Botohet libri për dijetarët shqiptarë në Perandorinë Osmane

Libra

Botohet libri për dijetarët shqiptarë në Perandorinë Osmane

Nga: F.B Më: 9 gusht 2021 Në ora: 11:05
Libri

Në vazhdën e botimeve në fushën e trashëgimisë sonë kulturore e shkencore islame, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka botuar librin “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880 – 1912), sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman”, i autorëve Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra.

Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIK, por është e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare , në të cilën përfshihen dhe ndriçohen, - biografinë e 195 personaliteteve shqiptare që kanë dhënë kontribut në jetën arsimore, kulturore dhe fetare gjithandej ku vepruan, pra edhe në viset shqiptare në fundin e shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX shumica prej tyre , fare pak ose aspak të njohur më parë për opinionin shkencor shqipfolës dhe më gjerë.

Prandaj ky botim, mbi bazën e e dokumenteve osmane të kohës, ofron të dhëna pë këta dijetarë shqiptarë myslimanë, për kontributin dhe për integrimin e tyre në elitën intelektuale të kohës, duke bërë kështu pjesë e institucioneve më të larta arsimore dhe fetare.

Kontributi i dijetarëve shqiptarë është pasqyruara përmes dokumenteve të shumta arkivore osmane të kohës, të cilat ruhen nëpër arkivat e Turqisë dhe të cilat janë hulumtuar, identifikuar, grumbulluar, analizuar, deshifruar e interpretuar nga autorët.

Libri përfshinë dijetarët shqiptarë nga katër vilajetet shqiptare: Kosovë, Shkodër, Manastir, Janinë, që kanë vepruar në periudhën midis viteve 1880-1912.

Vitin 1880, autorët e kanë si përkufizim të parë, sepse pikërisht në këtë vit kanë filluar të kompletohen dosjet personale të nëpunësve të institucionit më të lartë fetar-arsimor të perandorisë, përkatësisht të Meshihatit të Lartë Osman, proces ky i cili ka vazhduar deri në përfundimin e Perandorisë Osmane më 1924.

Viti 1912, ndërkaq, është marrë si përcaktues përmbyllës i këtij harku kohor, sepse pikërisht në këtë vit Perandoria Osmane largohet nga trojet shqiptare.

Autorët kanë dhënë edhe numrin e dijetarëve për të gjitha qytetet e mëdha të vilajeteve shqiptare. Ky libër paraqet një kontribut me vlera shkencore për historinë e institucioneve, arsimit, kulturës e trashëgiminë islame në veçanti dhe për historinë tonë në përgjithësi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat