Kim Mehmeti: Dihet se kush e themeloi Maqedoninë e sotme, por nuk dihet se kush atë do e rrënojë

Maqedonia

Kim Mehmeti: Dihet se kush e themeloi Maqedoninë e sotme, por nuk dihet se kush atë do e rrënojë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 19:06
Kim Mehmetit

Në një koment në faqen e tij të FB, shkrimtari ynë Kim Mehmeti thotë se dihet kush e themeloi Maqedoninë e sotme, por nuk dihen nëse atë do e rrënojnë politikanët tinëzarë si Zaevi e Ali Ahmeti, apo patriotët maqedonas që bien në gjumë e zgjohen me parullat antishqiptare e antibullgare.

Sipas Kim Mehmetit, prindër të Maqedonisë së sotme janë komunistët e Titos dhe Federata e Jugosllavisë.

Dhe ai pohon se Beogradi e shkroi historinë e popullit maqedonas dhe e kodifikoi gjuhën letrare maqedonase, vetëm që t’i largonte sa më shumë nga bullgarët e t’i ‘vëllazëronte’ me serbet.

Më poshtë ua përcjellim komentin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti, e që ka të bëjë me mosmarrëveshjet bullgaro-maqedonase.

“Dihet se kush e themeloi Maqedoninë e sotme dhe cilët janë prindërit e saj: ‘baballarë’ të saj janë komunistët e Titos, e ‘nënë’ Federata Jugosllave!

Siç dihet se kush asaj ia shkroi historinë, që popullin maqedonas ta largonte sa më shumë nga ai bullgar, e ta ‘vëllazëronte’ me atë serb, si dhe kush e ‘kodifikoi’ gjuhën maqedonase letrare, që atë ta ‘pastronte’ nga gjitha ngjashmëritë me atë bullgare, e ta bënte ‘motër’ të asaj serbe: Beogradi dhe ‘komisionet e Gjillasit’!

Shumëçka lidhur me themelimin e Maqedoninë së sotme dihet, por nuk dihet se kush atë do e rrënojë: politikanët tinëzarë si Zaevi e kryetari i BDI’së, që thonë atë që doni ta dëgjoni dhe, që ua mbron biznes interesat e i mbanë në pushtet, apo ‘patriotët’ maqedonas, që bien e zgjohen nga gjumi me parullat ‘Vdekje shqiptarëve’, ‘Maqedonia vetëm e maqedonasve’ dhe ‘Bullgarë – tatarë”!

Dhe ndoshta nuk është gjithaq e qartë nëse Goce Dellçevi është bullgar që ka luftuar për çlirimin e Maqedonisë, apo maqedonas i ‘maskuar’ në bullgar, por dihet se gjithë ne ballkanasit, përpos të shkuarës së ndërthurur dhe librave të trashë të historisë, kemi të përbashkëta edhe shtatoret e larta të heronjve të betejave të humbura, e të ngritura nga politikanët tanë që na e mbrojnë të shkuarën vetëm sa të mos shohim se na e hëngrën të sotmen dhe na e vodhën të ardhmen!” (Kim Mehmeti)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat