Posta e Maqedonisë së Veriut dhe Halkbank nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Maqedonia

Posta e Maqedonisë së Veriut dhe Halkbank nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 15:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Posta e Maqedonisë së Veriut dhe Halkbank - Shkup kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe atë për përcaktimin e vlerës së kompensimeve për kryerjen e shërbimeve në postë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshjet e nënshkruara pasojnë vendimin e qeverisë, e cila më 7 dhjetor të këtij viti pranoi si "më të favorshme" ofertën e Halkbank-Shkup për bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut.

Zbatimi i marrëveshjes planifikohet të nis pas dy muajve, ndërsa të ardhurat e realizuara bashkërisht do të ndahen 71 për qind për Postën e Maqedonisë së Veriut dhe 29 për qind për Halkbank-Shkup.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut, Jani Makraduli dhe drejtori ekzekutiv i Halkbank-Shkup, Bilal Sucubaşı, pas çka udhëheqësit e dy institucioneve u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Sucubaşı shprehu kënaqësi për mundësinë e bashkëpunimit me Postën e Maqedonisë së Veriut, të cilën e quajti një "institucion të shquar dhe historik të këtij vendi në fushën e operacioneve të pagesave".

"Besojmë se një institucion i tillë si Posta e Maqedonisë, që është e shtrirë në pothuajse të gjitha pjesët më të largëta të këtij vendi, në bashkëpunim me një brend të fuqishëm siç është 'Halkbank-Shkup' do të jetë në gjendje të ofrojë cilësi shumë më të mirë dhe shërbime me kushte të favorshme", theksoi Sucubaşı.

Duke folur për aktivitetet e bankës që drejton ai në Maqedoninë e Veriut, Sucubaşı tha se kjo bankë ka ofruar shërbime në vend për plotë 9 vite dhe është në mesin e katër bankave më kryesore në vend. Ai po ashtu theksoi se me 43 degë të bankës dhe me kompaninë e sigurimeve 'Halk Insurance' po përpiqen të kontribuojnë në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut.

Ndër të tjera, duke theksuar se fitimi sigurisht që është ndër përparësitë e tyre, Sucubaşı tha se përparësia kryesore e tyre do të jetë që qytetarëve të vendit t'u ofrohen shërbimet në një platformë më të gjerë.

Makraduli, nga ana e tij, njoftoi se marrëveshja është nënshkruar për 15 vite.

"Kompania Halk ka moton 'Qytetarët janë të rëndësishëm'. Ne po ashtu kemi një moto shumë të ngjashme me fushatën e re që kemi filluar dhe kjo është ta kthejmë postën tek qytetarët", tha Makraduli.

Duke theksuar se kjo marrëveshje nënkupton një hap drejt stabilizimit financiar të ndërmarrjes, Makraduli tha se kjo rimëkëmbje financiare do të ofrojë një mundësi për t'u zotuar në përparësitë themelore, që janë përmirësimi i shërbimeve postare.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Makraduli tha se Halkbank-Shkup është plotësisht e gatshme të fillojë punën për dy muaj dhe se kjo bankë ofroi kushte shumë më të mira se bankat e tjera që aplikuan.

Pas falimentimit të bankës “Eurostandart”, bankë me të cilën posta realizonte shërbimet, qeveria në muajin tetor miratoi tekstin e ri për ndryshimin e Ligjit për Shërbimet Postare, duke u propozuar bankave të paraqesin ofertën e tyre për bashkëpunim me postën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat