Carovska në takim me organizatat civile

Maqedonia

Carovska në takim me organizatat civile

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 20:06
Milla Carovska

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska në një takim online sot diskutoi konceptin e ri të arsimit fillor me organizatat e shoqërisë civile. Në takim u theksua se organizatat e shoqërisë civile janë partner i rëndësishëm i Ministrisë në aprovimin e të gjitha proceseve të reformave, përfshirë konceptimin e ri që do të arrijë ndryshime thelbësore në arsimin fillor.

Sipas Carovskës, me konceptimin e ri, ata duhet të arrijnë potencialin e plotë të çdo fëmije, ndërsa përmes procesit arsimor të krijojnë qytetarë që respektojnë vlerat e vërteta qytetare siç janë barazia gjinore, toleranca dhe jo-dhuna.

Ajo shtoi se programet e integruara edukative nuk janë një risi dhe ekzistojnë në sistemet më të zhvilluara arsimore moderne.

“Këto takime konsultative i organizojmë me të gjithë palët e prekura me qëllim që të krijojmë koncept që do të pranohet nga të gjithë dhe është në interesin më të mirë të fëmijëve. Këto programe kanë një ndikim pozitiv në arritjet e nxënësve dhe u mundësojnë atyre që ta përdorin atë që e kanë mësuar jashtë kufijve të një lënde të caktuar, të përdorin njohuritë e tyre në mënyrë krijuese dhe të zhvillojnë të menduarit kritik dhe strategjitë efektive të të mësuarit”, tha Carovska.

Carovska, në takim, theksoi se me konceptin e ri, mësimdhënësit do të vazhdojnë t’i ligjërojnë lëndët e tyre, për të cilat edhe më parë kanë dhënë mësim, dhe se asnjë mësues nuk do të humbasë punën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat