Vepër e rëndësisishme historike

Libra

Vepër e rëndësisishme historike

Nga: Dr.sc. Milazim Elshani Më: 23 tetor 2020 Në ora: 14:07
Kopertina e Librit "Sfida historike ”

Sapo doli nga shtypi libri i radhës i studiuesit Lush Culaj “ Sfida historike”.

Libri ësh­të një arritje shkencore e rë­ndësishme, rezultat i një pune këmbë­ngulëse hu­lu­mtuese shken­core të au­to­rit. E veçanta e këti libri është se bazohet në dokumente të dorës së parë si dhe në studimet më të arrira të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Kjo i ka mundësuar autorit për ta konceptuar në mënyrë origjinale strukturën e librit dhe për­m­baj­tjen e saj, duke pasqyruar në më­nyrë të gjithë­mbarshme gjendjën e shqiptarëve në vitet në shqyrtim.

Libri Sfida historike përbëhet nga studime, trajtesa, recen­sione dhe qasje të ndryshme të botuara e të pabotuara. Ato paraqesin përvojën shkencore historike të më se pesë vjetëve, duke përfshirë çështje pre­o­kupuese të së kaluarës, të cilave mund t’iu jepen për­gji­gje me anë të mendimit dhe të arritjeve historiografike.

Libri është titu­lluar kësisoj, sepse krye­sisht në këtë përmbledhje paraqiten shkrime që trajtojnë një lëndë, tema­tikisht të shtjelluar sipas ngjarjeve të ndryshme historike. Vlen të theksohet se në trajtimin e këtyre studimeve ndonëse në epiqendër është trajtimi historiografik, domosdo janë prekur edhe aspekte të tjera politike, eko­no­mike, demografike, kulturore e religjioze, të cilat be­soj e ka­në plotësuar mozaikun e pretenduar.

Shumicën e këtyre studimeve të publikuara më parë, autori i ofronë të plotësuara dhe të përpunuara, duke i saktësuar disa çështje të veçanta dhe duke i ripu­nuar ato në aspektin e përgjithshëm.

Me gjithë ndërhyrjet që janë bërë nga pikëpamja e volumit të fakteve të ofruara, përgjithësisht mund të vlerë­sohet se tërësia e konceptuar e punimeve të publikuara më herët ka mbetur e paprekur. Në fakt, duhet theksuar se, në ku­adër të këtyre studimeve, ka edhe punime të reja dhe të pa­publikuara më parë.

Libri është konceptuar në tre kapituj. Në këtë vepër janë përfshirë punimet që kryesisht trajtojnë të kaluarën e Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që gjend­en.

Pjesa e parë e titulluar Çështje, ngjarje dhe data për­mban trajtesa kushtuar zhvillimeve të lëvizjes sonë ko­m­bë­tare, kryesisht nga periudha para shpalljes dhe e Shpa­lljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe periudhën në mes dy luftërave botërore.

Në punimin Qëndrimi i Austro-hungarisë ndaj kryengritjës shqiptare të vitit 1912

autori Culaj vë në pah se gjatë bisedimeve shqi­ptaro-osmane në Shkup përfa­që­suesit i Fuqive të Mëdha në Stamboll, me përjashtim të Austro-Hungarisë, bënin pre­sion të vazhdueshëm në qeverinë os­mane që shqiptarëve të mos u jepen të drejta.

Krahas kësaj, autori ka qartësuar sidomos rolin të Serbisë dhe të për­faqësuesve të komunitetit serb të Vilajetit të Kosovës në bisedimet shqiptare osmane. Mbi të gjitha, autori ka evi­dentuar rolin e intelektualit Hasan Pri­shtina, duke e cilësuar si shpirtin e krye­ngritjes të vitit 1912, por duke u dhënë vendin e merituar edhe drejtuesve të tjerë politikë e ushtarakë të kryengritjes.

Nga viti 1909 deri në vitin 1918 Austro-Hungaria ndër­hynte për krijimin e një Shqipërie autonome, e cila do të ishte e varur nga ajo në pikëpamje ekonomike, kulturore e politike. Shqipëria autonome, nën influencë të Austro-Hungarisë, duhej të ishte aleati i saj kundër pansllavizmit dhe garancia për lundrimin e lirë nëpër ngushticën e Ot­rantos. Si legalizim i kësaj politike të diplomacisë vje­ne­ze vepronte kultuspretektorati mbi katolikët shqiptarë.

Profesor Culaj, konstaton se nga pasqyrimi i betejave dhe luftimeve, sidomos ato për çlirimin e Pejës, qën­dresa e forcave të Isa Boletinit, pastaj luftimet në Malësinë e Gjakovës, në Rrafshin e Dukagjinit, etj. del se vetëm gjatë vitit 1912 shqiptarët kanë luftuar më shumë se secili popull në Evropën Juglindore kundër Perandorisë Osmane.

Në punimin për ripushtimin e Kosovës më 1918 autori Culaj konstaton me te drejtë se Lufta e Parë Botërore, shkaktoi tragjedi të vërtetë. Me formimin e Mbretërisë SKS, për dallim nga gjermanët, hungarezët, sllovakët, etj., shqiptarëve nuk iu njoh madje as e drejta e pakicës nacionale.

Për shqiptarët fillon periudha e luftës kundër sun­di­mit monarkist të Serbisë së dytë, i cili ishte i dhunshëm. Plava dhe Gucia lahen në gjak, meqë e vazh­dojnë qëndresën, ndër­sa zona të tëra në gjithë Kosovën ngrihen në luftë. Përpjekje bëhen në Dibër, Strugë, Kër­çovë, Gostivar, Tetovë. Numri i çetave të luftëtarëve shto­hej nga dita në ditë. Dhe vjen pran­ve­ra e viti 1919, kur shpërtheu Kryengritja e njohur e Rraf­shit të Duka­gji­nit. Ketu pa dyshim një kontribut të veçantë ka pasur organizimi dhe puna konkrete e organizatës më të rëndësishme te kohës Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës për të cilën autori flet me kompetencë si njohësi me i mirë i kësaj organizate ne mbarë arealin shqiptar.

Vendosja e armëpushimit dhe fillimi i Konferencës së Paqes në Paris e gjetën Evropën në një situatë të ndryshme nga ajo e paraluftës. Rrethanat kishin krijuar raporte të reja në strukturën politike. Ishin vendo­sur ekuilibra të kundërt me ata paraprakë, ishin futur në skenën evropiane SHBA-të, ishte krijuar një grup i tërë shtetesh të reja.

Ndërkaq në punimin Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj Kosovës në mes dy luftërave botërore profesor Culaj konstaton se politika e shtetit shqiptar u shikua nga dy këndvësh­trime, nga mëdyshjet ndërmjet besnikërisë ndaj çështjes kombëtare, ose respektimi i raporteve reale. Shqipëria ekzis­tuese nuk i përmbushte aspiratat legjitime të shqiptarëve. Me këtë problem jetik u detyrua të merrej ky shtet i sapo­krijuar, për­katësisht Shqipëria e kufijve politikë. Një periudhë të kë­tillë, pra me probleme specifike, e përbëjnë edhe vitet 1912-1939.

Duke i berë një analizë kësaj situate profesor Culaj na sjell disa konkluzione se nacionalizmi shqiptar u dallua nga ideja e vazh­dimë­sisë së aktivitetit politik, duke mos mohuar as luftën e arma­tosur për realizimin e bashkimit kombëtar. Nacionalizmi shqiptar, në ballë të të cilit qëndronin shqiptarët nga Kosova në krye me Hasan Prishtinën ishin ithtar madje edhe të luftës së armatosur për bashkim kombëtar. Nga ana tjetër qëndrimet qeveritare ishin për përkrahje të bashkëkombasve në arenën ndërkombëtare, duke ruajtur neutra­li­te­tin dhe duke iu shmangur konfliktit të armatosur. Pikëpamjet e nacionalistëve shqiptarë që problemi kombëtar në instancë të fundit duhej të zgjidhej përmes luftës, për qeveritarët shqip­tarë ishte politikë iluzore dhe aventurizëm politik.

Pjesa e dytë, e titulluar Portrete historike, pasqyron veprimtarinë e disa personaliteteve, si të Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Gjergj Fishtës, Bedri Pejanit, Shtjefën Kurtit, Hys­ni Currit, të cilët dhanë kontribut të çmuar kombëtar në etapa të veçanta. Ndërsa në pjesën e tretë, të titulluar Kritika dhe recensione, përfshihen vlerësimet recensuese për monografi të ndry­shme që kanë të bëjnë me historinë dhe histo­rio­grafinë shqip­tare. Në fakt, shumicën e vlerësimeve të këtyre librave autori i ka recensuar dhe me kënaqësi ka dhënë vlerësim për botimin e tyre.

Studimi i autorit Culaj është vështruar e analizuar nga aspekte të histo­risë politike shqiptare, aspekte të historisë dhe të teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, aspekte të së drejtës ndër­ko­­mbëtare të ndërlidhura e të ndërvarura ngu­shtë­sisht me historinë dhe me teorinë e diplomacisë. Në këtë kontekst të gjerë, pra të lidhjeve ndër­mjet politikës së forcës, dip­lo­macisë dhe të drejtës ndërkom­bë­tare, autori ka pasqyruar ro­­lin e shqiptarëve para dhe pas formimit të shtetit të tyre në rrjedhat e diplomacisë evropiane dhe rajonale. Autori me kë­të gamë çështjesh të trajtuara brenda këtyre punimeve ka tentuar të plotësohet korpusi shkencor nga fusha e historisë së periudhës në shqyrtim. Konkludojme pa me dyshje se këti qëllimi autori ia ka dalur me sukses.

Matriali bazë që përkon edhe me temën në fjalë ka qenë i Arkivit shtetëror të Shqipërisë dhe Arkivit të Ministrisë të punëve të Jashtme të shtetit shqiptar. Autori ka meritën që, burimet e vjela i ka integruar natyrshëm brenda shkri­mit historik, i ka menaxhuar me kuj­des, i ka përdorur në vendin e duhur dhe mbi të gjitha, u është dhënë përparësi burimeve parësore ndaj dytësoreve. Si i tillë, ai ka mundur të tërheqë prej dokumentacionit historik embrionin e problemit. Pra, ajo çka është e fshehur në këtë dokumentacion është zbuluar, interpretuar, analizuar, përgjithësuar e së fundmi është pasqy­ruar me një shkrim të rrjedhshëm e bindës për lexuesin.

Kësaj i shtohet fakti që Profesor Culaj si autor i shumë librave dhe punimeve studimore të vlerësuara, ka gati një çerek shekulli përvojë të pasur në fushën e studimeve. Ai hynë në mesin e historianëve më të mirë, jo vetëm në Kosovë por në mbarë arealin shqiptar. Në rrjedhën e studimit duket çartë se autori ka jo vetëm një për­gatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore.

Përmbajtja e konkluzioneve dhe krahasimeve për morinë e problemeve që përmbledhë kjo tematikë e ka bërë studimin një libër me të vërteta historike-shkencore të pakontes­tuesh­me.

Libri shoqërohet me përfundimet e nxjerra nga autori në gjuhën shqipe dhe angleze, bu­ri­met arkivore shterruese të botuara dhe të pa botuara, si dhe literaturën shumë të pasur historiografike dhe shtypin e kohës në gjuhën shqipe dhe serbokroate si dëshmi e punës vetë­mohuese dhe frytdhënëse të autorit.

Libri ka 380 faqe dhe është shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm. Nga analiza e hollësishme e për­mbajtjes dhe pasqyrimi i aparaturës shkencore mund të përfundohet se libri “ Sfida historike” shënon një arritje shumë të rëndësishme në histo­riografinë shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat