Një udhëtim në kohën e atit dhe një brezi sa stoik, aq dhe të keqkuptuar…

Libra

Një udhëtim në kohën e atit dhe një brezi sa stoik, aq dhe të keqkuptuar…

Nga: Dukagjin Hata Më: 11 shtator 2020 Në ora: 20:53
Kopertina e librit

Të lëshë një shenjë me ikjen tënde, me anë të një jetëshkrimi modest, që mund t’iu shërbejë kohëve dhe brezave si një pikë referimi për të kaluarën, kjo është ëndrra e gjithëkujt që përmbush misionin e jetës dhe ikën në pakthim pa brenga e meraqe shpirti dhe pa brerjeje ndërgjegjeje. Kjo të përsillet si qasje në mendje, ndërsa shfleton librin “Dallgëve të jetës së trazuar”-monografi kushtuar babait Abaz Fixha, të autorit Ferit Fixha, shkrimtar, poet, publicist, studiues i etnosit dhe kulturës kolektive të thellësive.

një libër që e tejkalon cakun e një sage familjare, edhe pse duket se qëllimi i autorit ka qenë t’iu lë pasardhësve një histori të shkruar, një dëshmi të genit të mbarë njerëzor të një individi me kontribute në kohë dhe të një dere që është përkujdesur në rrjedhat e historisë për të lënë pas shenjime dinjiteti dhe krenarie.

Më shumë se me fjalë, duket se ky libër është shkruar me shpirt, me vetë lëkurën e autorit, me pasionin e dikujt që duke kërkuar gjurmët e të atit në kohë, kërkon dhe gjen gjurmët e fshatit dhe fisit, tipologjinë e kohëve të vështira me të cilat janë përballur paraardhësit e tij, në rrugëtimin e tyre drejt të tjerëve dhe drejt vetvetes.

Ferit Fixha përcjell emrin e një krijuesi, poeti dhe shkrimtari me një gamë të gjërë prirjesh dhe këndvështrimesh, ku fokusohen poezia, hajku, eseja, dosjeri, investigimi, analiza, refleksioni, historia e rrëfyer në mënyrë letrare dhe publicistike etj. Botimet e tij të shumta nxjerrin në pah pjesë të fshehta të historisë dhe protagonistë të saj, qofshin të anatemuar, qofshin të keqkuptuar e të rrethuar me harrim, çfarë bën që këto botime të lexohen me një frymë nga lexuesi dhe të zgjojnë interes në qarqet gazetareske, letrare, historike e kulturologjike shqiptare.

këtë libër kushtuar rrugës së babait, Fixha kryen një udhëtim në kohën e një brezi sa të vrullshëm e stoik, aq dhe të keqkuptuar, në kohën e të atit, duke zbuluar pjesë pjesë pamjet në hije të një epoke, e cila tanimë dalëngadalë po hyn në analet e historisë.

E kaluara qëndron mbi kohën e tij të ndarë në dy pjesë, para dhe pas ikjes për të mos u kthyer më kurrë të babait, por ëndrrat janë aty, n një udhëtim shkrimor, që nxit reflektimin rreth të ndodhuarve tona. Të kaluarën dhe të ardhmen nuk i zgjedhim dot, por të tashmen, në një farë mënyre, po, kemi mundësi që ta zgjedhim dhe Ferit Fixha ka zgjedhur të dëshmojë me anë të shkrimit historinë e të atit, historinë e famuiljes së tij, gjurmët e saj në kohë.

Jeta e babait, që ai e ka sistemuar në një jetëshkrim, të cilin shkrimtari e ka si bërthamë të kësaj mongrafie, e shtyn autorin drejt një rinjohje të të atit, duke kërkuar në ato hapësira të së ndodhurës, në ato pika takimi që në të gjallë kanë qenë në trajtën e ajzbergut, të “konservuara” në thellësi të panjohura.

Një jetë e thjeshtë, e përkushtuar, e mbushur me dashuri për njerzit, me ndodhi në shërbim të kauazave që iu kanë mbijetuar kohëve, teksa e gjen të përcjellë në faqet e këtij libri, të bën të mendosh se asgjë nuk harrohet, se në filtrin e gjurmëve që kalojnë mbeten të pashlyera ato gjurmë që janë në sintoni me gjurmët dhe devizën e kohëve të vështira, kur fatet njerëzore dhe ekzistenca kombëtare vihen në rrezik, siç ishte koha e Luftës së Dytë Botërore, kur Abaz Fixha u radhit me armë në dorë në frontin e lirisë, në anën e të drejtës historike të shqiptarëve, për të gëzuar një atdhe të lirë e të çliruar nga falngat nazhifashiste dhe veglat e tyre.

shënimet e këtij luftëtari të lirisë nuk ka pikë shtirje e sforcimi për ta paraqitur veten si hero, përkundrazi, modestia, kjo dhunti e të urtëve dhe të përkushtuarve, shkëlqen si një diamante i rrallë nga faqja e parë në faqen e fundit të librit.

Faqe pas faqeje shfaqet profili i një idealisti dhe progresisti, që në çdo hap që ka hedhur në jetë nuk ka menduar thjeshtë për veten dhe familjen e tij, por ka vështruar përtej caqeve të interesave të tij të ngushta, duke ditur të gërshetojë personalen dhe shoqëroren, unin e tij me frymën universale të lirisë dhe drejtësisë shoqërore, që ishte qendra e gravitetit emocional të brezit të tij.

Inkuadruar në radhët partizane, merr pjesë në çlirimin e Tiranës, më tej, pas Çlirimit inkuardrohet në Divizionin e Mbrojtjes Popullore, ku mori pjesë në operacione të rëndësishme për asgjesimin e bandave në Veri të vendit, ku elementë të reaksionit, të lidhur me qarqet e huaja antishqiptare, tentonin përgjakjen e pemës së brishtë të lirisë. Kryen detyra të rëndësishme si ushtarak aktiv: përgjegjës i rojave në burgun politik, komandant I postbllokut policor në Rrugën e Dibrës, shef sekretarie eksepditar në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, ekspeditar Tiranë-Beograd-Tiranë, me shërbim secret zbulimi 6-7 muaj në vitin 1947 në ish Jugosllavi etj.

Me gradën nëntoger, me kërkesën e tij lirohet nga ushtria në vitin 1951 dhe kthehet pranë familjes në fshat, ku e priste bashkëshortja Rruzhdie Tarami, me të cilën qe martuar që në shkurt të vitit 1947 dhe do të kishin gjashtë fëmijë: Feritin, martuar me Nurie Kacën; Fiqireten, martuar me Haki Allushin, Dritën, martuar me Naim Xherrin, Shqipen, martuar me Ilmi Lekën, Enverin, i martuar me Xhemile Balliun dhe Beharin, i martuar me Marie Balliun.

Në vendlindje Abazi kryen detyra të rëndësishme si sekretar i këshillit popullor, kryetar i Frontit Demokratik, shef llogarie, llogaritar, magazinier, nënkryetar e kryetar kooperative. Gjithashtu punoi në ndërmarrje shtetërore si shef llogarie, llogaritar, magazinier. Për shkak të konjukturave të kohës dhe frymës nepotiste që sundonte në disa organizata, në vitin 1954, përjashtohet padrejëtsisht nga radhët e partisë dhe kur disa vite më vonë u vërtetua padrejtësia ndaj tij dhe iu kërkua që të rikthehej në radhët e partisë, ai nuk pranoi, duke thënë se kishin kaluar shtatë vjet pa teser partied he rikthimi I tij do të cënonte statusin e anëtarit të partisë!

Duke lexuar kronikat e kësaj jete të jetuar thjeshtë por me dinjitet, lexuesi me të drejtë mendon për peshën e një kohe të vështirë, ku në kandarin e shprishur, shpesh anonte më shumë e padrejta, por zemrat e njerëzve me botë të madhe si Abaz Fixha, që mbartnin aq shumë mirësi e dashuri njerëzore, e zvogëlonin peshën e të keqes së përgjithshme, e bënin më pak të pranishme, edhe kur ajo rëndonte mbi jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Në librin e tij me titull “Dalgëve të jetës së trazuar”-monografi kushtuar babait Abaz Fixha, Ferit Fixha na përcjellë ajzergun e një jete plot trazime, ku dhimbja ndërkallet me shpresën dhe realiteti i dhënë në gjithë thellësinë e tij, të ngjet me një triller plot befasime.

Edhe pse ka në qendër jetën e babait dhe është shkruar si një soj testament familjar, në libër gëlon lufta për jetën dhe dashurinë njerëzore, e cila është tema e kësaj monografie, ku ngjarjet, të fragmentizuara hap pas hapi e faqe pas faqeje, të çojnë në kthina të panjohura të kujtesës së autorit dhe të protagonistit.

Me një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe depërtimi psikologjik e psikanalitik, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, Fixha na sjell në këtë libër më shumë se një histori jete të babait të tij…Na sjell një model të marrëdhënieve etër-bijë, që më shumë se nga çfarëdo lloj aureole, lartësohet nga kujetsa e shkruar.

Libri lexohet me një frymë dhe të mbush me ritme jete dhe shprese, të mbush me frymëzim dhe energji pozitive, të cilat burojnë nga të ndodhurat e një personazhi jetësor, që ka lënë pas një botë të trazuar kujtese, e cila të shtyn të ëndërrosh për një botë më të mirë, më të drejtë dhe më pak të korruptuar nga vesi…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat