Kryeparlamentari turk Şentop vazhdon takimet në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Kryeparlamentari turk Şentop vazhdon takimet në Maqedoninë e Veriut

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:35
Pamje nga takimi

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, vazhdoi takimet e tij në ditën e dytë të vizitës në Maqedoninë e Veriut me rastin e 21 Dhjetorit - Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i parlamentit turk Şentop dhe delegacioni shoqërues zhvilluan një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, dhe anëtarët e gjykatës. 

Şentop dhe delegacioni i tij vizituan edhe Urën e Gurit në Shkup, ndërsa më pas shëtitën në Çarshinë e Vjetër.

Gjatë vizitës në Çarshinë e Vjetër, Şentop u shoqërua edhe nga kryekëshilltari i Presidentit të Turqisë, Sabri Demiri. Şentop u prit me entuziazëm nga qytetarët, me të cilët zhvilloi biseda.

Şentop dhe delegacioni i tij më pas vizituan Lidhjen e Organizatave të Shoqërisë Civile Turke të Maqedonisë (MATUSITEB). Kryetari i kësaj organizate, Hüsrev Emin, i dorëzoi një dhuratë kryetarit të parlamentit të Turqisë Şentop.

Şentop do të marrë pjesë në shënimin e 21 Dhjetorit - Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke që do të mbahet në Shkollën ​​Ndërkombëtare Maarif në Tetovë.

Ndryshe, Şentop dje mori pjesë në Shkup në një ceremoni solemne me rastin e 21 Dhjetorit, ndërsa poashtu zhvilloi takime me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryeministrin Zoran Zaev, si dhe presidentin Stevo Pendarovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat