U ribotua monografia “Shkollat dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë (1900 - 2010)” e autorit Zymer Mehani

Libra

U ribotua monografia “Shkollat dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë (1900 - 2010)” e autorit Zymer Mehani

Nga: Zymer Mehani Më: 27 maj 2021 Në ora: 07:14
Foto e kopertinës së librit

Këtyre ditëve, nga SHB “Shkrola” e Prishtinës u ribotua Monografia “Shkollat dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë (1900 - 2010)” e autorit Zymer Mehani (nga Podujeva). Ky libër është i konceptuar në dy pjesë (1.Pjesa historike dhe 2. Leksikoni i mësimdhënësve dhe i punëtorëve të tjerë arsimorë) dhe përmban një materie mjaft interesante për periudha të caktuara të së kaluarës dhe të së tashmes të Halabakut, të Tërrnavës dhe të Bellopojës, si dhe për zhvillimin e shkollave dhe të arsimit në këto fshatra. Përveç rëndësisë njohëse të zhvillimit të gjithmbarshëm të këtyre fshatrave dhe të paraqitjes së një galerie figurash kombëtare dhe arsimore, këtu do të shtjellohen edhe çështje të tjera dhe probleme karakteristike të shkollës dhe të arsimit. Gjithashtu në këtë monografi janë regjistruar edhe vështirësitë dhe pengesat, në të cilat hasi shkolla shqipe, si dhe dhuna që u ushtrua mbi të sistematikisht nga regjimet e huaja (sidomos nga regjimi serb).

Në këtë libër monografik është synuar që të evidentohen në mënyrë reale dhe faktike veprimet e pushteteve okupuese ndaj popullit tonë, ndaj shkollave, ndaj mësuesve dhe ndaj nxënësve shqiptarë, sidomos gjatë viteve ’90 të shek. XX, kur regjimi serb u rivërsul për ta ngulfatur procesin edukativ dhe arsimor për shqiptarët e Kosovës.

Autorin e kësaj monografie gjithnjë e mban shpresa se me një punë të palodhshme dhe me një angazhim solid në një ribotim të kësaj monografie do t’i përplotësojë mungesat, zbrazëtirat, që për momentin do të vërehen në këtë punim.

Përmes kësaj monografie do të flasin shumë figura historike, si hoxhallarë dhe mësues, të vdekur e të gjallë, si dhe ata që nuk janë më në jetë. Dhe krejt në fund, autori është i vetëdijshëm se lënda e shtjelluar në këtë libër nuk është krejtësisht e plotë. Mund të jetë e përzier dhe e zbehtë, por punën e ka filluar nga parimi “Më mirë pak se hiç”!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat