Hiri i nxehtë

Libra

Hiri i nxehtë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 19:52
Ibrahim Berisha

Tregim nga Ibrahim Berisha

Mesnata e zuri përpara stufës së skuqur.

Lita kishte humbur për ca çaste në gjysmëterrin e helmtë, që fundi i fundit ishte terr dhjetori, natë me ajër të pastër, por shumë të ftohtë. Natë, e diel.

Edhe shtëpia mund të ishte mbërthyer nga të ftohtët, ndërsa ai, sikur emit i zgjatur dhe i hirtë, zbulon mjegullsinë e dendur nëpër rrudhat e mendjes së tij.

Me duart e dridhshme kërkon sinqerisht shtrëngimin e saj.

Genti na pret nesër.

Genti, Fioni dhe Linda janë pa gjumë sonte!

Nuk flen. Symbyllur udhëtonte në rrugë të pafundme dhe përnjëherë para i del tuneli me dyer të mbyllura.

Kish punuar minator në Golesh 40 vjet, duke tubuar magnez nëpër damarët e bardhë të kodrës së zhveshur, pa i shkuar asnjëherë mendja se do të vinte pikërisht një natë e tillë, si kjo e sontmja, kur nuk dinte çfarë të mendojë përpara largimit.

Me eshtrat dhe muskujt e fortë, zinte pjesën e madhe të shtratit mbuluar me basmë, punuar kujdesshëm nga dora e gruas, Rafiçe. Errësira gufuese, ende sundon qetë, ndërsa ai me trupin shpluar, hedh në sipërfaqen e shtrydhur të mbulesës së shtratit, mbi basmën e bukur e vezulluese. Ky vezullim dallohej edhe në errësirë, mund të jetë përzierje e plotë e lagështisë së lëkurës së paprekshme, orvatet të lypë diçka, mundohet ta zë me prekje të lehtë, mbase trupin e gruas së shushatur.

E di ai këtë. Ajo, siç bën zakonisht muajt e fundit, hedh duart mbi fytyrë.

Nuk e zë aspak, i ndodh si në skenë ku shpërfytyrohet energjia e mbikëqyrur e veprimeve, por dora i prekë, vetëm murin e ftohtë.

Po ku je, moj?

Ajo nuk përgjigj.

Mos qaj, po thirrim kob, për fëmijët që na presin!

Atëherë i kërcet shpina dhe lëshon zhurmën e pahijshme, duke u thyer nga dhimbja. Rrëshqet përsëri anash në të majtë, ku ngrihet lart muri i lëmuar i lyer me horastan, të cilin e preku pak më parë, për ta endur dorën me fërkim të kotë pa kutpuar përse.

Gruaja mban në dorë orën e murit, duhet të zgjohet heret, bën llogari, në cilin çast do të hapë perden dhe pastaj edhe derën dhe të çelë sytë në dritë të natyrës, të fushës së bardhë, e cila si e shenjtë e ngrohtë, do të mbetet larg saj përgjithmonë.

Kanada është larg, tha gruaja.

Atëherë Lita nuk kontrollon vajin.

Coftinë, e ofendoi veten, dhe rrëshqiti përsëri anash, por në prizmin e kundërt. Përmblodhi forcën në gjunjë me një shqetësim gati të kokëkrisurit, por ra poshtë në dysheme dhe thirri: Oh, theva qafën.

Ra në dysheme, por gruaja përsëri nuk lëvizi. Ai nuk arriti të shpjegojë këtë moslëvizje të saj.

Grua, thirri.

Ajo s’u përgjigj.

Ah, moj grua!

Vërtet, dyshemeja kërciti poshtë shtratit, por mund të ishte ndonjë dru që ra qëlluar fare afër, mund ta qe plandosur ndonjë ftua, gjithçka e pamendueshme mund të kishte ndodhur, por Lita të thyente qafën: Jo.

Vërtet, dërrasat kërcitën, por çfarë ishte kërcima: e gjatë, e shkurtër, e hollë, e vrazhdë, e pajehonë, e mundimshme, e tmerrshme?

Ai klithi edhe një here: ëh, dhe i tha përsëri vetes: Coftinë. Mos u lësho, qëndroi, provoi të mbledhë forcë.

Sa herë e kishte ngushtë, në raste të ngjashme, i rriteshin rrudhat nëpër mollza, i kërcasin dhëmbët, dëgjohej larg duke marrë frymë.

Prapë klithi: E theva, e theva qafën, thirri përsëri, përsëri, e theva më në fund qafën, më ndihmo.

Gruaja i tha: Mos thirr kob. Duro!

Pastaj sikur të mos gjendej njeri në dhomë nuk u ndie zë.

Ndoshta më mirë kështu, tha gruaja pas një pritjeje e durimi të pavendosur.

U qetësua kur dëgjoi krismën e druve që hidheshin në zjarrin që po shuhej me mëngjes.

Që në mbrëmje i kish lënë disa gazeta të vjetra afër stufës me shamot, i tuboi të gjitha, i shtrëngoi nyjë, i vendosi poshtë krejtësisht në sipërfaqen e shpuar me vrima të rrumbullakta të dyshemesë mbi të cilën ishte vendosur stufa.

Drita u zgjerua në dhomë. Flaka u dridh disi duke dalur vrullshëm nga dera e llamarinës.

Stufa u skuq, ai u kënaq me këtë atmosferë të krijuar, jo më tepër se pesëmbëdhjetë minuta. Ora ishte pesë e njëzet e tre, kur hapësira e dhomës u mbush të nxehtë, ndërsa në pesë e pesëdhjetë, duke mos mundur të përballojë të ngrohtit, hapi derën përgjysmë, por vetëm për pak çaste. Pastaj e mbylli.

Mendoi, cila ishte dita që po e shihte për herë të fundit këtë gjysmëhapje të derës.

Ajo pëshpërit, thotë ta pimë nga një kafe përpa se të nisemi. Ngrihet nga shtrati, tërhoq perden, së pari shtyen anash tavolinës gotën me ujë, mbështet fytyrën në xham, nuk lëkund fytyrën nga xhami, por hija e flakës e përkëdhel, e mbulon me ngrohtësi, ia kthjellon edhe trurin.

Duhet të mundohemi, thotë Lita. Është koha me u nisë!

Po, pohon ajo.

Ai merr bokallin me ujë dhe e lëshon naltë nga vrima metalike. Zjarri që nuk ishte shuar në shtëpinë e Litës asnjëherë, as në shtëpinë e babait dhe të gjyshit të tij, nuk

kishte thënë askush ndonjëherë të ishte shuar me ujë edhe kur kishte oxhak në Shtëpinë e Zjarrit, se ishte mallkim, më në fund përfundonte me dorën e tij asht e lëkurë.

Erdhi edhe kjo ditë, tha gruaja. Ndërsa ai mbylli perdet që binin deri në dysheme.

I kam mshel të gjitha dyert dhe dritaret, e siguroi gruaja.

Pse nuk i le hapur, foli ai pikëllueshëm. Nuk ka më kush t’i hapë.

E dëgjon sirenën e taxi-it, pyeti gruaja.

Nuk do të dëgjohet më në oborr asnjë sirenë, mendoi ai. Dalim, tha, i pafuqishëm.

Gruaja preku me dorë stufën. Zjarri është fikur, po ende është ngrohtë, tha.

Lita mendoi, por shikonte stufën e mbushur hi të nxehtë: S’ka kush e heq hirin kur ftohet, tha.

Nashtë, le të mbetet kështu përgjithmonë, përfundoi gruaja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat