porosit: “Kujtoni, se një e shkruar është një farë e mbjellë. Kujdesi i mbjellësit duhet të jetë një lule e mirë, një pemë e këndshme. Hithra dhe ferra mbin vetë-vetiu dhe veç dëmit, s’ka no një vleftë”.

- Poetëve: “Tani drejtohem ke ju, vjershëtorë dhe poetë, ke ju që duhet të jeni shpirti i kombit, udhëheqësi i shpirtit të këtij kombi”. Më tej bën një vlerësim me shumë dshuri e qëllim-mirë: “I lumtur ay popull që ka gjetur në brumë të tij, të tillë poetë me frymë të lartë. Më të lumtur akoma ata poetë, që kanë gatuar me frymën e tyre kombin dhe kanë rrëfyer udhën e bardhë drejt një ideali të lartë”.

- Gazetarëve: “Çdo shkrimtar është një këshilltar, po gazetari është edhe më tepër akoma: është një predikonjës”…… “Gazetarit i bie mbi supat barra më e madhe. Roli i tij është i komplikuar, se duhet të jetë edhe një mjek që shëron sëmundjen, edhe një meshtar që përkujdeset për shpirtin, edhe një avokat që i mpron të drejtat, edhe një gjykatës që i ndan gjyqin”.

Grave: “Më vjen keq t’a them prapë! Po në të metat që ka shqiptari, përgjegjësia më e madhe i bie shqipëtarkës”. Më tej shton disa pyetje që e kanë edhe përgjigjen brenda: “A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpisë dhe squka e fëmijërisë, të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim, kur çupat tona, zonjat e nesërme, të rriten vetëm si kuklla…?”, etj, etj.

Nëse do të vazhdoja me këto thënie të vyera, më duhet të kopjoj të gjithë librin, pasi çdo mendim i shprehur këtu, është një mësim dhe filozofi më vete, i nxjerr nga jeta dhe i rrëfyer në mënyrë sa letrare aq edhe lakonike. Kam përshtypjen se çdo lexues, sapo të nistë të lëçitë fjalët e para, i duhet të marrë lapsin e të nënvizojë mësimet dhe porositë, që janë plot brumë njerëzie, qytetarie dhe shqiptarie. T’i nënvizojë që t’i mbajë mend, apo t’i shikojë herë-pas-here, për t’i thirrur kujtesës, detyrës, përkushtimit dhe edukimit të vetëdijes, mbase për t’i shtuar në listën e fjalëve të urta, që janë një tjetër pasuri diturie që na ka lënë të shkruara, Mit’hat Frashëri.

Të gjitha natyrisht i thotë libri, ndërsa unë po mjaftohem të shtoj, se ky libërth i vockël, duhet të botohet, natyrisht me pak korrigjime të disa fjëlve që nuk po përdoren në fjalorin e kohës. Të botohet, që të jetë në çantën e mësuesit dhe shkollarit, në dosjen e pedagogut dhe studentit, në tavolinën e zyrtarit, në trastën e deputetit, në bllokun e gazetarit dhe në  fletoren e shkrimtarit e poetit, më tej akoma, në magjen dhe sofrën e çdo gruaje. E thënë shqip: në bibliotekën e çdo shqiptari.

Jo më kot shkrimtari dhe studiuesi Uran Butka e ka quajtur Mit’hat Frashërin, “Gjeniu i Kombit”.

Jam i bindur se “Heroit” të këtij shkrimi, i shkojnë përshtat fjalët e Anna Frank, që thotë:  “Nuk dua të jetoj kot si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat