Ligji për shkollat fetare është i pranueshëm për bashkësitë fetare në Maqedoni - Bota Sot
Ligji për shkollat fetare është i pranueshëm për bashkësitë fetare në Maqedoni

Maqedonia

Ligji për shkollat fetare është i pranueshëm për bashkësitë fetare në Maqedoni

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 16:43
Foto

Ministria e Arsimit ua ka dorëzuar bashkësive fetare në vend draft ligjin me të cilën parashihet institucionalizimi i shkollave të mesme fetare. Shkollat e mesme fetare deri më tani nuk kanë qenë të institucionalizuara, dhe nxënësit që kanë kryer mësimin në këto shkolla, nuk kanë pasur të drejtë që t’i nënshtrohen maturës shtetërore dhe të regjistrohen nëpër universitetet publike dhe private në vend. Ministi i Arsimit, Arbër Ademi, sqaroi sot që me institucionalizimin e tyre, këto shkolla do të punojnë me programet dhe planet mësimore shtetërore. Ai tha se ky draft-ligj, është përshëndetur nga përfaqësuesit e bashkësive fetare më të mëdha në vend, Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase.

“Është draftligj me çka shkollat e mesme fetare që funksionojnë tash e sa vite të institucionalizohen, që shteti të jep kontributin e vet, të ketë mbikqyrjen e vet, programet dhe planet mësimore të jenë në përputhje me standardet. Ju e dini se për një kohë të gjatë ata kanë qenë në një pozitë jo të lakmueshme, ato shkolla funksionojnë dhe nxënësit të cilët kryejnës hkollimin në këtë shkolla nuk mund të regjistrohen në institucionet e arsimit të lartë”, tha ministri i Arsimit Arbër Ademi.

Ademi më tej ka shtuar draft ligji po ashtu parasheh që nxënësit që ndjekin mësimet në shkollat fetare, pas përfundimit të saj, do të kenë të drejtë që të regjistrohen në institucionet e larta arsimore.

“Qeveria e vendit ka ofruar një propozim për institucionalizimin e këtyre shkollave dhe për regjistrimin e kryejnë shkollimin në këto shkolla, të cilat do të jenë të intitucionalizuara, jo kështu siç janë tani, pse jo do të thesha edhe në mënyrë të egër funksionojnë, të institucionalizohen dhe do të kenë mundësi të regjistrohen në institucionet e arsimit të lartë”, deklaroi Ademi.

Vite më parë, Ministria e Arsimit solli ligj që nxënësit pas përfundimit të shkollës së mesme t’i nënshtrohen maturës shtetërore, si kriter bazë për regjistrimin e tyre në fakultetet publike dhe private në vend. Megjithatë, medresantët dhe shkollat e tjera fetare u përjashtuan nga mundësia për t’iu nënshtruar maturës shtetërore dhe në këtë mënyrë, për vite me radhë, për shkak të mungesës së kriterit bazë, ata nuk kanë mundur që të regjistrohen në fakultete të fushave tjera.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat