Poeti nga Llapi, Nuhi Potoku në prag të festave të fundvitit para lexuesve po del me përmbledhje të re poetike

Libra

Poeti nga Llapi, Nuhi Potoku në prag të festave të fundvitit para lexuesve po del me përmbledhje të re poetike

Nga: Zymer Mehani Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Poezitë e poetit Nuhi Potoku trajtohen si fenomene artistike në raport me kohën dhe hapësirën. Ky poet i talentuar llapjan duke pasur parasysh kërkesat e urdhrit teoriko-letrar, përpiqet që në vargjet e veta të aktualizojë motive dhe ide përmes temash që korrespondojnë me probleme dhe andralla të ndryshme të jetës njerëzore, që i takojnë të kaluarës, por edhe aktualitetit, e pse jo, sigurisht se do t’i takojnë edhe së ardhmes, dhe kësisoj e realizon diskursin e brendshëm, duke na dhuruar edhe elemente eseistike.

Në secilën poezi të vëllimit “Monolog retrospektiv” të poetit Nuhi Potoku, duke filluar nga poezia e parë (“Më thuaj”) e ciklit të parë (“ERËRAT”), pastaj “Liqeni i Dashnorëve” e deri te poezia e mbramë (“Atij i takon shpërblimi”) e ciklit të fundi (POROSI TË URTA“) poeti shjellon nga një temë të veçantë përmes idesh të sintetizuara. Ai, varësisht nga situatat, në të cilat jeton dhe krijon, shtron koncepcionet e veta përmes motivesh (atdhetar, social, i aktualitetit etj) e tematikash ndaj çështjesh të ndyshme, të skalitura në artin e tij poetik. Këto poezi poeti Potoku i ka ndërtuar përmes kombinimit të imazheve nga jeta, si në çaste gëzimi, intimiteti e hareje, por edhe në çaste vegimi, trishtimi e varfërie, ku secila prej tematikave bart një mesazh të caktuar.

Poeti Nuhi Potoku kërkon procedim të ndërlikuar të mishërimit dimensional e kuptimor të fjalës dhe të shprehjes poetike, përherë të kamufluar me figuracion poetik (dallohen qartë krahasimet, metaforat, antiteza, anafora etj). Ai përpiqet që përmes vrullit shpërthyes të mendimeve të krijojë varg përmbajtësor (të gjitha llojet, si katrenë, tercinë, distik, por edhe poezi në kolonë) në përputhje me idenë dhe motivin që trajton. Autori është tepër i kujdesshëm në përdorimin e fjalëve dhe të shprehjeve dhe përgjithsisht të fjalorit, që përdor në poezinë e vet, prandaj edhe i organizon ato bukur në strukturën e vargjeve të veta, duke u dhënë kuptim pa i përsëritur, dhe kësofare arrin ta rrumbullakësojë efektin e përgjithshëm të mendimit.

Poeti Potoku e ndjen fuqishëm rolin dhe peshën e fjalës, prandaj përpiqet që t’i gjejë fjalët dhe shprehjet e veta origjinale, edhe pse është i vetëdijshëm se fjala shpesh e dërgon atë në mbretërinë e vet magjike duke marrë trajtë për ta mveshur mendimin dhe emocionin e vet me petkun dhe ngjyrimin e fjalëve.

Fjala poetike e poetit Nuhi Potoku në 12 ciklet e vëllimit “Monolog retrospektiv” është mjaft e thjeshtë dhe origjinale, me ide të qarta dhe me preokupime të ndryshme. Në poezitë e këtij krijuesi hetohen refleksionet mbi problemet e jetës së njeriut dhe të shoqërisë, duke mbetur në fortesën e fjalëve, që na dhurojnë emocione, dhembje, mallëngjim, por edhe trishtim.

Shihet se poeti Nuhi Potoku ka bërë përpjekje për t’i krijuar shprehjet e veta specifike dhe individuale (stilin unik). Këto përpjekje janë të guximshme, por edhe simpatike.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat