“Një e tretë dashuria”, një kulm në poezinë e Preç Zogajt

Libra

“Një e tretë dashuria”, një kulm në poezinë e Preç Zogajt

Nga: Halil Rama Më: 7 nëntor 2021 Në ora: 18:45
Kopertina e librit

“Një e tretë dashuria”, libri fitues i çmimit të parë “Gjergj Fishta” në eventin kushtuar 150 - vjetorit të lindjes së poetit të madh dhe korifeut të Rilindjes sonë Kombëtare përcakton një kulm në ecurinë e botimeve të Preç Zogajt. Është një vepër shumëpërmasore që sjell tek lexuesi poezinë e dashurisë njerëzore. Ky vlerësim për poezinë e tij nuk vjen thjeshtë nga pena të rastësishme, por nga  poetja e mirënjohur Natasha Lako dhe nga poeti i parë laureat, Rudolf Marku. Kjo u duk fare qartë edhe në spektaklin poetik që UET organizoi në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar në Art Turbina për librin më të ri me poezi të Preç Zogajt “Një e tretë, dashuria”, botim i UET Press. Në këtë spektakël, Natasha Lako, ndër poetet më të mira shqiptare do të evidentonte shpagimin që vjen me fytyra të bukura, festën e gjuhës ku çdo fjalë e të gjithëve lulëzon në fjalën e poetit, një marrëdhënie kjo që e zbulon vetëm Preç Zogaj. Lako evidenton shpagimin e vuajtjes nëpërmjet dashurisë njerëzore që në poezitë e këtij libri vjen si citat për dashurinë, si një shpërthim i brendshëm i gjuhës. Brenda një linje të tërë të letërsisë shqipe, Lako evidenon mjeshtrinë e poetit P.Zogaj, i cili si askush tjetër bën edhe bashkimin e traditës. Për këtë ajo sjell në vemendjen e lexuesiit dy poezitë e ciklit të pestë “Pjetër Bogdani”dhe “Me Rudolf Markun në kafe ‘Çokolatino”.

Kështu, nëse tek e para: “…Me trastën në shpinë Pjetri- shenjt i zëvendësuar para lindjes,/varet drejt shtegut ku do ta vrasin…”, tek e dyta : “…Rudolfi është më i mirë se Rudolfi/ Unë jam më i mirë se unë”. Mjaftojnë qoftë edhe këto vargje për të kuptuar se si nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Ndaj dhe e madhja poete Natasha Lako çmon pasurinë e gjuhës, që sipas saj, nën penën e Preçit bëhet e papërsëritshme dhe e pandashme nga ai. Duke e konsideruar këtë libër një vëllim që të befason, ajo thotë se Preçi e di vendin e vetë në poezi dhe se me këtë libër ai ka fituar veten. “Ka një lulëzim fjala dhe këto kurora pemësh janë njerëzit. Çdo fjalë lulëzon në mënyrën e vet te Preçi dhe është e papërsëritshme. Fjala zë një vend të çuditshëm që nuk e ke te asnjë poet tjetër. Është një marrëdhënie që e zbulon vetëm Preçi. Për mua kjo është një nga gjërat më të bukura, që tregojnë një pjekuri shumë të madhe artistike”, shprehet poetja Lako.

Ndërsa poeti i parë laureat, Rudolf Marku, i cili ka bërë parathënien e librit, por njëkohësisht gëzon një miqësi të hershme me autorin, i bëri një interpretim interesant vetë titullit të librit, teksa e cilësoi si librin më të mirë të letërsisë shqipe, por edhe të vetë autorit, i cili e ka sprovuar veten në disa gjini letrare.

“Poetë si Preç Zogaj e konsiderojnë Poezinë – Universin Shpirtëror të Njeriut – dhe misionin e tyre poetik si astrologët, që nuk rreshtin së kërkuari për yllësi dhe galaktika të reja”,-shkruan ndër të tjera Rudolf Marku në parathënien e këtij libri.

Nën këtë optikë e sheh poezinë e Preç Zogajt edhe aktori i TK dhe pedagogu i UET-së, Dritan Boriçi. Pasi interpretoi mjeshtërisht vargjet:“Ne na njohu një e tretë: Dashuria./ Ajo qëndronte mes heshtjes sonë/ kur shiheshim gjatë si dy të pagojë/ dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri/ dhe flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete….”, Boriçi veçoi si tipar animizimin e dashurisë që sipas tij është pikënisja e këtij vëllimi poetik.

Duke e parë poezinë e këtij autori, jo thjeshtë një proces teknik mund të pranojmë me vetëdije se tek “Një e tretë, dashuria” është ditari poetik i Preç Zogajt për një periudhë të caktua, është perceptimi në një përmbledhje të katër viteve të fundit duke mos përsëritur vetveten...,duke ruajtura tiparet e poezisë në raport me poezinë e mëparshme. Ndaj dhe vlerësohet si një libër që përcakton një kulm në ecurinë e botimeve të tij, ndonëse Preç Zogaj gjithnë gjen maja të reja në raport me poezitë e mëparshe.

Dhe siç pohon vetë Preçi “autori ka gjithnjë ide, por besoj se ky libër shënon një nivel më të lartë në poezinë time...”. Pikërisht këtë nivel të lartë vlerësuan edhe Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli dhe drejtoresha e botimeve UET Press, Suela Mino, të cilat folën nën dritën e bashkëpunimeve me autorin, prurjet e të cilit kanë qenë të shpeshta nën logon e UET Press.

Me këtë libër Preçi vjen si një prurje e re, nga një proces i imtësisht për të qëmtuar germën, detajin emotiv, instrumenta gjuhësore dhe të përjetimit për të komunikuar me fjalën një ngjarje për lexuesin, është një lloj rrugëtimi jete... Poezia e tij është poezi që nderon letërsinë shqipe. Mjafton të citojmë për këtë qoftë dhe vetëm vargjet e poezisë “Njëherë tjetër”: “Njëherë tjetër do flasim gjatë/ për pengun tënd, për pengun tim/ Pres të rikthehet në gjendje të lëngshme/guri që mbaj në gjoks”. Apo dhe vargjet e poezisë “Testament i gjyshes”: “Pastër e mbajtëm shtëpinë gjithë jetën./Gjithë jetën i futëm vaj kandilit/ për kthimin e dytë të mbretit tonë, Jezu Krisht/….Kur të vijë,/qani për ne/o ju fatlumët”.

Me 73 poezitë e këtij libri të konturuara në 6 cilke, poeti i mirënjohor Zogaj i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër autorët mjaft interesantë e mbreselënës. Kjo edhe për faktin se poezia e tij, pasi e ke lexuar të mbetet në mendje. Është poezi që recitohet dhe interpretohet, siç e interpretuan atë  me ndjenjë e përjetim artistik në këtë spektakël poetik aktorët e TK Doriana Çaushi e Donald Shehu, si dhe moderuesi i këtij spektakli Dritan Boriçi, i cili komentet e disa poezive i shoqëroi edhe me interpretimin të fuqishme emocionese. Kjo ndodh ngaqë poezia e P.Zogajt është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat. Më e dukshme kjo dukuri tek poezia “Shpagimi po vjen me fytyrën më të bukur”, ku: “Ky diell e ka zanat, s’di të bëjë ndryshe/veç të mrekullojë…/Në hak të diellit mbushet kupa/shpagimi afrohet/me fytyrën më të bukur/ që mund t’imagjinohet”.

Mjafton qoftë edhe kjo përzgjedhje për t’u mrekulluar me poezinë e Preçit që është poezi përqendrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, për sa i përket formës dhe kompozicionit. Gjen në këtë libër tituj shumë intrigues, si ato të poezive: “Baladë trishtimi për Noçen”, “Kur kujtoj sa të kam dashur ty”, “Të mund të vdesësh pa e marrë vesh bota”, “Pa pushim kërkon të ndalet zemra ime”, etj, që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet: “Princi i kaltër atje lart e larg/ thuret e shthuret në një re/Tetëmbëdhjet trëndafilat e Noçes shpërthejnë/koralen e gëzimit”. Në tërësinë e tij, libri “Një e tretë, dashuria”, shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhe modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.

Me “Një e tretë, dashuria”, pas romanit të tij të famshëm “Anjeza nuk u zgjua” dhe  101 poezive në librin “In Love”, Preç Zogaj këmbëngul më fortë në këtë zhanër letrar, por tashmë më me pjekuri artistike dhe më i afirmuar si poet.

Image
Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat