Vetëdijesohen bujqit e Pollogut, aplikojnë për më shumë fonde

Maqedonia

Vetëdijesohen bujqit e Pollogut, aplikojnë për më shumë fonde

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 18:19
Foto

 Përkundër raportimeve të fundit se bujqit e Pollogut janë të pa interesuar për të aplikuar në fondet e Bashkimit Evropian (IPARD) dhe subvencioneve të ndryshme që ndan Ministria e Bujqësisë, megjithatë drejtues të Agjencisë për Mbështetje Financiare në bujqësi dhe zhvillim rural thonë se kohëve të fundit është shtuar dukshëm interesimi, shkruan gazeta Koha. “Kemi ndryshime kohëve të fundit, ndoshta interesimi ka qenë më i vogël fazën e IPARD 1, por në thirrjen e IPARD 2, kemi interesim më të madh edhe nga rajoni i Tetovës dhe Gostivarit. Tashmë është mbyllur thirrja e ashtuquajtur ‘Masa 3’ dhe bujqit në këtë thirrje kanë kërkuar fond mbi 15 milionë euro, kurse buxheti i paraparë është 13 milionë euro. Në thirrjet e mëparshme jo që nuk kishte aplikime, por edhe kërkesa ka qenë shumë e vogël apo diku rreth 13 për qind janë kërkuar nga mjetet e përgjithshme, kurse tash kemi kërkesë për 100 për qind. Në këto aplikime kemi edhe kompani nga rajoni i Tetovës dhe Gostivarit”, deklaroi Abdul Selami nga Agjencia për Mbështetje Financiare në bujqësi dhe zhvillim rural.

 

Ndonëse procedurat mbeten të njëjta për aplikim, megjithatë nga Agjencia për Mbështetje Financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, thonë se bujqit duhet të jenë më këmbëngulës që të arrijnë tek këto fonde. Sipas tyre, institucionet përgjegjëse janë të gatshme të ndihmojnë ata në grumbullimin e dokumenteve të nevojshme. “Procedurat vazhdojnë të jenë të njëjta dhe gjithçka varet se sa bujku ka vullnet të arrijë deri tek fondet. Me një vullnet të mirë, me një program të mirë, me një projekt të mirë, mund të arrihet tek fondet. Në konsultim edhe me Agjencinë për nxitjen e bujqësisë, të cilët japin informata rreth aplikimeve, ata nuk e kanë vështirë që të arrijnë tek fondet”, thotë Selami.

 

Sipas informacioneve, e ashtuquajtura “Masa 3”, përfshinë investime në ferma apo në makineri për prodhimtari të mishit, produkteve të mishit, qumështit e kështu me radhë.

 

“Nga masat e Programit të ri për zhvillim rural 2019 , sigurojmë bujqësi moderne, shtrirje të sigurt të produkteve bujqësore dhe jetë më të mirë në zonat rurale. Risitë që i vendosëm tek Programi për zhvillim rural ofrojnë mundësi edhe atë: përkrahje për bujqit e rij u rrit nga 10 mijë në 20 mijë euro për shfrytëzues, 1 milion denarë për furnizim me mbarështimin e bagëtive, 60.2 milionë denarë për traktorë, 4 milionë euro për investime në qendra të prodhimit, 10 herë më shumë në krahasim me 2018, pothuajse 10 herë më shumë para për shërbime këshilluese për bujqit, për shfrytëzim më të madh të IPARD fondeve, 60 milionë denarë për promovim të produkteve bujqësore maqedonase në vend dhe jashtë vendit, 130 milionë denarë për përpunim të planit detajor urbanistik në zonat rurale…”, tha Selami.

Nga Agjencia për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural edhe njëherë apelojnë tek të gjithë fermerët që kanë nevojë të avancojnë veprimtarinë bujqësore, të aplikojnë në të ardhmen që të fitojnë mjetet e IPARD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat