ASH-AAA: MEPSO dhe ELEM të heqin dorë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, çmimi të lirohet për 20%

Maqedonia

ASH-AAA: MEPSO dhe ELEM të heqin dorë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, çmimi të lirohet për 20%

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Nëpërmjet një njoftimi të koalicionit ASH-AAA thuhet se “fatkeqësisht në kohë pandemie, Qeveria nëpërmjet enteve rregullatore është vendosur në mbrojtje të monopoleve dhe oligopoleve duke e rënduar edhe më tej situatën e qytetarëve”.

Sipas tyre, është irritues fakti se shteti i Maqedonisë së Veriut, siç thonë ata, këmbë kryq po vazhdon të luajë me fatin e qytetarëve të vet.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për 7.4 % është rritje drastike që nuk do të ishte arsyetuar as në kohë normale, e aq më pak mund të arsyetohet në kohë krize kur qytetarët i kanë të ardhurat e zvogëluara. Në vend se të ndihmohen qytetarët po ballafaqohen gjithnjë e më shumë me shpenzime shtesë”, thuhet në njoftim.

Ata shtojnë se arsyetimi se kjo rritje bëhet për shkak të të ardhurave të zvogëluara në këtë sektor është skandaloz, pasi që qytetarët kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë faturat e rrymës elektrike edhe në kohe pandemie.

“Të revoltuar si çdo qytetar i vendit tonë, koalicioni ASh-AAA kërkon tërheqje të menjëhershme të vendimit të Komisionit Rregullator! Shteti ka për obligim t'u del në ndihmë qytetarëve në vend se t’i ngarkojë ata me rritje çmimesh të pa baza. Si shtet që aspiron Bashkimin Evropian kemi obligim të sillemi në frymë evropiane dhe t’u përshtatemi praktikave evropiane që qytetarin gjithmonë e kanë në rend të parë”, thuhet në njoftimin e ASH-AAA.

Si koalicion ato kërkojnë që çmimi i energjisë elektrike të zvogëlohet për 20% në mënyrë që qytetarët ta kenë më lehtë deri në tejkalimin e pandemisë dhe poashtu të rishikohet edhe tarifa industriale për bizneset.

“Ne si koalicion jemi të gatshëm që me çdo kusht t'u dalim në krah
qytetarëve duke i mbështetur plotësisht në kërkesat e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat