“Monstra”, shtatë vjet nga aksioni policor

Maqedonia

“Monstra”, shtatë vjet nga aksioni policor

Më: 1 maj 2019 Në ora: 17:58
Monstra

Shtatë vjet nga aksioni policor “Monstra” ku u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë në mesin e të cilëve edhe disa gra. Të dyshuarit u arrestuan në mënyrë brutale. Dyshimet për veprimet e policisë mbeten të pa zbardhura ashtu si edhe vetë rasti i cili akoma nuk ka epilog gjyqësore. Si të dyshuar për procedurën gjyqësore, por autorët e vërtetë sipas policisë, për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës u arrestuan: Agim Ismailoviq, Sami Luta, Haki Aziri, Fejzi Aziri dhe Rami Sejdii. Gjatë aksionit policor por edhe sot e kësaj dite në arrati u ndodhën Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Gjykata Themelore Shkupi 1 kishte shqiptuar dënimin me burg të përjetshëm gjashtë të dyshuarve, ndërsa në mungesë të provave ishte liruar Rami Sejdii. Vendimi për rastin Monstra solli protesta të dhunshme, për të cilat u dënuan dhjetëra protestues. Të dënuarit kishin ankimuar vendimin e shkallës së parë, por Apeli konfirmoi dënimin me burg të përjetshëm për 6 persona.

Në vitin 2015, ish lideri i opozitës aso kohe, tani kryeministri Zaev në vazhdën e publikimit të materialeve të përgjuara kishte premtuar publikimin e të ashtuquajturave bomba për rastin Monstra, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë pasi materialet i kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale Publike. Më, 24 nëntor 2017, Gjykata Supreme vendos për kthimin e rastit “Monstra” në rigjykim. Të dënuarit ishin liruar nga paraburgimi me obligimin që të paraqiten në Gjykatë një herë në javë.

Procesi gjyqësor “Monstra” po zhvillohet nën përfaqësimin e akuzës nga PSP-ja, por në mungesë të Afrim Ismailoviq dhe Alil Demirit. Deri më tani janë dëgjuar të akuzuarit dhe dëshmitarët, ndërsa së fundi në seancat me dyer të mbyllura po dëgjohen materialet e përgjuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat