Fragment nga ”Identiteti” i Milan Kunderës

Libra

Fragment nga ”Identiteti” i Milan Kunderës

Më: 17 tetor 2020 Në ora: 18:33
Milan Kundera

Dhe unë pyes veten: kush pa ëndërr? Kush e pa në ëndërr këtë histori? Kush e imagjinoi? Ajo? Ai? Të dy? Secili pa në ëndërr tjetrin? Dhe që nga cili çast, jeta e tyre e vërtetë u shndërrua në këtë fantazi të mbrapshtë?

Një hotel në një qytet të vogël buzëdetit të Normandisë, që ata e kishin gjetur rastësisht në një udhërrëfyes. Shantali mbërriti të premten në mbrëmje për të kaluar aty natën vetëm, pa Zhan-Markun, i cili duhet të vinte ta takonte të nesërmen, afër mesditës.

Ajo la një valixhe të vogël në dhomë, doli, dhe pasi bëri një shëtitje të shkurtër në rrugët e panjohura, u kthye në restorantin e hotelit. Në orën shtatë e gjysmë të darkës, salla ishte ende bosh. U ul në një tryezë dhe priti që ta vinin re. Në anën tjetër, pranë derës së kuzhinës, dy kameriere ia kishin krisur bisedës.

Ngaqë e urrente ngritjen e zërit, Shantali u çua, i ra përmes sallës dhe u ndal pranë tyre; porse ato i kishte rrëmbyer tema e bisedës: “Po të them që kam dhjetë vjet që i njoh. Dhe është e tmerrshme. Asnjë gjurmë. Asnjë. Ka dalë dhe në televizor.” Tjetra: “Ç’mund t’i ketë ndodhur vallë?” “Po as që mund të imagjinohet.

Këtu qëndron edhe tmerri…” “Ta kenë vrarë?” “Nuk lanë vend pa kërkuar në rrethina.” “Ta kenë rrëmbyer?” “Po kush? Dhe përse? Nuk ishte as i pasur dhe as i rëndësishëm. I nxorën në TV. Fëmijët dhe të shoqen. Çfarë hidhërimi. E merr dot me mend?”

… duhen ujitur kujtimet si lulet në saksi dhe kjo ujitje kërkon një kontakt të rregullt me dëshmitarët e së kaluarës, domethënë me miqtë. Ata janë pasqyra jonë; kujtesa jonë; nuk kërkojmë prej tyre veçse ta përndrisin këtë pasqyrë, që të mund të shihemi në të. (Shkëputur nga vepra ”Identiteti” e Milan Kunderës)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat