Rasti “Monstra”, vazhdon më 19 dhjetor

Maqedonia

Rasti “Monstra”, vazhdon më 19 dhjetor

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 20:28
Foto

Raporte dhe dokumentacione për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, ishin pjesë e seancës së sotme të rastit “Monstra”. Gjatë leximit të këtyre provave u treguan detaje nga vendngjarja, gjegjësisht çfarë kanë parë inspektorët e policisë në kontaktin e parë me kufomat, pozitën e tyre, llojin e veturave dhe gjësendet që janë gjetur aty.

Avokatja e familjarëve të viktimave sqaroi se në këtë seancë janë prezantuar analiza të plota, të realizuara nga shembujt e marrë, dëshmi dhe gjithçka çka është dashur të bëhet për kontroll të mirëfilltë. Pasi që, siç potencoi ajo, pala mbrojtëse në procedurën e mëparshme gjyqësore thoshte se është bërë procedurë jo e mirëfilltë dhe cekët.

Ndryshe, informon AIM, se i akuzuari në rastin “Lagjja e Trimave”, Shefçet Hallaçi, në qershor të këtij viti i ka dërguar materiale të përgjuara prokurores Fatime Fetai, në lidhje me rastin “Monstra”, për vrasjen e pesëfishte te Liqeni i Smillkovës.

Hallaçi i është lajmëruar Fetait dhe i kishte thënë se ka 140 gigabajt biseda të përgjuara, të cilat ai ia dërgoi edhe El Çekës, ajo i tha që këto përgjime duhet t’i dërgojë në ish-Prokurorinë Speciale Publike.

Prokurorja Fetai sqaroi se midis regjistrimeve që ia dërgoi Hallaçi, përveç për “Monstrën”, ka edhe materiale për raste të tjera që i kishte në udhëheqje ish PSP-ja, e tash i udhëheq Prokuroria.

Këto përgjime opinioni tashmë i ka dëgjuar dhe ato janë bisedat të cilat i kishin biznesmeni Orce Kamçev dhe gazetarja Olivera Trajkovska për këtë rast.

Fetai në seancën e sotme për rastin “Monstra”, theksoi se të gjitha materialet të cilat i kanë marrë në PSP nga Hallaçi, i janë dorëzuar Gjykatës.

Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, ku u vranë të rinjtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ancovski, Aleksandar Nakevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri, si dhe Sami Luta.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i hoqi gjykimet, dhe i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, dhe u caktoi masa kujdesi. Pas heqjes së gjykimeve, rastin “Monstra” e mori përsipër PSP-ja dhe lënda u kthye në gjykim të sërishëm. Seanca e radhës për rastin “Monstra”, është caktuar të mbahet me 19 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat