"Evropa në udhëkryq, Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939"

Libra

"Evropa në udhëkryq, Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939"

Nga: M.A. Sami Blakaj Më: 5 korrik 2017 Në ora: 16:59
Sami Blakaj dhe kopertina e librit

Vitrinës së librit, lexuesit dhe studiuesit shqiptarë për herë të parë i ofrohet një libër shkencor në literaturën shqipe që flet për Evropën dhe Rajhun e Tretë në Gjermani.

Ky është libri me titull "Evropa në udhëkryq, Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939", i autorit ASTRIT ZEMAJ.

Përmes këtij libri autori sjellë studimin e gjendjes në Gjermani nga këndvështrimi politik, ushtarak dhe ekonomik, ndërmjet dy luftërave botërore, 1918-1939. Pas një studimi shumëvjeçarë, autori Astrit Zemaj (aktualisht zv. Ambasador në Berlin) arrinë të sjellë këtë libër shkencor, të dytin me radhë për lexuesit, por pse jo edhe për vetë studiuesit. 

Rëndësia e këtij studimi shkencor është trajtimi i periudhës kohore më të dëbatuar dhe kontradiktore jo vetëm në historinë e popullit gjerman, por në gjithë historiografinë gjermane. Në fakt kjo periudhë kohore njihet si faza e rimëkëmbjes dhe forcimit të Gjermanisë, e cila kishte dalë me humbje të mëdha njerëzore, politike dhe ekonomike nga Lufta e Parë Botërore.

Autori i librit "Evropa në udhëkryq, Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939", me një metodologji të pasur shkencore pasqyron këtë periudhë të historisë gjermane për të cilën kishin gjurmuar edhe shumë historianë, politologë, juristë dhe diplomatë me renome evropiane dhe botërore. 

Libri i autorit Zemaj, që para pak ditësh doli në tregun e librit, përbëhet nga gjithësej nëntë kapituj dhe përgjatë tyre analizon sfondin e përgjithshëm dhe dinamikat politike, ekonomike dhe diplomatike, që çuan në shkatërrimin e Republikës së Vajmarit dhe në kapjen e shtetit gjerman nga Adolf Hitleri dhe Partia Nacionalsocialiste. 

Autori përmes librit të tij vë në spikamë Marrëveshjen e Versajës dhe ndjenjën e përuljes që ajo shkaktoi në Gjermani, krizën ekonomike, trazirat dhe përplasjet kronike politike, si dhe çorientimin e diplomacisë së fuqive të mëdha të kohës, që për pasojë kishte indiferencën ndaj zhvillimeve në Gjermani. Më tej Zemaj, hedh dritë mbi fakte të rëndësishme, shpeshherë të hedhura në hije nga narracioni i përgjithshem, për të mos thënë standard mbi Gjermaninë naziste. 

Personalisht kisha fatin që ta kem në duar këtë libër të sapo botuar dhe me pasion t'i qasem temës mbi të cilën kishte gjurmuar autori Zemaj. Me këtë rast do të veçoja një fragment të shkurtër që tërhoqi vëmendjen time gjatë leximit të librit, e që kishte të bënte me letrën që një nga gjeneralët me nam të ushtrisë gjermane, Erich Lundendorff, i kishte drejtuar presidentit të Gjermanisë, Paul von Hindernburg, më 1 shkurt 1933, përkatësisht vetëm dy ditë pasi ky i fundit kishte emëruar Adolf Hitlerin për Kancelar të Gjermanisë. 

"Me rastin e emërimit të Hitlerit në postin e Kancelarit, Ju ia keni servuar atëdheut tonë të shtrenjtë gjerman njërin nga demagogët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Unë sinqerisht mund të jap profecinë time se, ky njeri i pashpirt do ta dërgojë vendin në shkatërrim dhe kombit do t'i sjellë vuajtje të papara. Brezat e ardhshëm për këtë vendim Tuajin do t'ju mallkojnë edhe në varrë". 

Këto ishin fjalët me të cilat gjenerali Lundendorff, përshkruante figurën e Hitlerit dhe që më pas doli të ishte një vlerësim i sakt i një të vërtete të hidhur. 

Përtej kësaj, libri i Astrit Zemajt ofron një përshkrim të hollësishëm dhe analitik mbi zhvillimet në Gjermani pas marrjes së pushtetit nga Hitleri deri në Luftën e Dytë Botërore. 

Ky libër bëhet edhe më interesant sidmos kur kemi parasysh se autori Zemaj është nga të rrallët studiues që shpërthen kornizat dhe trajton një tematik të rëndësisë historike gjermane dhe kalon përtej saj. 

Mbi të gjitha libri "Evropa në udhëkryq, Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939", i autorit ASTRIT ZEMAJ, pasuron dukshëm literaturën në gjuhën shqipe mbi aspekte politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike që ndërlidhen me Luftën e Dytë Botërore. 

Për audiencën shqipfolëse, këtij libri i jep vlerë të shtuar referenca e autorit në burime dhe dokumente origjinale shkencore në mënyre të mrekullueshme, me një stil autorial të arrirë dhe të përkryer.

Ky botim që tashmë pasuron tregun e librit shkencor, së shpejti pritet të promovohet në Kosovë dhe në Evropë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat