Të gjithë burrat e Pashait - Mehmet Aliu, ushtria e tij dhe ndërtimi i Egjiptit modern

Libra

Të gjithë burrat e Pashait - Mehmet Aliu, ushtria e tij dhe ndërtimi i Egjiptit modern

Nga: Rexhep Elezaj Më: 18 shtator 2020 Në ora: 12:40
Kopërtinat e librit në gj. arabe, angleze dhe shqip dhe Përkthyesi: Ejup Ramadani

Mehmet Aliu, ushtria e tij dhe ndërtimi i Egjiptit modern.

Në vazhdën e përkthimeve të librave nga autorë të shquar arabë, përkthimi më i ri nga Prof. Ejup Ramadani, është libri me titull origjinal, “Të gjithë burrat e Pashait -  Mehmed Aliu, ushtria e tij dhe ndërtimi i Egjiptit modern”, i cili pas pak ditëve do dalë i botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë.

Libri i autorit të njohur egjiptas, Halid Fehmi, sipas shumë shkrimtarëve arabë dhe evropianë, por edhe nga shumë historianë, është vlerësuar si përmbledhja më gjithëpërfshirëse për jetën dhe historinë e sundimit të Egjiptit, nga Mehmet Ali Pasha (1746-1849) me origjinë shqiptare nga Kavaja, i cili që nga shkuarja e tij me formacionet ushtarake osmane në brigjet e Nilit e deri tek emërimi i tij Vali i Egjiptit, e ka ndryshuar pozitivisht rrjedhën e ngjarjeve historike të kohës kur jetoi dhe veproi, jo vetëm brenda Perandorisë Osmane, por edhe më gjerë në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme.

Historia sundimit 150 vjeçar të Egjiptit nga familja e Mehmet Ali Pashës, djalit të tij Ibrahimit e deri tek mbreti Faruk (1952), është pa dyshim, ndër periudhat më të ndritshme të Perandorisë Osmane në Egjipt, përfaqësues i të cilës ishte dërguar komandanti dhe njeriu plotë guxim që ta përmirësojë jetën e popullit të prapambetur dhe të varfër të Egjiptit, që ta çlirojë nga robëria e feudalëve primitivë, nga analfabetizmi si dhe dekadenca që e kishte kapluar atë vend të pasur me luginën e Nilit.

 Autori i librit, Halid Fehmi e kreu doktoranturën pranë Universitetit të Oksfordit në Angli, duke ofruar një punim të rrallë mbi figurën shumë dimensionale të Mehmet Aliut, i cili edhe sot e kësaj dite konsiderohet si themelues i Egjiptit modern. Ai, ia doli ta përzinte ushtrinë franceze nga Egjipti për tu bërë Vali i atij shteti, ndërsa në vitin 1820-21 Mehmet Ali Pasha formoi ushtrie të madhe e cila më vonë do merr nën sundimin e tij Sirinë duke u zgjerua në drejtim të Irakut, Arabisë Saudite e deri në Jemen.

Libri ka shtatë (7) kapituj ku përshkruhet në detaje për Mehmet Aliun si strateg dhe largpamës i madh, i cili e themeloi Egjiptin modern me ekonomi të zhvilluar, ngriti shkolla, universitete dhe spitale, madje duke dërguar të rinj për të studiuar në Francë dhe Angli. Pra, shumica e historianëve arabë dhe të huaj janë unik në vlerësimin se Renesanca e Egjiptit fillon me sundimin e Mehmet Ali Pashës, me origjinë shqiptare, familja e të cilit do formojë dhe mbajë në duart e saj dinastinë më të suksesshme e udhëhequr nga shqiptarët, e cila për kohën ishte bërë shembull i zhvillimit ekonomik, kulturor, arsimor, luftarak si faktor kyç brenda vetë perandorisë, deri në masën sa ua korrigjonte gabimet sulltanëve në Istamboll.

Shpresoj që ky libër me vlerë të veçantë për historinë dhe literaturën shqiptare do t’i pasurojë njohuritë e studiuesve dhe lexuesve të rinj shqiptarë për këtë figurë të rëndësishme në rrafshin e historisë sonë kombëtare, për të cilën, për fat të keq, deri më tani shumë pak është lexuar dhe mësuar në Kosovë dhe më gjerë në hapësirat etnike shqiptare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat