Partitë me mospajtime për sistemin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut - Bota Sot
Partitë me mospajtime për sistemin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Partitë me mospajtime për sistemin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 15:00
Foto ilustrim

Debati për ndryshimin e modelit zgjedhor, i iniciuar fillimisht nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka mobilizuar partitë e vogla politike, të cilat, këtë nismë e kanë shndërruar edhe ne propozim-ligj që tashmë ndodhet në procedurë parlamentare.

Dymbëdhjetë parti politike kërkojnë që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në një njësi zgjedhore me lista të hapura, zgjidhje e cila sipas tyre do t’i jap fund monopolit të dy partive politike.

Nga viti 2002, në fuqi në Maqedoninë e Veriut është sistemi proporcional me gjashtë njësitë zgjedhore me lista të mbyllura. Nga secila njësi zgjidhen nga 20 deputetë që plotësojnë institucionin ligjvënës me 120 ulëse deputetësh.

“Absolutisht ky model favorizon vetëm se partitë e mëdha politike. Është mëse e qartë se këto dy parti (VMRO dhe LSDM) ruajnë monopolin. 30 vjet janë në pushtet apo ndërrojnë pushtetin mes tyre duke marrë me vete edhe një parti shqiptare. Në fakt, ne këtu kemi një sistem nga i cili gjërat në shtet nuk kanë ndryshuar në kuptimin e forcimit të demokracisë”, thotë Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike, e cila ka dorëzuar propozimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Me sistemin aktual zgjedhor partitë e vogla e shohin veten të diskriminuara, pasi sipas tyre ndodhë që një parti të grumbullojë mbi 20 mijë vota, por për shkak të shpërndarjes së tyre në gjashtë njësitë zgjedhore ndodhë që të mos sigurojnë asnjë ulëse në Kuvend ndërsa në rast se vendoset për një njësi zgjedhore, atëherë votat e tyre do të jenë si tërësi që mund t’u garantojnë edhe më shumë se një deputet.

“Ne vlerësojmë se nëse Kuvendi do të kishte një përbërje tjetër apo të larmishme me më shumë parti politike të përfaqësuara me deputetë, atëherë do të rritej përgjegjësia, mundësia për kontroll dhe në fakt do të kishim ç'montim të sistemit njëpartiak”, thotë Trajanov.

Edhe partitë politike shqiptare janë për ndryshimin e modelit zgjedhor, në veçanti mbajtjen e zgjedhjeve me lista të hapura, por dallojnë sa i përket njësive zgjedhore. Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se duhet të mbeten gjashtë njësi me qëllim ruajtjen e votës shqiptare ndërsa Lëvizja Besa kërkon tre njësi, që sipas saj do të ishin edhe më favorizuese për rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë.

Ndërsa, Aleanca për Shqiptarët kërkon tetë njësi, që do të përcaktoheshin sipas modelit të zhvillimeve rajonale. Por, ato së bashku janë kundër asaj që të ketë një njësi zgjedhore, siç kërkojnë partitë e vogla maqedonase.

“Ne kategorikisht jemi kundër për shumë arsye, së pari me një njësi zgjedhore nuk ndjejmë sigurinë e mbrojtjes së votës në vendet e pastra që dominohen nga votues të nacionalitetit maqedonas. Askush nuk mund të na garantojë se atje nuk do të mbushen kutitë për të rritur pragun zgjedhor deri në atë masë që vota shqiptare të mos arrijë të artikulohet në mandate”, thotë Remzi Memedi nga Aleanca për Shqiptarët në opozitë.

Partitë e mëdha LSDM dhe VMRO, gjithashtu janë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Derisa partia e kryeministrit, Zoran Zaev është për një njësi zgjedhore, VMO-ja opozitare nuk e përjashton mundësinë që të zyrtarizojë kërkesën për 120 njësi zgjedhore, apo kthimin e sistemit të shumicës.

Njohësit e çështjeve politike, janë skeptik se pa një presion të fuqishëm të madh, partitë e mëdha nuk do të hiqnin dorë nga monopoli mbi skenën politike. Analisti Nenad Markoviq gjithashtu thekson rëndësinë e pozicionit të partive shqiptare, pa të cilat, vështirë të ndryshohet Kodi Zgjedhor meqë sipas tij ato do të kundërshtojnë modelin me një njësi pasi do të mund të humbin shumë mandate deputetësh për shkak të daljes së ulët të shqiptarëve në zgjedhje.

“Me siguri se kjo nuk do t’i konvenojë atyre dhe me siguri se do të ketë rezistencë, që besoj se do të kombinohet edhe me rezistencën e dy partive më të mëdha politike maqedonase. Andaj edhe nuk jam shumë optimist se mund të ketë ndryshime. Por, sërish e them se më rëndësi do të jetë pozicioni i partive shqiptare”, thotë Markoviq.

Bazuar në qëndrimet e kryeministrit, Zoran Zaev, zgjedhjet e rregullta në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen në tetor të vitit të ardhshëm ndërkohë që opozita vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Sipas Ligjit për Qeverinë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, vendin do ta udhëheq qeveria teknike, me përfshirje edhe të opozitës./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...