Atdhe - Dashuria në prozën dhe publicistikën e Shefqet Mekos

Libra

Atdhe - Dashuria në prozën dhe publicistikën e Shefqet Mekos

Nga: Halil Rama Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 10:54
Shefqet Meko

Shefqet Meko kontribuon në disa portale online si dhe ka përkthyer e botuar në shqip librin “Çuditë e Amerikës” dhe përmbledhjen e vet publicistike “Unë ikanaku shqiptar”. Libri “I tillë jam” është i pari i autorit si përmbledhje e krijimeve letrare në vite. “Më mirë vonë se kurrë” perifrazon ai shprehjen e urtë popullore

Më 16 nëntor 2012, pikërisht me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqpërisë, Gazeta “Dielli”, kjo zëdhënëse e denjë e diasporës shqiptare të Amerikës, do të botonte reportazhin e gazetarit të mirënjohur Shefqet Meko, me titullin sinjifikativ “PËR FLAMURIN TONË: DY RRËFENJËZA”. Këtë reportazh të shkruar me një stil të veçantë, që bart dhe përçon shpirtin atdhetar të shqiptarëve, si edhe dhjetra tregime, skica e reçensione, autori Sh.Meko e ka përmbledhur në librin e tij “I TILLË JAM UNË”. E lexova me një frymë këtë libër të mikut e kolegut tim të nderuar (që nga fillimi i viteve ‘’80-të) dhe u magjepsa me bukurinë e fjalës dhe me mjeshtrinë e artit të të shkruarit nga ana e tij. Një tufë tregime të frymëzuara nga jeta studentore e viteve 80-të, ku gëlon energjia rinore…Dje ajo që më bëri më shumë përshtypje është guximi i këtij autori për të dalë jashtë skemave të letërsisë së realizimit socialist, edhe në atë kohë kur për këtë qasje mund t’iu drejtoheshe me vetëdije dyerve të burgut. Por Shefqet Meko, ashtu si edhe në titullin e librit, në të gjithë tregimet, si edhe në publicistikën e tij është vetvetja. I tillë është ai edhe në kritikën letrare “Rikosheta poetike e Ahmet Prençit”, në tregimin e jetuar “Dy dibranë në Dallas”apo edhe tek “Rënia e burrave”(Ese në ndërrim vitesh”

Shefqet Meko është vetvetja edhe në këtë libër

E kam ndjekur krijimtarinë e Shefqet Mekos, thuajse që në fillimet e saj. Edhe në këtë libër me tregime, skica dhe shënime publicistike, sjell naryrshëm, jo vetëm shqetësimin e ligjshëm të emigrantit për tranzicionin e tejzgjatur shqiptar të tri dekadave të fundit (si tek tregimi “Maskarada e tranzicionit”, por edhe jetën studentore, si dhe aromën e vendlindjes, me të veçantat e saj.

Në sinkron me titullin shumë sinjfikativ, “I tillë jam”, Shefqet Meko është vetvetja këtë libër me 19 tregime dhe 10 skica, esse e reportazhe letrare. Në tërësinë e tyre ato bartin dhe përçojnë formimin dhe psikologjinë e autorit, ku ndjenjat e mëdha njerëzore, ato që formojnë ashtin e individit, si krenaria për familjen e fisin – materializim i rrënjëve të thella dhe i luftrave për mbijetesë, vijnë si testament i atdhedashurisë. Mjafton për këtë qoftë dhe mesazhi që percjell tregimi i parë “Një grusht dhe”, kur ndërsa gratë e fshatit pëshpërisnin se “Tani iku fukarallëku për Shanon e Selmanit…Selmani ka vënë pasuri”, ky kurbetli i kthyer pas disa vitesh, i surprizoi bashkëfshatarët, kur nga kutia e mbështjellë me bezen e mëndafshtë zbuloi misterin që ajo fshihte: grushtin e dheut mëmë që e shoqëroi në tokë të huaj….Dhe aty ai i kishte të gjitha: grurin dhe këngën, jataganët dhe dyfekët…Këtë motiv, atdhedashurinë e zjarrtë e gjejmë edhe në tregimet “Shoku i tim eti”, “Vdekja përtej Atlantikut”si dhe në reportazhin “Një amerikan në kërkim të ‘rrënjëvë’shqiptare”. Figuracioni, si gjuha e prozës është fare i dallueshëm në këto tregime. Për ta kuptuar këtë, mjaftojnë qoftë dhe këto perifrazime nga tregimi “Shoku i tim eti”: “...njerëzit me besim janë të papërballueshëm”, “Përbuzja sjell vetëm urrejtje”; “Jeta është një libër që duhet shkruar...” perifrazime këto që mund të konsiderohen edhe si shprehje të qarta filozofike të autorit.

Pas disa vitesh, tashmë i detyruar të mërgojë nga atdheu, si mjëra e mijëra të tjerë, Sh.Meko, ndihet i larguar vetëm fizikisht. Shpirti i ndjeshëm prozaik i tij është këtu, në metropolin shqiptar, Tiranë, në malet, luginat, fushat dhe lumenjtë e vendlindjes. Aty ku realisht dhe simbolikisht mbeten vlerat e mëdha njerëzore, që janë lënda e parë e qasjeve të tij ndaj prozës së shkurtër..atje ku një ATË përcjell tek bijtë mesazhet e historisë dhe të heronjve për të mos u harruar kurrë..atje ku një nënë përcjell tek bijtë ngrohtësinë e vatrës familjare dhe amanetin për të mos u tjetërsuar... Ndaj dhe sjell për lexuesin lajtmotivin se “Fitimtarët shkruajnë historinë”, sintetizuar ky në përfundimin që nxjerr nga rrëfimet e babait, pastaj nga historia që na mësohej në shkolla, nga filmat dhe dokumentarët…Dhe pas dilemës se, a thua gjithshka ishte propagandë, autori vjen në konkluzionin se: “Në fakt propaganda na ishte bërë ‘bukë e djath’, por që lufta ishte fituar nga partizanët që ishin në një front kundër të njejtit armik, me Anglinë dhe Amerikën, kjo ishte e vërtetë si dielli që lind e perëndon çdo ditë”.

Tregime që vijnë si fllad i freskët në prozën e sotme shqipe

Proza e sotme ecën në disa shina. Zgjedhja e tyre, është sa prirje e brendëshme, aq edhe shtytje e vetëdijshme. Në këtë qasje, ndonëse të shkruara në vitet ‘’80-të, tregimet e Sh.Mekos, vijnë si fllad i freskët në prozën e sotme shqipe. Kështu, në tregimet me titull “Darkë në konvikt”e “Zarfi i hapur”, autori është atje ku një dashuri e humbur të grish për ta ruajtur si hajmali, për të mos lënë asnjë filiz të vjetër të vyshket...Sepse kjo qenka natyra e ndërlikuar njerëzore, qënka fatthënia e tyre. Kështu, nëse tek “Darkë në konvikt”, vjen me një urim për një jetë që sapo kishte buisur atje në Kalanë e Dodës (Urim ky krejt i një veçantë ky i shokëve natën e ndrrimit të viteve për studentin e veterenarisë, Vehapin që kishte marrë nga mali i Korabit hijen e rëndë, mendimin e thellë dhe heshtjen e gjatë), tek “Dasma e motrës” veçojmë dashurinë e vëllait të mirë që therorizohet për motrën e vet. Kjo edhe për faktin se “dalja e një vajze nga shtëpia që u lind dhe u rrit është moment sublim dhimbjeje, keqardhjeje dhe nostalgjie”. Këtu autori duket se jeton midis kujtimeve të së shkuarës, dallgevë të së sotmes dhe ëndrrave për të nesërmen.

Ndërsa tek tregimi “Natë vere”, përveçse një romancë të bukur dashurie mes dy intelektualëve të rinj, madje dhe “pantomimat e dashurisë”, autori evidenton edhe konceptet arkaike të asaj kohe kundër ngjizjes së një fëmije nga çifti ende i pamartuar, duke na i paraqitur më në fund ata “të çliruar nga bota e djajtë vrastare, në emër të ‘dasmës me nder”, pasi kumton subjektin e tregimit “Rastësi” del në përfundimin se duke dashuruar njerëzit arrijnë të prekin dhe të besojnë në gjëra që më parë i quanin si të paarritshme, transmetojnë lumturinë e tyre tek njeriu që dashurojnë dhe kështu lumturia e secilit bëhet akoma më e madhe.

Dy veçori të librit “I tillë jam”

Duke e analizuar në tërësinë e lëndës të përfshirë në 500 faqe, si veçori të parë të librit të Shefqet Mekos “I tillë jam”, do të nënvizoja nostalgjinë e tij për gjithshka që ndodhet larg, por që njëkohësisht Ai është ditë e natë afër tij. Në këtë lëmë ai nuk është i vetmi. Që nga Serembe tek Shiroka, malli për mëmëdheun ka qenë një klithmë e brendshme, e shprehur në vargje të drejtpërdrejta, siç e gjejmë edhje në poezinë e Sh.Mekos “Vargje për nënën”, botuar para pak ditësh në portalin “Fjala e lirë”.

Malli si një trishtim i lehtë, përshkon gjithë linjën e tregimeve, dhe pse jo edhe të publicistikës letrare të autorit.

Si veçori e dytë dhe risi në krijimtarinë e tij, do të shquaja vëmendjen ndaj historisë dhe figurave të saj të panjohura. Ndriçimi i disa figurave të vendlindjes dhe bëmat e tyre, që autori i sjell në këtë libër me tone epike është një sysnim serioz që edhe brenda gjinisë së prozës së shkurtër, të zbulohen aspekte të mbetura jashtë vëmendjes së studimeve. Në këtë qasje autori është pranë shtratit të rrëfenjave popullore dhe asaj të traditës, të cilat kanë qenë mesazherët e parë të historisë së luftrave dhe të heronjve.

Të dy këto hulli e kanë çuar vetvetiu autorin ndaj një proze e publicistike letrare të thjeshtë, konkrete, por ku është gjithashtu i pranishëm edhe figuracioni që është gjuha e prozës. Duke zgjedhur këtë formë, Shefqet Meko duket se niset nga dëshira që të prekë edhe atë mërgimtarin që don të mbajë në mendje e të përsërisë me vete dy vargje të përmallshme, edhe intelektualin që në emigracionj është i detyruar të bëjë deri dhe punë të rëndomta.

Ish drejtuesi i gazetës “Studenti i bujqësisë” e gazetar në Radio “Tirana”,

këshilltar dhe coordinator në kompaninë amerikane Carhop

Shefqet Meko ka lindur në vitin 1959 në Pretushë të Pogradecit. Pasioni i tij ishte letërsia dhe gazetaria, por detyrohet të studiojë për veterinari. Në vitin e dytë të fakultetit emërohet kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë”. Tregimet e para i botoi në revistën “Pionieri” qysh në vitin 1975 duke vijuar më pas deri në revistën “Nëntori”. Diplomohet si mjek veteriner më 1983, por vijoi punën si drejtues i gazetës “Studenti i bujqësisë”. Përfundon studimet pasuniversitare për gazetari në Universitetin e Tiranës në vitin 1985. Në shtypin e kohës kontribuon me shkrime të ndryshme analitike e publicistike dhe pasqyron me objektivitet në gazetën që drejton lëvizjen studentore të vitit 1990.

Pas ndryshimeve demokratike punoi si gazetar në Radio-Tirana. Kujtohet për kronikat e tij në edicionet informative, emisionin radiofonik “Shi dhe diell” dhe për kontributet në zhvillimin e shtypit bujqësor. Është themelues e president i parë i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë (SHGSHB)1994, që e anëtarësoi në IFAJ,(Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve të Bujqësisë).

Ideoi e themeloi Qëndrën Kërkimore për Zhvillimin Rural(QKZHR)1997. Si drejtor ekzekutiv i kësaj organizate,Shefqet Meko mblodhi për herë të parë Forumin Shqiptar të ish-ministrave të Bujqësisë dhe Ushqimit më 1998.

Prej vitit 1999, me familjen e vet, jeton në Minneapolis, SHBA. Kontributet e tij nuk kanë rreshtur në promovimin e vlerave shqiptare në shtetin ku jeton dhe më gjërë. Është themelues e president i Institutit Shqiptaro-Amerikan për Marrëdhëniet e Kontributet (AAIRC), përmes së cilit ka ndihmuar disa familje emigrante shqiptare të fillojnë një jetë të re në Minneapolis. Së bashku me Alma Mekon kanë në pronësi të plotë biznesin privat Meko Properties LLC. Punon si këshilltar dhe coordinator në kompaninë amerikane Carhop.(www.carhop.com).

Shefqet Meko kontribuon në disa portale online si dhe ka përkthyer e botuar në shqip librin “Çuditë e Amerikës” dhe përmbledhjen e vet publicistike “Unë ikanaku shqiptar”. Libri “I tillë jam” është i pari i autorit si përmbledhje e krijimeve letrare në vite. “Më mirë vonë se kurrë” perifrazon ai shprehjen e urtë popullore.

libër i redaktuar me përkujdesje, përkushtim shoqëror dhe përgjegjësi maksimalee nga shkrimtari i njohur Ahmet Prençi (poet dhe autor i romanit “Anja” është padyshim vlerë e shtuar në fondin e artë të letërsisë shqipe.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat