Maqedoni e Veriut: Pasiguri për hapjen e shkollave mes pandemisë - Bota Sot
Maqedoni e Veriut: Pasiguri për hapjen e shkollave mes pandemisë

Maqedonia

Maqedoni e Veriut: Pasiguri për hapjen e shkollave mes pandemisë

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Në më pak se tre javë, kur janë planifikuar të hapen shkollat në Maqedoninë e Veriut, autoritetet ende nuk kanë marrë një vendim për shkak të pandemisë së koronavirusit se si do të zhvillohet procesi mësimor.

Ka pasur propozime që nxënësit e klasëve të ulëta të fillores ta ndjekin mësimin fizikisht me orë të shkurtuara dhe me protokolle për mbrojtje nga virusi; nxënësit e klasave të tjera dhe të shkollave të mesme mësimin ta ndjekin nga distanca – online, apo një variant i kombinuar.

Ministri në largim i Arsimit, Arbër Ademi u tha të mërkurën gazetarëve se për këtë duhen ndryshime të ligjeve, por se parlamenti nuk është funksional dhe për këtë procesi i hapjes së shkollave do të mund të shtyhej.

“Fillimi i vitit shkollor do të varet nga gjendja epidemiologjike dhe nga parlamenti”, tha zoti Ademi duke bërë me dije se ministria propozon shkurtimin e orëve të mësimit nga 45 në 30 minuta për nëntëvjeçaren dhe nga 45 në 35 minuta për skollat e mesme.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për sëmundjet ngjitëse duket se dëshirojnë që në shkollat me më pak nxënës, mësimi të mbahet me praninë fizike të nxënësve në klasa.

Megjithatë, në vendbanimet shqiptare të Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe zona të tjera një klasë ka më tepër se 30 nxënës dhe ndarja eventuale nëpër turne nuk shikohet si një zgjidhje e efektshme.

As mësimdhënësit, nga ana tjetër, nuk janë të përgatitur për zhvillimin e mësimit online. Ndërsa, shumica e prindërve kërkojnë që mësimi të bëhet online, për t’i shpëtuar përhapjes së koronavirusit nëpër shkolla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat