“Aksioni i 21 i Qeverisë së Maqedonisë: Marihuana prioritet, harrohet arsimi dhe shëndetësia

Maqedonia

“Aksioni i 21 i Qeverisë së Maqedonisë: Marihuana prioritet, harrohet arsimi dhe shëndetësia

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 18:20
Foto Ilustrim

Pastrimi i gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit përsëri u gjendën në krye të prioriteteve qeveritare nga programi “Aksioni 21”. Këto dy çështje ishin prioritet edhe në projektin e mëparshëm reformues të qeverisë i njohur si Plani 3-6-9. Qeveria u lëvdua se pjesa më e madhe e masave është realizuar, por gjyqësori dhe korrupsioni përsëri u gjendën edhe në këtë plan. Por, tani nga LSDM e kryeministrit Zoran Zaev thonë se këto çështje janë në fazën e fundit.

“Në fazën përfundimtare është modeli për pastrimin e gjyqësorit, i përgatitur fillimisht nga përfaqësuesit e Këshillit gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve publik, me mbështetjen e opinionit akademik. Të gjithë gjykatësit do të vlerësohen se kanë prezantuar prova dhe dëgjuar dëshmitarë, posaçërisht për atë se si kanë vepruar me lëndët që janë sjellë deri në vjetërsim”, deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.

LSDM dhe në mandatin e ri vazhdon me gënjeshtrat e vjetra, vetëm numrat e planeve janë të ri, ndërsa pjesa tjetër është gënjeshtër, komentojnë nga opozitarja OBRM-PDUKM.

“LSDM edhe në mandatin e ri vazhdon me gënjeshtrat e vjetra. Opinioni i vendit pothuajse katër vjet është dëshmitar i gënjeshtrave, manipulimeve dhe projekteve të parealizuara. Zoran Zaev dhe LSDM çdo ditë shërbejnë PR për – ‘blej ditë, shitë politikë’ – vetëm që të ruajnë paqen, e cila u mundëson tregtim me interesat nacional, me të cilat hapin kanale private për të krijuar kapital pas shpinës së qytetarëve”, pohojnë nga OBRM-PDUKM.

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ndërkohë është e bindur se nuk do ta përkrahë Ligjin për legalizimin e marihuanës. “Jo, ne jemi deklaruar disa herë se nuk e përkrahim një ligj të tillë”, ka deklaruar Bujare Abazi, zyrtare e ASH-së. Edhe nga Alternativës para dy dite kanë deklaruar se koalicioni i tyre bashkë me Aleancën për Shqiptarët nuk do të përkrahë një ligj të tillë.

“Koalicioni ASH-AAA nuk mbështet idenë për legalizimin e lëndëve narkotike dhe nuk do të votojmë një ligj të tillë, sepse përveç tjerash dilema jonë është nëse Kryeministri Zaev e ka hallin e ekonomisë familjare apo ekonomisë së shtetit?A jemi të përgatitur ne si shoqëri dhe si shtet për të kaluar një ligj të tillë, i cili do të legalizojë përdorimin e lëndëve narkotike nga qytetarët?”, thanë nga Alternativa. Kryetari i Lëvizjes BESA, Billal Kasami në Click Plus nuk ishte i prerë se a do ta mbështesë apo këtë ligj.

“Unë nuk flas në emër të shumicës unë flas në emrin tim personal që si Billal Kasami nuk vlerësoj që Maqedonia ka mundësi që të legalizojë kanabisin të ketë përfitime ekonomike dhe mos të ketë dëm social”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi së fundmi në paraqitjen e televizive ka deklaruar se në vendin tonë ende nuk janë krijuar kushtet për legalizimin dhe përdorimin individual të marihuanës. “Në vend të cigares me pi kanabis, mendoj që nuk janë të krijuara parakushtet perceptuese të qytetarit tonë për këtë çështje dhe nuk janë krijuar parakushtet për legalizim të përgjithshëm të përdorimit individual”, deklaroi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Ndërkohë, kryeministri tashmë është i vendosur. Thotë se nuk është në rregull dikush të shkojë në burg për shkak se ka përdorur gjysmë grami kanabis natyral për përdorim personal. “Në vitin 2021 planifikojmë ta zgjerojmë listën e diagnozave, për të cilat është lejuar shërim me kanabis mjekësor, dhe të sigurojmë dekriminalizim dhe depenalizim të kanabisit për sasi të vogla për përdorim personal, sepse është e vërtetë ajo që e flasin aktivistët nga sektori qytetar. Nuk është në rregull dikush të shkojë në burg për shkak se ka përdorur gjysmë grami kanabis natyral për përdorim personal në kohën kur në gjithë vendet e botës ky bar bëhet legal edhe për mjekësi edhe për zhvillim ekonomik”, tha Zaevi, ndërsa mori shembull shtetet si Kanadaja, Çekia dhe Holanda, të cilat sipas tij, përfitojnë nga 55 miliard dollarë nga dinamika e industrisë së kanabisit.

Përveç gjyqësorit dhe korrupsionit, në 10 prioritetet për vitin e ardhshëm, Qeveria ka vendosur mbrojtjen e natyrës, maskat dhe vaksinat për Kovid-19, ndërsa menjëherë pas tyre vijon kanabisi i cili është i paraqitur si potencial i madh ekonomik. Më pas në planin qeveritar parashihet energjetikë e re e Maqedonisë, ndërtimi i gazsjellësit, Regjistrimi i popullatës, lufta kundër dezinformatave dhe potencialet e reja ekonomike. Mes prioriteteve nuk përmenden as procesi arsimor, e as sektori shëndetësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat