Pandemia uli për 50% vrasjet dhe vjedhjet

Maqedonia

Pandemia uli për 50% vrasjet dhe vjedhjet

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

“Për pothuajse 10 muaj vendin e ka kapluar pandemia e shkaktuar nga koronavriusi, e cila fatkeqësisht mori mijëra jetë njerëzish. Mirëpo, në të njëjtën periudhë kohore kanë ndodhur edhe gjëra pozitive. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, këtë vit kanë ndodhur dyfish më pak vjedhje, vjedhje të rënda dhe vrasje. Ndërsa, këtë vit kanë ndodhur rreth 1700 aksidente rrugore më pak se vitin e kaluar”.

Nga MPB për TV Shenja tregojnë se këtë vit në krahasim me vitin paraprak janë regjistruar 14 vrasje më pak, 2026 më pak vjedhje, 2701 më pak vjedhje të rënda dhe 1708 aksidente rrugore më pak.

MPB

“Nga periudha 1 mars deri në 18 dhjetor 2020 për veprën penale ‘vrasje’ janë regjistruar 7 raste, ndërsa janë paraqitur 12 kryerës veprës. Ndërsa, në 2019 janë regjistruar 21 vrasje dhe janë paraqitur 19 kryerës të veprës.

-Në periudhën mars-nëntor 2020 për veprën penale ‘vjedhje’ janë regjistruar 1.633 raste dhe janë paraqitur 847 kryerës. Ndërsa për periudhën mars-dhjetor 2019 janë regjistruar 3.659 raste dhe janë paraqitur 1.511 kryerës të veprës.

-Në periudhën mars-nëntor 2020 për veprën penale ‘ vjedhje të rëndë’ janë regjistruar 4.403 raste dhe janë paraqitur 1.855. Ndrësa në periudhën mars – dhjetor 2019 janë regjistruar 7.104 vjedhje të rënda dhe janë paraqitur 2.734 kryerës të veprës .

-Në periudhën mars-nëntor 2020 kanë ndodhur 5.184 aksidente rrugore, ndërsa në të njejtën periudhë vitin e kaluar janë regjistruar 6.892 aksiedente”.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bashkim Selmani duke komentuar këto statistika thotë se këtë dukuri e kanë shkaktuar disa faktorë, por kryesisht kjo ka të bëjë me izolimin e qytetarëve dhe kufizimin e lëvizjeve të tyre.

Bashkim Selmani, ekspert i sigurisë

“Gjithçka është në ulje sepse ka ndryshuar e drejta e kufizimit të lëvizjes, pjesa e parë. Pjesa e dytë është edhe elementi i rritjes dhe ngritjes së sanksioneve penale, janë shumë të larta…Faktori i kufizimit të kohës, nëse kemi kufizim të kohës, lëvizja është më e ulët. Mirëpo, Maqedonia nëse merret me vendet e tjera të krahasohet, do të shihni që infrastrukturën në komunikacione e ka shumë më të ulët se sa vendet e tjera në rajon dhe Ballkanit në përgjithësi. Këtu kemi të bëjmë edhe me vështirësi të tjera në të cilat shteti nuk e ka atë përkujdesjen e duhur ndaj faktorëve ekonomik. Maqedonia ka problemet ekonomike, borxhin publik e ka shumë të lartë”.

Ai gjithashtu sqaroi se vendi ynë ka qenë ndër vendet e para për veprat penale që kanë të bëjnë me vjedhjen, mirëpo për shkak të kufizimeve kohore të periudhës së pandemisë, këto raste janë në rënie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat